Ndërlidhjet

logo-print
Sulmet ndaj stafit shëndetësor në Qendrën Klinike Universitare (QKU) në Prishtinë nuk janë të rralla. Sipas mjekëve, sulmet e tilla fizike janë të patolerueshme. Ata kërkojnë mbrojtje institucionale.

Basri Lenjani, drejtor i Klinikës Emergjente, aktet e tilla i quan të shëmtuara dhe të patolerueshme.

”Në qendrën emergjente, rastet e tentimit të goditjeve, sharjeve, fyerjeve, ofendimeve, janë traditë e zakonshme. Sulmi ndaj mjekëve është një ngjarje e shëmtuar dhe të gjithë mjekët e dënojnë një akt të tillë. Pavarësisht angazhimeve të mëdha që kemi, ne kemi arritur t’i ndalojmë rastet e tilla falë edhe Policisë së Kosovës. Ne do të kërkojmë mbrojtje institucionale”, thotë Lenjani për Radion Evropa e Lirë.

Por, sipas disa pacientëve, sulmet fizike ndodhin për shkak se, siç thonë ata, shpeshherë injorohen nga stafi mjekësor.

Liridon Berisha, pacient, thotë se nëse nuk e ke një mjek të njohur në klinikë, asnjëri nga stafi mjekësor nuk merret me pacientin në fjalë. Andaj, sipas tij, sulmet fizike zakonisht ndodhin nga familjarët e pacientit.

Berisha i takon vetë një familjeje të tillë, një pjesëtar i së cilës ka sulmuar njërin nga mjekët. Ai shpreh keqardhje për këtë që ka ndodhur dhe thotë se sherri ka plasur për shkak të neglizhencës së stafit mjekësor.

”Ndoshta ka gabuar që e ka sulmuar, por ndonjëherë edhe mjekët janë fajtorë. Ata, jo gjithherë, të presin mirë, por ne kemi nevojë për ta. Këtu bëhen dallime... Nëse nuk ke të njohur, nuk të këqyrin me sy”, shprehet pacienti Liridon Berisha.

Por, Avdush Kastrati, mjek në Qendrën Emergjente, thotë se klinika ku ai punon, është gjithmonë në shënjestër të sulmeve fizike, kryesisht nga familjarët e pacientëve.

Sipas Kastratit, puna që kryhet në Qendrën Klinike Universitare është një punë e shkëlqyer dhe me shumë përkushtim, andaj sulmet e tilla, sipas tij, janë të patolerueshme.

”Mund të them se Qendra Emergjente është e atakuar nga sulmet ndaj stafit shëndetësor. Në dhomën e rianimimit kemi vetëm 7 shtretër... Pacientët që vijnë të kërkojnë ndihmë, janë të përcjellë me familjarë dhe ne vende nuk kemi - aty lind sherri dhe ata janë shumë agresivë”, tregon Kastrati.

Sipas Kastratit, familjarët e pacientëve janë ata që kërkojnë brenda një kohe të shkurtër të kurohet gjithçka.

”Një politraumë nuk mund të trajtohet në kohë të shkurtër, kërkon kohë, e familjarët sulmojnë fizikisht, derisa sharjet janë rutinë, janë të zakonshme. Këtu vërtet punohet, por si shpërblim i kemi sharjet, kërcënimet prej familjarëve të pacientëve”, thotë Kastrati.

Ndërkaq, Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës në Qendrën Klinike Universitare, thotë se sulmi ndaj mantel-bardhëve duhet të sanksionohet me ligj.

”Sulmi ndaj nesh (stafit mjekësor) duhet të konsiderohet si vepër penale. Nuk pretendoj se doktorët janë shenjtorë, por kemi një mision human. Kërkoj që doktorët të jenë të mbrojtur në mënyrë institucionale, për të qenë të gatshëm që të ofrojnë shërbime për popullin tonë”, thekson Selmani.

Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se dhuna ndaj stafit shëndetësor është e papranueshme, e në veçanti kur ajo ushtrohet në vendet e punës. Ministria u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë respekt për punën që bëjnë mjekët.

”Vitin e fundit ka pasur raste kur mantel-bardhët kanë qenë pre e sulmeve fizike, por QKU-ja ka kompetencë të angazhojë sigurim e pastaj të merret policia dhe gjyqësia me rastet e tilla”, thotë zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.

Mantel-bardhët, ditë më parë, kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj këtij fenomeni, duke mbajtur një protestë para objekteve ku punojnë.

Ata kanë kërkuar mbrojtje institucionale, duke paralajmëruar masa radikale nëse kjo mbrojtje mungon, por duke mos sqaruar njëkohësisht se cilat do të ishin këto masa.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG