Ndërlidhjet

Shpërndahet Kuvendi, zgjedhjet më 12 dhjetor


Ligjvënësit kosovarë
Ligjvënësit kosovarë

Ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, ka shpërndarë Kuvendin e Kosovës dhe ka shpallur zgjedhjet e parakohshme më 12 dhjetor të këtij viti. Ky veprim ka ardhur pas votimit të mocionit të mosbesimit të Qeverisë në Kuvendin e Kosovës.

“Bazuar në nenin 90, në nenin 84, pika 4, në nenin 82, paragrafi 2, si dhe në nenin 100 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë në Kuvendin e Kosovës, më 02.11.2010, ushtruesi i detyrës së presidentit të Republikës së Kosovës dekreton: 1) shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës; 2) dekreti hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit", ka thënë Krasniqi.

Bazuar në nenet përkatëse të Kushtetutës dhe Ligjit për zgjedhje, u.d. së presidentit, zoti Krasniqi, ka marrë edhe këtë vendim:

“1) Zgjedhjet e parakohshme mbahen më 12 dhjetor, 2010; 2) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës ngarkohet që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, në përputhje me këtë vendim dhe me ligjin në fuqi; 3) Shfuqizohet vendimi i datës 15 tetor, 2010, për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të parapara për 13 shkurt 2011”.

* * *

Përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Piter Feith, ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që zgjedhjet e ardhshme t’i përmbushin standardet ndërkombëtare, të jenë të lira dhe demokratike.

Feith ka ftuar të gjitha partitë politike që t’i respektojnë ligjet.

“Këto zgjedhje duhet t’i përmbushin standardet më të larta. Kjo është mirë për reputacionin ndërkombëtar të Kosovës; është sfidë, në veçanti për shkak të kohës së shkurtër, të arrijnë standardet më të larta, që të jenë të lira, demokratike...”.

“U apeloj partive politike që të binden, të respektojnë sundimin e ligjit dhe të sigurojnë se këto zgjedhje po mbahen në atmosferë të lirë e korrekte”, ka thënë Feith.

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, gjatë një vizite në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka siguruar drejtuesit e këtij organi zgjedhor se Bashkimi Evropian do të asistojë në vëzhgimin e zgjedhjeve.

“Ne, si BE, do të asistojmë si vëzhgues në zgjedhje, së bashku me miqtë tanë amerikanë dhe partnerët tjerë. Do të diskutojmë me komandantin e KFOR-it dhe të EULEX-it se si të krijojmë ambient të sigurt në Kosovë, përfshirë edhe veriun”, është shprehur Feith.

Ai ka shfaqur shpresën që zgjedhjet e ardhshme të jenë më të mira se zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.

KQZ-ja, ka shtuar ai, mund të organizojë zgjedhje të suksesshme me mbështetjen e miqve. Sipas tij, ato do të certifikohen dhe do t’i arrijnë standardet ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka ritheksuar se në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për zgjedhje, KQZ-ja është e gatshme që teknikisht t’i organizojë zgjedhjet.

“KQZ-ja teknikisht mund të jetë e përgatitur që t’i organizojë dhe inplementojë këto zgjedhje, ashtu siç parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Ligji për zgjedhjet”, ka deklaruar Daka.

Megjithatë, ajo ka bërë të ditur se ka njoftuar përfaqësuesin e ICO-së për problemet që mund të paraqiten në realizimin e procesit zgjedhor në veri të Kosovës.

“Zotin Feith e kemi informuar edhe për disa sfida tona, të cilat i kemi në implementimin e zgjedhjeve në veri. Por, kemi marrë mbështetjen dhe përkrahjen e plotë të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë”, ka thënë Daka.

Pakoja e Ahtisarit parasheh që zgjedhjet e para parlamentare pas zgjidhjes së statusit të certifikohen nga një autoritet kompetent ndërkombëtar. Certifikimi i zgjedhjeve të kaluara lokale është bërë nga KQZ-ja.

Lexoni edhe këtë: Bie qeveria!
XS
SM
MD
LG