Ndërlidhjet

Personat me aftësi të kufizuara - jo të barabartë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Personat me aftësi të kufizuara në Kosovë përballen me shumë vështirësi, por infrastruktura rrugore është pengesë që këtë kategori të shoqërisë po e mundon shumë, thotë Afrim Maliqi, ushtrues detyre i drejtorit të Handikos-it.

Sipas tij, personave me aftësi të kufizuara nuk u jepet hapësirë sa duhet dhe ata nuk ndihen të barabartë në shoqëri.

“Ne e kemi Ligjin, i cili përfshin edhe ndërtimin dhe udhëzuesin administrativ për kushtet teknike të objekteve për persona me aftësi të kufizuara qysh në vitin 2007. por ai nuk po zbatohet. Ka disa lëvizje të vogla në disa objekte, por në infrastrukturë rrugore Ministria e Transportit nuk po e zbaton këtë”,
thotë Maliqi.

Pavarësisht realizimit të disa projekteve nga ana e institucioneve të vendit, kërkesat për personat me aftësi të kufizuara, janë ende mjaft të mëdha.

Memli Krasniqi, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës, thotë se Qeveria e Kosovës ka marrë një sërë masash sa i përket përmirësimit të gjendjes dhe mundësive të personave me aftësi të kufizuara.

”Sa i përket infrastrukturës rrugore dhe qasjes në objekte, tashmë janë implementuar disa projekte dhe do të realizohen edhe të tjera. Do të bëhet adaptimi i objekteve rrugëve, apo edhe i objekteve tjera të rëndësishme për qasje nga ana e personave me aftësi të kufizuara”,
bën të ditur Krasniqi.

Por, Maliqi thotë se personat me aftësi të kufizuara ballafaqohen me probleme infrastrukturore duke filluar prej rrugës, shkollës, objekteve institucionale, atyre mjekësore dhe, në një mënyrë, janë të përjashtuar prej shoqërisë dhe nuk janë të barabartë me të gjithë qytetarët e Kosovës.

”Kjo normalisht që pengon dhe shkakton probleme, sidomos në universitete shkolla etj., dhe nuk kanë mundësi t’i realizojnë nevojat e veta si çdo qytetar tjetër. Prandaj, kjo është edhe arsyeja pse kjo kategori e shoqërisë shumë pak shihet në rrugë”,
thekson Maliqi.

Zëdhënësi Krasniqi thotë se kanë pasur një partneritet të mirë me personat me aftësi të kufizuara, por kërkesat e tyre janë të mëdha, të cilat, sipas Krasniqit, do të realizohen në vazhdimësi.

Duke i pasur parasysh vështirësitë rreth kujdesit për personat me aftësi të kufizuara, në Kosovë ekziston Ligji për përkrahje materiale të këtyre familjeve.

Sipas zyrtarëve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, 20,500 persona me aftësi të kufizuara marrin ndihmë nga kjo ministri, si dhe fëmijët me aftësi të kufizuara deri në moshën 18-vjeçare, përkrahen financiarisht me një shumë prej 100 eurosh në muaj.
XS
SM
MD
LG