Ndërlidhjet

Paragjykimet si motiv


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Një përqindje e vogël e kompanive private në Kosovë, udhëhiqet nga femrat. Disa menaxhere të këtyre ndërmarrjeve dhe përfaqësuese të shoqatës afariste të gruas, thonë se përveç mungesës së mjeteve financiare dhe hipotekës, paragjykimet e shoqërisë se një grua mund të jetë menaxhere e suksesshme, ndikon në këtë fushë.


Të menaxhohet një kompani biznesi nga një grua në Kosovë, nuk është punë e lehtë.

Klima jo e favorshme për biznes, normat e larta të interesit, mungesa e mjeteve financiare dhe perceptimet e shoqërisë se një grua nuk mund të menaxhojë një ndërmarrje, janë disa nga problemet, me të cilat ballafaqohen gratë në këtë sektor, thonë udhëheqëse të kompanive private dhe përfaqësuese të shoqatës afariste të gruas.

Linda Shala, është pronare e ndërmarrjes tregtare që merret me pajisje elektronike “Data Project Elektronics”, kompani kjo që aktualisht numëron 70 punëtorë.

Ajo thotë se kushtet e zhvillimit të biznesit në Kosovë janë jashtëzakonisht të vështira, për të dyja gjinitë, por megjithatë në këto kushte në të shumtën e rasteve, sipas saj, pëson femra.

“Vështirësitë paraqiten pikërisht te fakti i perceptimeve. Do të thotë problemi i hipotekave, problemi i tretmanit të bankës. Në secilën kredi që e kam marrë unë, këtu në Prishtinë, më është dashur që si bashkë-huamarrës të paraqitet edhe bashkëshorti im. Gjë që nuk ndodh për meshkujt që menaxhojnë biznes”
.

“Ose, rastet e negociatave me ndonjë blerës potencial dhe pas marrëveshjes që kemi arritur, më ka thënë krejt është në rregull, vetëm tash më duhet të flas me pronarin”,
tregon zonja Shala.

Ndërkaq, Dhurata Bardoniqi, menaxhere e dy kompanive ndërtimore “Arcing” dhe “Uni –Projekt”, thotë se paragjykimet e shoqërisë dhe mungesa e hipotekave janë disa nga problemet, me të cilat ballafaqohen gratë biznesmene.

“Mirëpo, jemi mësuar që t’ia dalim disi, me forca dhe me vështirësi shumë të mëdha. Problemi kryesor në Kosovë janë bankat, interesat bankare, letrat me vlerë, ajo nuk është problem vetëm për bizneset e femrave, por edhe për bizneset e meshkujve. Por, femra has më shumë probleme për arsye se femra nuk ka hipoteka, nuk ka mbështetje, e ai është problemi kyç”
, pohon zonja Bardoniqi.

Por, pavarësisht paragjykimeve dhe vështirësive, me të cilat ballafaqohen gratë në sektorin privat, Mirlinda Kusari- Purrini, kryetare e Shoqatës Afariste të Gruas, thotë se roli i gruas në biznes duhet të jetë më i madh.

“Vështirësitë, me të cilat ballafaqohen gratë në biznes, janë të shumta. Sidomos në vendin tonë në situatën që gjendemi, me një ekonomi të pazhvilluar, me një përqindje të lartë të papunësisë, me një përqindje të lartë të varfërisë, ato përballen me vështirësi për çdo ditë. Vështirësitë më të mëdha, të cilat gratë i hasin në Kosovë është vështirësia e qasjes në financa”
, thekson zonja Kusari.

Megjithatë, paragjykimet e shoqërisë se një femër nuk mund të jetë e suksesshme në biznes, kanë qenë motiv pune për Linda Shalën.

“Janë paragjykimet që ekzistojnë në shoqërinë tonë, por të cilat mua vetëm më kanë motivuar. Përfundimisht, më kanë motivuar të vazhdoj më tutje dhe ajo çfarë mua më bën edhe më të fortë, është se unë në kompani kam të punësuar, për shkak të natyrës së punës, më shumë meshkuj sesa femra. Dhe se punëtorët e mi, nga ndjesia e tyre, e kupto, se e konsiderojnë privilegj që kanë një drejtore”,
thotë zonja Shala.

Sidoqoftë, në Kosovë mbi 90 për qind e kompanive drejtohen nga meshkujt, ndërsa më pak se dhjetë për qind menaxhohen nga femrat.

Në të shumtën e rasteve, gratë punojnë në sistemin e arsimit, shëndetësisë dhe në administratë publike.

Lexoni edhe këtë: Klinton: Përparimi i gruas është përparim i njerëzimit
XS
SM
MD
LG