Ndërlidhjet

Zgjedhjet e jashtëzakonshme - domosdo apo mundësi?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Mungesa e vullnetit politik për krijimin e një qeverie teknike, sipas analistëve në Prishtinë, lë hapësirë për mënyra të tjera të daljes nga kriza institucionale. Megjithatë, ata thonë se këto mënyra, sipas të gjitha gjasave do ta çojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ekspertët për administrimin e procesit zgjedhor vlerësojnë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të jetë i gatshëm për t’i menaxhuar zgjedhjet kurdo që mbahen ato.


Zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe krijimi i një qeverie teknike, sipas njohësve të rrethanave politike në Kosovë, mbesin dy opsionet kryesore për dalje nga kriza aktuale institucionale në vend.

Ata thonë se për krijimin e një qeverie teknike do të ketë nevojë për vullnet politik të të gjitha subjekteve politike, ndërsa theksojnë se mundësi tjetër mbetet krijimi i një koalicioni të ri, i cili do të qeveriste vendin deri më 13 shkurt të vitit të ardhshëm, kur janë shpallur të mbahen zgjedhjet e parakohshme.

Analisti Driton Lajçi thotë se mund të kërkohet mocioni i votëbesimit të kryeministrit Thaçi, veprim me të cilin do të shpërndahej Parlamenti dhe do të duhej të nisnin përgatitjet për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ai bën të ditur se tani Partia Demokratike e Kosovës, pas braktisjes së koalicionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, mund të bëjë koalicion me ndonjë parti tjetër.

Mirëpo, për vazhdimin e qeverisjes me një partner të ri koalicioni, sipas tij, do të nevojiteshin 2/3 e votave të deputetëve.

“Nëse Qeveria Thaçi nuk e merr bekimin apo votimin nga Parlamenti i Republikës së Kosovës, atëherë shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Parashihet që 45 ditë prej momentit kur bie qeveria, duhet të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme”.

“Eventualisht të shikohet mundësia për një qeveri teknike - qeveri e cila përbëhet prej njerëzve jopolitikë, prej ekspertëve, në mënyrë që ta shpien vendin në zgjedhje të parakohshme”
, vlerëson Lajçi.

Partia Demokratike përjashtoi, ditë më parë, mundësinë për krijimin e një qeverie teknike duke theksuar se për një hap të tillë mungon vullneti dhe legjitimiteti i nevojshëm.

Përfaqësues të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë theksojnë nevojën që vendimi për mënyrat e daljes nga kriza institucionale të bëhet në konsultim të ngushtë në mes të tw gjitha partive politike dhe në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Zëdhënësi i ICO-së, Kai Mueller-Berner, thekson:

“U takon partive dhe institucioneve në Kosovë që të vendosin për rrugën përpara; ne besojmë se ata do të vazhdojnë në konsultime të ngushta ndërmjet tyre, bazuar në konsensus dhe në harmoni me Kushtetutën”.

“Shpresojmë se përparimi do të vazhdojë lidhur me obligimet rajonale dhe evropiane të Kosovës dhe, po ashtu, lidhur me funksionimin e shtetit në të mirë të tw gjithë qytetarëve. Kjo përfshin legjislacionin e rëndësishëm në Kuvend, dialogun me Beogradin dhe zgjedhjet, të cilat do të përmbushnin standardet ndërkombëtare”.


Zgjedhjet e parakohshme janë shpallur të mbahen më 13 shkurt të 2011-tës në Kosovë, ndërsa pas daljes së LDK-së nga koalicioni qeverisës, nuk përjashtohet mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme brenda këtij viti.

Këto zgjedhje do të kërkonin përgatitjet të përshpejtuara teknike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, vlerësojnë ekspertët.

Ish-shefi i KQZ-së, Mazllum Baraliu, konsideron se respektimi i zgjedhjeve të parakohshme do të mundësonte zhvillimin e duhur të procesit zgjedhor.

“Asnjëra punë nuk është e bërë dhe meqë gjërat janë kështu, jam i prirë të mendoj dhe i bindur thellë që do të ishte mirë që këndellshëm dhe me gjakftohtësi të mendojnë të gjitha subjektet politike në Parlament dhe jashtë tij, pa dallim se a janë në pushtet apo jo, që të ketë një konsensus sa u përket zgjedhjeve të parakohshme po, por jo të jashtëzakonshme”, shprehet Baraliu.

Baraliu thotë se duhet të bëhet ndryshimi dhe plotësimi i ligjit për zgjedhje, konsolidimi dhe pastrimi i listës së votuesve dhe të tjera para se KQZ-ja të jetë e gatshme të administrojë procesin zgjedhor në Kosovë.

Megjithatë, ai thekson se Kushtetuta e obligon KQZ-në dhe organet e tjera përgjegjëse për administrimin e procesit zgjedhor që edhe në rast të shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të jenë gati për t’i kryer obligimet e veta.

“Natyrisht që është vështirë, por nuk është e pamundur për arsye se edhe Kushtetuta, edhe Ligji për zgjedhjet qendrore parasheh mundësinë për zgjedhje të jashtëzakonshme”.

“Kjo do të thotë se institucionet përkatëse, në këtë rast KQZ-ja e Sekretariati i tij dhe komisionet komunale zgjedhore duhet të jenë të përgatitura e të gatshëm që kurdoherë që e do puna, të kryejnë detyrën dhe përgjegjësinë e tyre, pra t’i përgatisin dhe t’i zbatojnë zgjedhjet”, thekson Baraliu.
XS
SM
MD
LG