Ndërlidhjet

Rusi, aty ku gratë vazhdojnë të shihen ndryshe


Moskë
Moskë
Në rrugët e Moskës tashmë është e zakonshme të shohësh femra në drejtimin e automjeteve. Madje, duket sikur çdo e dyta makinë në kryeqytetin rus drejtohet nga një femër.

“Ngasja e makinës përbën dhe një hap tjetër përpara drejt pavarësisë së gruas”, thotë moskovitja Lera Lazbina, e cila shton se prej dy vjetësh ka marrë patentën dhe ka makinën e saj.

Gratë pas timonit janë vetëm një nga ndryshimet që vihen re gjatë viteve të fundit në Rusi, ku gratë gjenden gjithmonë e më shpesh në punë që dikur mbaheshin si territore burrash.

Megjithatë, ky ndryshim nuk do të mund të vihet re nëse kemi parasysh qasjen e burrave rusë. Nikolai Mukin është një prej tyre.

“Kur pres te semafori, unë jam i përqendruar në ndryshimin e dritës, por a e dini se çfarë bën një grua shofere? Ajo lyen buzët. Për ato është normale të lexojnë revista derisa janë në timon. Është një sjellje shumë e rrezikshme”, pohon Mukin, sipas të cilit, vetëm burrat duhet të lejohen të ngasin makinën.

Pikëpamja e tij është ajo e shumicës së burrave rusë. Elena Zdravomisllova, sociologe që merret kryesisht me studimet gjinore, thotë se ekziston një sjellje seksiste në shoqërinë ruse, që i ka rrënjët e thella.

“Gratë tashmë bëjnë punë që janë tradicionalisht burrash. Ato ngasin makinat, marrin pjesë aktive në biznes e, megjithatë, opinioni i përgjithshëm i publikut është se truri i femrave është i ndryshëm nga i meshkujve dhe se dallimet psikologjike i pengojnë gratë të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në shoqëri”, thotë Zdravomisllova.

Ollga Allenova mbulon konfliktin në Kaukazin e Veriut si gazetare për gazetën “Kommersant”. Përballja me diskriminimin gjinor është diçka e zakonshme për të.

“Më është refuzuar e drejta që t’iu bashkohem gazetarëve të tjerë në udhëtime në terren apo të shkoj në helikopterë ushtarakë, në bazë të parimit se gratë nuk lejohen. Thjesht, kam mësuar të gjej zgjidhje në situata të tilla”,
thotë gazetarja Allenova.

Patriarkalizmi i thellë i shoqërisë ruse është përgjegjës për një nga sekretet më të errëta të jetës ruse - dhunën në familje. Kjo fare mirë mund të kuptohet në thëniet popullore të tipit “Nëse ai të rreh, të do”.

Statistikat e qeverisë tregojnë se 14 mijë gra vdesin çdo vit në Rusi nga dhuna në familje. Kjo do të thotë se çdo orë vdes një grua nga dhuna e bashkëshortit apo partnerit të saj.

Ndonëse ndryshimet po ndodhin në shoqërinë ruse, ende ajo mbetet larg asaj perëndimore. Sipas ekspertëve, çështjet e barazisë gjinore nuk do të ndryshojnë brenda disa vitesh e madje as brenda një gjenerate. (i.b.)
XS
SM
MD
LG