Ndërlidhjet

Optimistë për betejën në OKB


Nju-Jork
Nju-Jork

Presidenti Sejdiu dhe kryediplomati Hyseni janë shprehur të bindur se do ta fitojnë betejën politikë kundër Serbisë në OKB.


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, kanë udhëtuar të shtunën për në Nju-Jork, ku do të qëndrojnë gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Para nisjes ata janë shprehur optimistë se do ta fitojnë betejën politike të radhës kundër Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Presidenti Sejdiu ka thënë në Aeroportin e Prishtinës se janë të kota përpjekjet e Serbisë për negociata të reja për statusin apo edhe për çështje të brendshme të Kosovës.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtëm, Skënder Hyseni, ka theksuar se veprimi më i mirë i Serbisë është, që ajo ta tërheqë rezolutën para se ajo të debatohet në Asamblenë e Përgjithshme.

Kryediplomati Hyseni nënvizoi se janë bërë të gjitha përgatitjet që kjo rezolutë të dështojë.

Delegacionit do t’i bashkohet edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili ndodhet për vizitë në Katar, për qëllime lobimi në prag të sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku më 9 shtator pritet të diskutohet rreth rezolutës serbe për Kosovën.

Presidenti Sejdiu dhe ministri Hyseni kanë paralajmëruar se në Nju-Jork do të kenë takime të shumta me përfaqësues të shteteve të ndryshme, me qëllim të lobimit dhe sigurimit të njohjeve të reja për Kosovën.

Ndërkohë, presidenti Fatmir Sejdiu, në një ceremoni në katedralen e re, ka falënderuar Hondurasin për njohjen që i bëri Kosovës, duke u bërë kështu shteti i parë që e njeh Kosovën pas mendimit këshillëdhënës të GJND-së.

Ai u ka bërë thirrje të gjitha vendeve të botës që të ndjekin hapin e Hondurasit, meqë, sipas tij, njohja nuk e ndihmon vetëm Kosovën, por edhe mbarë rajonin.

“Ftoj vendet që nuk e kanë njohur Kosovën ta shpallin njohjen për shtetin tonë, në mënyrë që t’i hapet rrugë kësaj pjesë të Evropës drejt Bashkimit Evropian”,
ka theksuar Sejdiu duek shtuar se nuk asnjë arsye që vendet tjera pas GJND-së, të mos e njohin shtetit më të ri në botë.


XS
SM
MD
LG