Ndërlidhjet

logo-print

Vlerësimi i KQZ-së përcakton datën e zgjedhjeve


Pamje nga arkivi

Pamje nga arkivi

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se nga konsultimet me partitë politike, është arritur një konsensus që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në fillimin e vitit të ardhshëm.

Krasniqi tha se javën e ardhshme do të dihet saktë data e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.

“Mund të them se konsultimet me partitë politike kanë përfunduar. Ka mendime të ndryshme, por ka mbetur që unë të konsultohem edhe një herë me Komisionin Qendror Zgjedhor dhe me ndonjë ekspert të zgjedhjeve, se sa kohë duhet nga dita e votimit deri te dita e konstituimit të Kuvendit dhe të institucioneve të tjera, që dalin nga zgjedhjet”.

“Shpresoj shumë që gjatë javës së ardhshme, më së largu deri kah fundi i javës, do t’i përmbyllim të gjitha konsultat dhe do të dihet data e zgjedhjeve”,
u shpreh Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Presidenti në detyrë tha se gjysma e parë e muajit shkurt do të ishte koha më e mirë për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Parimisht, kemi arritur një lloj marrëveshjeje, një lloj konsensusi që në këtë vit të mos ketë zgjedhje, që zgjedhjet të mbahen nga fillimi i muajit shkurt, apo siç është propozimi kah marsi, por do të shohim...”, theksoi Krasniqi.

Muajin shkurt apo mars - si kohë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme - e përkrah edhe opozita. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, tha se në këtë mënyrë, edhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i mbetet kohë e mjaftueshme për të organizuar zgjedhje të lira e demokratike.

“Në bazë të konsultës që kemi pasur të premten e kaluar, mund të them fare hapur se shumica absolute e subjekteve politike, 11 prej 15 sosh, janë prononcuar që zgjedhjet duhet të mbahen në fund të shkurtit apo në fillim të marsit”.

“Këto zgjedhje duhet të jenë të lira, demokratike dhe të organizohen sa më mirë që të jetë e mundur, andaj dhe KQZ-së i duhet kohë. Edhe moti në fund të shkurtit apo në fillim të marsit mund të jetë shumë më i mirë sesa ai i fillimit të dimrit”,
u shpreh Shala.

Edhe po qe se zgjedhjet mbahen në muajin mars, Shala nuk sheh pengesa për konstituimin e institucioneve shtetërore e as për ushtruesin e detyrës së presidentit.

“Mendoj se ka kohë të mjaftueshme prej ditës së zgjedhjeve. Për shembull, sikur ato të mbaheshin më 6 mars, deri më 28 mars - kur i skadon mandati ushtruesit të detyrës së presidentit të vendit - do të kishte kohë të bollshme që të certifikohen zgjedhjet, të konstituohet Kuvendi dhe të zgjidhen institucionet më të larta të vendit”, tha Shala.

Shumë subjekte politike kanë kërkuar fillimisht reforma zgjedhore para se të shkohet në votimet e ardhshme. Madje, zyrtarë të AAK-së kanë kritikuar ushtruesin e detyrës së presidentit, duke thënë se ai po vonon edhe shpalljen e datës së zgjedhjeve për komunën e Rahovecit.

Lexoni edhe këto:
Në pritje të zgjedhjeve
Mospajtime rreth pragut zgjedhor
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG