Ndërlidhjet

Politikat ditore në raportet ndëretnike


Pamje nga Shkupi

Pamje nga Shkupi



Regullativa ligjore është një bazë e mirë, por ajo vetvetiu nuk është e mjaftueshme për sendërtimin e raporteve të mira ndëretnike, pa inkuadrimin e institucioneve përkatëse të pushtetit qendror dhe atij vendor.

Kështu theksohet në hulumtimin e UNDP-së në bashkëpunim me Sekretariatin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, që ka të bëjë me kapacitetet e institucioneve të pushtetit vendor, për të tejkaluar dallimet dhe situatat konflikuoze në komunat me popullsi të përzier.

Vesna Xhuntevska, nga UNDP-ja, thekson se bashkëpunimi mes politikë-bërësve dhe sektorit civil është një hallkë e pashmangshme për ndërtimin e një shoqërie tolerante me vlera demokratike.

“Zgjidhja e kontesteve ndëretnike kryesisht adresohet ndaj liderëve politikë dhe kryetarëve të komunave dhe jo komisioneve përkatëse në kuadër të pushtetit vendor, ku zgjidhja e tyre mund të rezultojë më me sukses dhe do të jetë e përhershme dhe jo sipas interesave të politikës ditore”,
thekson Vesna Xhuntevska nga UNDP-ja.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Abdulhaqimim Ademi, drejtues i Sekretaritait për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, vlerëson se marrëdhëniet e shëndosha ndëretnike janë me interes jetik për Maqedoninë në rrugëtimin euro-atlantik.

“Konstatim i përbashkët është se ka përmirësim të raporteve ndëretnike, megjithëse ato nuk janë në nivelin e dëshirueshëm dhe mbetet ende punë për të bërë. Veçanërisht duke filluar nga komisionet komunale për raportet ndëretnike, të cilat fatkeqësisht ende nuk janë të vetëdijshme për rolin që e kanë”
, thotë Ademi.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, i cili është përfshirë në projektin në fjalë, thekson se incidentet ndëretnike mes nxënësve të shkollave të mesme, gjenerohen nga politika.

“I gjithë pluhuri që ngrihet rreth marrëdhënieve të këqija ndëretnike në arsim apo jetën e përditshme në Strugë, janë insinuata dhe ato kryekëput janë të motivuara politikisht, sidomos gjatë fushatave parazgjedhore”,
thekson Merko.

Ndërsa, përfaqësuesit e sektorit civil janë të një zëri se përfshirja e organizatave joqeveritare mund të ndihmojë shumë në kapërcimin e dallimeve mes etniteteve.

Stefan Manevski nga Qendra për Dialog Interkulturor në Kumanovë, vlerëson se shqiptarët dhe maqedonasit për fajin e politikanëve jetojnë njëri pranë tjetrit, por jo bashkërisht.

“Gjatë hulumtimit në komunën e Kumanovës vërejtëm se institucionet vendore, pavarësisht rregullativës ligjore, janë shumë pak të inkuadruara në kapërcimin e dallimeve ndëretnike”,
thekson Manevski.

Më tutje Manevski nënvizon se qytetarët janë shumë pak të informuar për mundësinë që të kërkojnë ndihmë nga komuna, kur bëhet fjalë për diskriminimin ndëretnik.

Por, Bekim Hoxha, nga Lëvizja qytetare “Zgjohu”, thotë se dikasteri i arsimit jo rrallëherë ka provokuar përkeqësimin e raporteve ndëretnike me vendimet që të mësohet gjuha maqedonase nga nxënësit shqiptarë që nga klasa e parë, tekstet shkollore me të pavërteta për historinë dhe kulturën shqiptare, si dhe mosndarjen në mënyrë proporcionale të mjeteve financiare për investime edhe në shkollat shqipe.

“Zakonisht, fëmijët janë viktima të politikave të gabueshme që udhëhiqen në shtetin e Maqedonisë. Nëse fokusohemi në arsim, me plot të drejtë mund të themi se në dikasterin e arsimit në Maqedoni, ekziston një dezorganizim i plotë që shkakton skandal pas skandali”,
shprehet Hoxha.

Ndërkaq, në bazë të rekomandimeve të komunitetit ndërkombëtar, Qeveria e Maqedonisë, në bashkëpunim me UNDP-në, kanë intensifikuar një varg aktivitetesh për përforcimin e dialogut ndëretnik dhe krijimin e mirëbesimit mes dy etniteteve më të mëdha në Maqedoni - shqiptarëve dhe maqedonasve, si një nga shtyllat kyçe për integrimin e Maqedonisë.
XS
SM
MD
LG