Ndërlidhjet

Prishtina mirëpret ndryshimin e propozim-rezolutës


Prishtinë
Prishtinë
Përfaqësues të institucioneve dhe të opozitës në Kosovë përshëndetën modifikimin e projekt-rezolutës, që Serbia deponoi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se presioni ndërkombëtar për ndryshimin e projekt-rezolutës e ka sjellë Serbinë në situatë që në momentin e fundit të tërhiqet dhe të pranojë një rezolutë pothuajse të rishkruar.

Jakup Krasniqi


“Në këtë mënyrë Serbia, gradualisht, po bëhet faktor i shtensionimit të situatës në rajon”, tha Krasniqi, duke shtuar se me rezolutën e re të gjithë kanë fituar: BE-ja, Serbia dhe Kosova.

“Këtu nuk ka humbës, të gjithë janë fitues”, theksoi Krasniqi, i cili shprehu bindjen se në përmbajtjen e re, projekt-rezoluta afirmon opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për statusin e Kosovës.


Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, tha se është mirë që Serbia tërhoqi versionin e parë. Ai përjashtoi mundësinë e bisedimeve për statusin e Kosovës.

“Ne kemi qenë gjithmonë dhe jemi të bindur se vullneti i qytetarëve të Kosovës për pavarësi, mendimi i GJND-së do të respektohet dhe në këtë drejtim nuk ka dilema".

Hajredin Kuçi

"Kosova është për bashkëpunim ndërshtetëror me cilindo shtet për fqinjësi të mirë, për bisedime që kanë për rëndësi bashkëpunimin rajonal dhe integrimet evropiane, por nuk do të ketë bisedime për statusin, për çështje të brendshme të Republikës së Kosovës”, deklaroi
Kuçi.

I pyetur nëse Prishtina pranon përmbajtjen e projekt/rezolutës së re, Kuçi tha se institucionet mbesin në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë.


“Ne jemi në koordinim me SHBA-të, me BE-në, dhe çdo rezolutë që reflekton vullnetin e qytetarëve dhe mendimin e GJND-së, ku hapur thotë se pavarësia e Kosovës ka qenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ne jemi në këtë vijë”,
u shpreh Kuçi.


Në tekstin e ri të propozim-rezolutës, Serbia ka hequr dorë nga kërkesat “për të dënuar shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës” dhe për “rifillimin e bisedimeve për statusin e Kosovës”.

Por, zëvendësshefi i EULEX-it, Endrju Sparkes, la të kuptohet se nuk ka përfunduar e tërë puna.
Është gjë e mirë se kemi pajtim për tekstin e rezolutës, por ende nuk kemi arritur harmoni të plotë.


“Është gjë e mirë se kemi pajtim për tekstin e rezolutës, por ende nuk kemi arritur harmoni të plotë. Ka ende punë për të bërë”, theksoi ish-ambasadori britanik në Kosovë, Endrju Sparkes, i cili para pak kohësh u emërua zëvendësshef i EULEX-it.


Ndërkohë, përfaqësues të opozitës në Kosovë, edhe pse e mirëpritën ndryshimin e tekstit të propozim-rezolutës, shprehin rezervat e veta. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, tha se tërheqja është veprim i mençur i Serbisë.

Ahmet Isufi


“Konsiderojmë se tërheqja e Serbisë në momentin e fundit nga rezoluta që e ka parashtruar, ka qenë si shenjë e presionit të bashkësisë ndërkombëtare mbi Serbinë dhe, normalisht, që është pritur ose një nokaut i Serbisë në OKB, ose një tërheqje, prandaj tërheqja është veprim i mençur”, tha Isufi.


Ndërsa, nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, është shprehur se modifikimi i projekt-rezolutës është bërë në atë mënyrë, që asnjëra palë të mos jetë e kënaqur, apo e dëmtuar.

“Serbia nuk mund të vazhdonte me kokëfortësi kundër gjithë komunitetit botëror që e ka mbështetur pavarësinë dhe proceset në Kosovë dhe e kemi ditur që do ta modifikojë rezolutën në atë shkallë, sa të bëhet e pranueshme për komunitetin ndërkombëtar".

Ibrahim Gashi

"Nuk mund të themi se rezoluta është e pranueshme plotësisht, apo e favorshme dhe nuk i ka lënë të kënaqura as palën serbe, as palën kosovare. Ka qenë një trysni e bashkësisë ndërkombëtare për ta bërë atë të pranueshme dhe për të dalë nga ky rreth vicioz në raportet Kosovë-Serbi”, u
shpreh Gashi.

Serbët e veriut të Kosovës i kanë bërë thirrje presidentit serb Boris Tadiq, që të mos lëshojë pe karshi BE-së, e cila në bisedime me Tadiqin, ushtroi trysni për ta ndryshuar projekt-rezolutën.


Propozim-rezolutën e ndryshuar e ka dorëzuar në Asamblenë e Përgjithshme ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq. Asambleja pritet të debatojë mbi dokumentin në fjalë mbrëmjen e së enjtes.
XS
SM
MD
LG