Ndërlidhjet

Bukoshi: LDK të reformohet ose shkon në greminë


Bujar Bukoshi
Bujar Bukoshi
"Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të hapet, sepse ishte e mbyllur gati hermetikisht”, thotë Bujar Bukoshi nga LDK-ja, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bukoshi, ju keni shpallur kandidaturën për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke u zotuar se do ta ringjallni atë. Si mendoni ta bëni këtë?

BUJAR BUKOSHI
Unë mendoj se predispozitat që Lidhja Demokratike e Kosovës të ringrihet, të ringjallet dhe të modernizohet, natyrisht përmes reformave, dhe të dalë fituese në zgjedhjet e ardhshme, janë prezente. Çështja është se si të arrihet kjo...

Ne jemi të vetëdijshëm me sfidat që i ka kjo parti. Kemi vizionin se si ta përmirësojmë situatën në Lidhjen Demokratike të Kosovës, si t’i zgjidhim problemet... Kemi edhe plane veprimi se si do t’ia dalim mbanë me këto zgjidhje të problemeve.

Është një histori relativisht e gjatë. Ju përkujtoj se prej kuvendit të fundit (dhjetor, 2006), Lidhja Demokratike e Kosovës, për fat të keq, pësoi një goditje të madhe, me një çarje gati përgjysmë të partisë. Pastaj, i humbi dy palë zgjedhje dhe jemi ku jemi.

Tani nuk ka kohë për të vajtuar, por janë predispozitat që tani kjo parti të marrë veten dhe të kthejë namin e saj, thjesht duke u bazuar në ato vlera, me të cilat kjo parti, kjo lëvizje atëherë, është themeluar.

RADIO EVROPA E LIRË
Djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova, zoti Ukë Rugova, që është aktivizuar në politikë, është deklaruar në formë krejt transparente se mban anën e juaj. Ç’do të thotë kjo mbështetje për ju?
BUJAR BUKOSHI
Kjo mbështetje është shumë domethënëse. Në rend të parë, është domethënëse sepse jep mesazhe se ajo që ne po e pllakatojmë – në esencën që kjo Lidhje Demokratike e Kosovës duhet të hapet, sepse ka qenë hermetikisht gati e mbyllur – është se duhet të ketë prurje të reja, njerëz të rinj.

Zoti Ukë Rugova është i ri dhe ka shprehur gatishmërinë e tij të fuqishme që të angazhohet plotësisht në LDK, por jo duke u katapultuar. Para dy ditësh, ai ka qenë prezent në aktivin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe aty ka paraqitur qëllimin e tij që të hyjë në politikë.

Nga ana tjetër, natyrisht edhe emri flet – jo në sensin folklorik apo manipulativ, por është i biri i presidentit Ibrahim Rugova. Vetë formimi i tij në atë klimë, në atë atmosferë, flet për predispozita të mira, të cilat në të ardhmen natyrisht do të dëshmohen – pra, performancat që ai do t’i sjellë në këtë parti.

Domethënë, kjo do të jetë edhe një lloj thirrjeje do ta quaja edhe për gjeneratën e tij, për kolegët, djemtë, vajzat, që janë të interesuar të angazhohen dhe të japin kontributin e tyre me ekspertizën, vrullin rinor etj.

Me fjalë të tjera, për mua është një lajm i mirë. Është kënaqësi të kesh një përkrahje të tillë, e cila ka qenë shumë e qartë, pa kurrfarë bishtnimi - thjesht është bërë me dijen se pikërisht po fillon ringjallja e Lidhjes Demokratike të Kosovës.


Nuk do të ketë ndarje në LDK


RADIO EVROPA E LIRË
Një personalitet tjetër me ndikim në LDK, zoti Isa Mustafa, deri më tash nuk është deklaruar në formë të prerë nëse do të kandidojë për kryetar të Lidhjes Demokratike ose nëse do të mbështesë kandidaturën e juaj ose të zotit Sejdiu. A mund të jetë zoti Mustafa, kushtimisht të them, rryma e tretë në LDK apo mendoni se ai do t’ju bashkohet juve ose zotit Sejdiu?

BUJAR BUKOSHI
Pikësëpari, nëse më lejoni, do të korrigjoja këtë punën e rrymave të treta, të dyta, të para... Interesi i LDK-së nuk është që të krijohen rryma, aq më pak rryma përplasëse, por, përkundrazi, LDK-ja ka nevojë për t’u hapur.

Tani jemi në një proces zgjedhor brenda LDK-së dhe të gjithë ata që mendojnë, duan dhe dinë të japin kontributin në LDK, janë të mirëseardhur. Unë mendoj se nuk ka rryma dhe nuk do të ketë rryma - po mendoj në sensin negativ - por do të ketë persona, të cilët japin kontributin e tyre.

Zoti Isa Mustafa është njëri prej tyre që ka çfarë të japë, mund të sjellë prurje në këtë parti. Ai po ashtu ka deklaruar se nuk do të mbajë anën e njërit kandidat apo kandidatit tjetër. Siç e dini, për momentin, janë dy kandidatë që kanë paralajmëruar se do të kandidojnë, do të jenë kandidatë për të udhëhequr LDK-në.


Tendencat e manipulimit


RADIO EVROPA E LIRË
Lidhja Demokratike e Kosovës u nda në dysh në vitin 2006, pas kuvendit që pati mbajtur. Disa thonë se fushata aktuale që po zhvillohet midis jush dhe kryetarit aktual të LDK-së, Fatmir Sejdiu, mund ta thellojë këtë ndarje. A mendoni ju kështu? Në përgjithësi, çfarë mendoni rreth këtyre botëkuptimeve?

BUJAR BUKOSHI
Pikësëpari, kjo trauma e ndarjes që unë e përmenda edhe në fillim, natyrisht persiston edhe në kokat e disave, që për të pasur ndoshta edhe një alibi më tutje për t’i bllokuar proceset e pandalshme, thirren në këtë traumë.

Unë ju siguroj dhe pandërprerë do të siguroj, deri në fund të kësaj gare, se nuk do të ketë më ndarje, sepse formula është shumë e thjeshtë – është një proces zgjedhor në LDK, e cila e ka një traditë, i ka ato vlerat e mëhershme – që ka qenë tolerante, ka pasur një dialog, leje për t’u shprehur mendime të ndryshme.

Ky proces zgjedhor duhet të shkojë mbarë, duhet të shkojë qetë dhe duhet të udhëhiqet me përgjegjësi, pikërisht edhe për shkak të sensitivitetit, edhe të kohës, e cila tani po na bën presion për shkak të zgjedhjeve të dyfishta do të thosha – edhe për zgjedhjet që po na presin në pranverë.

Unë ju siguroj se, sa i përket kandidaturës sime, unë e kam filluar dhe u përmbahem rregullave të lojës së një partie demokratike, e cila natyrisht është edhe e vetëdijshme, edhe e përgjegjshme që procesi të shkojë mbarë.

Unë prej fillimit kam paralajmëruar se, nëse procesi shkon mbarë, cilido kandidat që do të fitojë, atij kandidati do t’i urohet ai post dhe të gjithë do të rreshtohen pas tij. Kjo është kredoja ime.

Jam kundër manipulimit të procesit zgjedhor, që do të çonte pastaj në degjenerim të tërë procesit dhe do t’i bënte dëme LDK-së, por edhe vendit në përgjithësi – Kosovës.

Kam brenga se procesi ka një tendencë të shkojë në atë drejtim, sepse po konstatojmë se në terren janë duke u përdorur metoda të papranueshme për një LDK dhe për këtë vend, duke abuzuar postet dhe duke dhënë direktiva, obstruksione etj. Unë edhe një herë bëj thirrje për një garë fer. Kjo është një garë brenda partisë, nuk është luftë dhe nuk duhet të ketë kurrfarë tensionesh.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bukoshi, do të ndërlidhem me këtë çështje... Ka pasur raportime nga shtypi se në dy aktive, takimet parazgjedhore janë ndërprerë. Madje, shtypi ka raportuar edhe për përleshje. Qëndron kjo?

BUJAR BUKOSHI
Nga terreni ka lajme që ju i përmendët, por edhe të ngjashme, të cilat ngrenë shqetësimet tona. Kjo nuk duhet lejuar.

Më lejoni tani të them - pa dashur të paragjykoj apo të tensionoj edhe më tutje këtë klimë që po ka tendencë të marrë njëfarë kahu të palakmueshëm - se kjo është pikërisht rezultat i sjelljes shumë të prapambetur do të thosha, me ato klishetë e vjetra, sipas motos që me direktiva të bëhen punët, ose të bllokohen njerëzit të shkojnë aty, të shprehin mendimet, të bëhet debati, të propozohen kandidatët për delegatë, që mos të monopolizohet e drejta e një kryetari të LDK-së për shembull që ai ta bëjë listën dhe ta imponojë atë sipas metodave shumë të vjetruara, që na përkujtojnë në kohërat e kaluara të sistemit komunist.

Si mund të pritet pastaj përtëritja e LDK-së me këto metoda, të cilat janë absolutisht të papranueshme?!

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo se Lidhjes Demokratike të Kosovës vërtet i duhet një reformim i brendshëm?

BUJAR BUKOSHI
Reformim absolut dhe pa këtë nuk mund të imagjinohet. Me këtë LDK që kemi ne, kjo parti do të shkojë në greminë. Kjo parti nuk mund të ketë ditë të mira nëse vazhdohet me këtë.

Përkundrazi, duhet të hapet dhe pa kurrfarë kompleksi të bëhet kjo garë e ndershme, të mos krijohen tensione dhe anime nëpër degë, nëpër aktive, sepse kjo fuqi vjen vetëm nga baza, jo nga struktura më të larta që të jepen direktiva nga qendra, nga Prishtina, nga kryetari i LDK-së apo nga anëtarët e kryesisë, politikanë apo grupe interesi...

Ne jemi të vetëdijshëm se ato janë probleme. Por, kësaj radhe, situata është aq e ndjeshme saqë pastaj do të duhej ta merrte përgjegjësinë ai që i ka nxitur këto procese negative.

Unë publikisht e marr përsipër që nga ana ime të mos ketë as më të voglin (ndikim), as në mënyrë direkte, as indirekte, që të nxiten këto fenomene që nuk çojnë askund.

Bëj thirrje që procesi të shkojë qetë, me një tolerancë, që njerëzit të shprehen, të vijnë, të vijnë anëtarët e LDK-së, simpatizuesit, ata që e duan LDK-në, ata që e kanë votuar. Pra, në këtë sens, të hapet edhe vetë procesi, jo të monopolizohet, të bllokohet ose të bunkerizohet partia.


Inferioriteti i LDK-së në koalicionin qeverisës


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bukoshi, ju jeni ministër në koalicionin aktual të partisë suaj dhe të Partisë Demokratike të Kosovës. Si e vlerësoni ju këtë koalicion nga koha e formimit të tij e deri më sot?

BUJAR BUKOSHI
Mendoj se edhe ju e dini historinë e këtij koalicioni, i cili është bërë atëherë me arsyetimin që e ka pasur, edhe pse brenda LDK-së nuk ka pasur konsultime apo debate rreth kësaj. Është bërë gati-gati në mënyrë arbitrare, por tani ajo është histori.

Ky koalicion ka funksionuar në një masë. Në kuadër të këtij koalicioni Lidhja Demokratike e Kosovës e ka pasur reprezentimin e saj shumë inferior, ka qenë një lloj vetënënshtrimi i saj, nuk ka qenë një koalicion i madh në kuptimin e plotë të fjalës.

Tani aktualisht kemi problemin e përfaqësimit të Lidhjes Demokratike në këtë koalicion, duke i dhuruar tani p.sh. PDK-së edhe postin e presidentin pas dorëheqjes së zotit Sejdiu - që ndodhi si pasojë e shkeljes së Kushtetutës, do të thosha për interesa personale, me mbajtjen e atyre dy posteve. Me fjalë të tjera, u fut i gjithë vendi në krizë, i është sjellë dëm kolosal LDK-së.

Dhe, tani kemi punë të dyfishtë do të thosha, sepse ka qenë një dorëheqje e pajustifikueshme, që shkakton zgjedhjet e parakohshme, ku Lidhja Demokratike e Kosovës futet në një lloj disavantazhi.

Shtrohet një pyetje e thjeshtë – si mund të kërkohet tani për shtyrje të zgjedhjeve nga i njëjti person, i cili me vendimin e tij personal ka shkaktuar zgjedhjet e parakohshme. Këto tani e cenojnë LDK-në, ushtrojnë një ndikim mjaft negativ në procesin e brendshëm zgjedhor të LDK-së, është gjithçka në njëfarë lufte me kohën etj.

Kur të gjitha këto mblidhen, pastaj duhet me mençuri të vihen prioritetet, të kryhet procesi zgjedhor brenda LDK-së dhe të përgatitemi shpejt e shpejt për zgjedhjet që na presin – zgjedhjet parlamentare.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili do të ishte sipas jush skenari më i pranueshëm sa u përket zgjedhjeve të parakohshme parlamentare? E bëj këtë pyetje, duke pasur parasysh se partitë politike ende nuk kanë arritur marrëveshje rreth kësaj çështjeje...

BUJAR BUKOSHI
Nuk kanë arritur marrëveshje. Të gjitha partitë politike tani janë në një qorrsokak, për shkak se janë limitet kohore, të cilat i dikton Kushtetuta. Nuk ka arbitraritete, nuk mund të thuhet ‘ta shtyjmë problemin sepse në Shëngjergj vijnë ditë më të mira’.

Janë limitet kohore – në kuadër të tyre duhet të respektohen normativat e Kushtetutës. Kushtetuta nuk bën të shkelet më në asnjë moment, në asnjë rrethanë, sepse jemi bërë gazi i dheut duke shkelur Kushtetutën – një shtet i ri, i cili tentonte një progres.

Partitë politike, subjektet politike duhet urgjentisht të merren vesh - është interesi i vendit në pyetje, nuk është më punë e interesave vetëm partiake. Me një konsensus të shpejtë dhe pa kurrfarë bishtnimesh, të caktohet data.

Ma merr mendja se, siç është paralajmëruar, gjatë kësaj jave saktësohet data e zgjedhjeve dhe pastaj t’i përvjelim mëngët dhe secili ta kryejë punën e vet.


S'ka bisedime pa SHBA-të



RADIO EVROPA E LIRË
Është edhe një temë tjetër që e preokupon vëmendjen e opinionit kosovar – bisedimet për çështje teknike me Serbinë. Ka zëra që thonë se procesi i bisedimeve mund të pengojë procesin e njohjeve, disa të tjerë thonë se ato duhet të fillojnë pas zgjedhjeve në Kosovë, ndërsa Beogradi kërkon që ato të mbahen para zgjedhjeve. Si e shihni ju këtë çështje?

BUJAR BUKOSHI
Kjo çështje, edhe ashtu komplekse, tani në mënyrë aditive u ndikua edhe nga kjo gjendje, që u krijua pa dashjen e Kosovës si vend. Kjo është një çështje serioze, mjaft sensitive, me histori të gjatë dhe të mërzitshme, me një status-quo të padurueshme.

Unë do të thosha që në rend të parë, kur flitet për këto bisedime apo negociata, si të doni t’i quajmë, (duhet të kemi parasysh) që është një proces i rëndë, ku ne jemi duke u ballafaquar me qëndrimin obstruktiv të mëtutjeshëm të politikës serbe dhe po ashtu me një koncept jo fort të qartë nga ana e Brukselit që kërkon këto bisedime.

Prandaj, ilaçi i domosdoshëm është që ne të kemi prezencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces. Pa këtë, gjithçka është e dënuar të dështojë.

Ne nuk kemi frikë ose së paku unë po shpreh mendimin tim personal. Nuk duhet të mistifikohet kjo punë, sepse ne duhet të përballemi edhe me biseda me Serbinë. Por, janë të njohura postulatet, të cilat politika kosovare i ka definuar – domethënë, bisedime për statusin e Kosovës, për territorialitetin e saj, për sovranitetin e territorit të saj, nuk ka.

Ne e dimë se përmes të ashtuquajturave biseda teknike mund të kontrabandohen shumë gjëra, ne jemi të vetëdijshëm, por ne qëndrojmë kooperativë, të gatshëm. Dhe, është pak si iluzore të pritet që tash, në këtë situatë, të kërkohet diçka shtesë - aq më tepër kur Serbia nuk ka treguar as më të voglën shenjë të vullnetit të mirë, që ky proces të fascilitohet nga të gjithë.

Do të jetë kjo një punë e institucioneve tona, e qeverisë. Mendoj se kjo do të ngjajë pasi që të kryhen punët me institucionet e reja, sepse do të dalë një kompozicion tjetër. Shpresojmë se do të dalë shumë më solid pas zgjedhjeve dhe nuk do të kërcasë kiameti, sikurse nuk krisi kiameti që 10 vjet duke pritur qëndrimin obstruktiv të Serbisë.
XS
SM
MD
LG