Ndërlidhjet

Ende punë për demokraci të mirëfilltë


Parlamenti i Kosovës
Parlamenti i Kosovës
Shkalla e demokracisë në Kosovë është në nivelin e një shteti post-konfliktuoz dhe mund të krahasohet me nivelin e demokracisë së vendeve të rajonit, thanë përfaqësuesit e lartë të institucioneve të Kosovës, me rastin e 15 Shtatorit - Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se demokracia në Kosovë nuk është vetëm aspiratë, por është edhe një realitet i ri që po ndërtohet çdo ditë.
Kosova respekton dhe mbron të drejtat e njeriut, të drejtat e pakicave, parimet e demokracisë parlamentare.


“Procesi demokratik po e përshkon gjithë jetën në Kosovë, duke e ndryshuar atë dhe të gjitha fushat e saj: politike, ekonomike, shoqërore, kulturore dhe artistike”.

“Duke mos qenë një akt i vetëm, demokracia përbën proces të vazhdueshëm dhe pa mbarim drejt përsosjes së saj. Kosova respekton dhe mbron të drejtat e njeriut, të drejtat e pakicave, parimet e demokracisë parlamentare”
, tha Krasniqi.


Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se niveli i demokracisë në vend mund të krahasohet me atë të shteteve të rajonit. Sipas tij, në Kosovë ekzistojnë mekanizma vendorë dhe ndërkombëtarë që synojnë të zhvillojnë një demokraci të mirëfilltë.
Hajredin Kuçi


“Shkalla e demokracisë është në nivelin e një vendi post-konfliktuoz dhe tranzicional që është, besoj më shumë, apo dukshëm më mirë sesa vendet e rajonit, por me ambicie që të kemi një zhvillim edhe më të gjerë të saj. Në këtë drejtim ka gatishmëri dhe ka mekanizma edhe vendorë edhe ndërkombëtarë”,
theksoi Kuçi.

Por, përfaqësuesit e partive politike opozitare konsiderojnë se niveli i demokracisë në Kosovë, edhe 11 vjet pas luftës, ende është në hapat e parë të ngritjes.


Deputeti dhe ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se demokracia në vend është ende, siç u shpreh ai, në një “mjegull”.

“Në këto 7-8 vjet, demokracia nuk ka ecur shumë përpara, ka mbetur të hapat e parë. Ende sillet dhe mbështillet te parimet më elementare të demokracisë, ende janë të mjegulluara çështje si zgjedhjet, për shembull; votimi i lirë ende është i mjegulluar”
, u shpreh Kosumi.

Kosumi përmendi disa raste ku ka shkelje të demokracisë në Kosovë.
Bajram Kosumi


“Ka shumë, marrëdhënie Qeveri – Kuvend, ku Qeveria nuk ka shumë nevojë për Kuvendin. Roli i Kuvendit është shumë i zbehur, jo për shkak të të mospunës së tij, siç po interpretohet nganjëherë, por për shkak të pamundësisë për të pasur një rol”.


“Kjo, sepse Qeveria aktuale përbën shumicën absolute edhe cilindo ligj; edhe ligjin më të keq, më të mbrapshtë në botë mund ta kalojë në Kuvend pa asnjë problem. Pa demokraci të vërtetë nuk ka Kosovës stabile dhe unë, si individ, si qytetar i Kosovës dhe si luftëtar qe 30 vjet për lirinë dhe demokracinë e Kosovës, nuk e ndiej misionin tim të përfunduar nëse demokracia në Kosovës nuk është e instaluar si duhet”, tha Kosumi.

Edhe Rita Hajzeraj, nënkryetare e Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re, tha se që pas shpalljes së pavarësisë, Kosova dhe institucionet e saj do të duhej të ishin më demokratike. Sipas Hajzerajt, demokracia në Kosovës vazhdon të jetë e zbehtë.
Konsideroj që demokracia në vendin tonë ende është e zbehtë dhe nuk mendoj që është në nivelin e duhur.


“Konsideroj që demokracia në vendin tonë ende është e zbehtë dhe nuk mendoj që është në nivelin e duhur. Ne e kuptojmë që shteti është në tranzicion dhe duhet bërë shumë për ta rritur nivelin e demokracisë, e cila zbatohet në Evropë dhe në botë, por duhet të ndërrojë mentaliteti qeverisës”,
nënvizoi Hajzeraj.

OKB shpalli 15 shtatorin Ditë Ndërkombëtare të Demokracisë dhe ftoi të gjitha shtetet anëtare, organizatat joqeveritare dhe individët të festojnë Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë me qëllim të ngritjes së vetëdijesimit të publikut.
XS
SM
MD
LG