Ndërlidhjet

logo-print

Disidenti kinez, laureat i Çmimit Nobel për Paqe


Disidenti Liu Xhiaobo

Disidenti Liu Xhiaobo

Disidenti i burgosur kinez, Liu Xhiaobo, e ka fituar sot Çmimin Nobel Për Paqe. Zgjedhja e zotit Liu u bë vetëm disa ditë, pasi Kina i kishte tërhequr vërejtjen Komitetit Norvegjez të Nobelit kundër dhënies së këtij çmimi veprimtarit për demokraci.


Çmimi Nobel për Paqe i është dhënë disidentit të burgosur kinez, Liu Xhiaobo, i cili konsiderohet njëri nga zërat udhëheqës për ndryshime demokratike në Kinë.

Shpalljen e fituesit të çmimit në Oslo e bëri Kryesuesi i Komitetit Norvegjez të Nobelit, Thorbjoern Jagland.

“Komiteti Norvegjez i Nobelit, ka vendosur ta nderojë me Çmimin Nobel për Paqe, për vitin 2010, Liu Xhiaobo, për betejën e tij të gjatë dhe të padhunshme për të drejtat fundamentale të njeriut në Kinë”, tha kryesuesi Jagland.

Disidenti 54 vjeçar Liu, profesor universitar dhe shkrimtar, gjatë karrierës së tij ka ftuar për reforma të gjëra politike në Kinë, përfshirë të drejtën për liri të të shprehurit, për besim fetar dhe për tubim. Ai ishte arrestuar pas publikimit të një dokumenti në vitin 2008, ku kërkoheshin reforma politike në Kinën me regjim komunist.

Ky dokument ishte nënshkruar nga më se 300 intelektualë, akademikë dhe shkrimtarë kinezë.

Ai u arrestua pak kohë pas publikimit të këtij dokumenti dhe tash gjendet në burg, i dënuar me 11 vjet, për akuza se ka nxitur përmbysjen e shtetit. Nuk është e qartë se a është i informuar zoti Liu se e ka fituar Çmimin Nobel për paqe.

Kina e ka denoncuar këtë vendim. Ministria e jashtme e këtij vendi nëpërmjet një kumtese, e ka quajtur zotin Liu “kriminel” dhe ka thënë se zgjedhja e tij paraqet “blasfemi” për parimet e çmimit për paqe.

Më herët, Kina ua kishte tërhequr vëretjen zyrtarëve të Nobelit se dhënia e çmimit për Liu Xhiaobon do të mund t'i dëmtonte raportet ndërmjet Pekinit e Oslos.

Përkundër kësaj, kryeminsitri i Norvegjisë, Jens Stoltenberg, i uroi zotit Liu marrjen e çmimit.

Ky zhvilim u mirëprit pothuajse çdokund. Në rajonin administrativ kinez të Hongkongut, i vetmi rajon në tokën kineze ku mund të ketë demonstrata anti-kineze, afro 20 anëtarë të Partivë Civile pro demokratike, kaluan afër ndërtesës, që de facto është ambasadë kineze, duke kërkuar lirimin e Liut.

Franca, Gjermania dhe grupi kryesor opozitar në Tajvan gjithashtu kanë kërkuar nga zyrtarë kinezë ta lirojnë Liun, që ai të mund të shkojë personalisht ta marrë çmimin.

Kryesuesi i Komitetit Nobel Jagland, tha se zoti Liu kishte argumentuar se dënimi i tij paraqet shkelje të kushtetutës së Kinës dhe të drejtat fundamentale njerëzore.

Vendimi kundër Liut ishte dënuar ndërkombëtarisht.

Zyrtari në ambasadën amerikane në Pekin, Gregory May, e kishte kritikuar dënimin.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara është thellë e shqetësuar për dënimin me 11 vite burgim në rastin e aktivistit të njohur kinez për demokraci, Liu Xhiaobo, nën akuzat për nxitje të përmbysjes së forcës së shtetit. Dënimi i individëve për shprehjen e lirë dhe paqësore të pikëpamjeve politike është i papajtueshëm me normat e pranuara ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Zoti Liu punoi për krijimin e proceseve demokratike në Kinë”, pati thënë Gregory May.

Bashkëshortja Liu Xhia, pat thënë se dënimi i burrit të saj ishte çmimi i luftës për dinjitet. (f.b.)
XS
SM
MD
LG