Ndërlidhjet

Portreti i pandryshuar


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
A ka pasur përmirësim apo ngecje të gjendjes ekonomike gjatë tri viteve të Qeverisë në dorëheqje? Lidhur me këtë japin vlerësimet ekspertë për çështje ekonomike, sipas të cilëve, edhe gjatë kësaj periudhe, portreti ekonomik i Kosovës ka mbetur i njëjtë.


Krijimi i një ambienti më të përshtatshëm për investitorët e huaj, krijimi i kushteve më të mira për sektorin privat, rritja ekonomike, ulja e shkallës së papunësisë dhe varfërisë në vend, kanë qenë disa nga premtimet e Qeverisë Thaçi, me të marrë mandatin në vitin 2008.

Por, sa janë përmbushur këto premtime dhe sa ka arritur Kosova progres në aspektin ekonomik, sipas ekspertëve të ekonomisë?

Muhamet Sadiku, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se gjatë tri viteve të Qeverisë në dorëheqje, nuk vërehen ndryshime dhe nuk është ndërruar portreti ekonomik i Kosovës.

Sipas Sadikut, gjatë kësaj periudhe rritja ekonomike ka qenë deri në katër për qind, rritje kjo që nuk ka reflektuar në zbutjen e problemeve sociale.

Edhe gjatë kësaj periudhe, thotë Sadiku, Kosova ende varet nga importi.

“Rritja ekonomike, e cila është realizuar gjatë kësaj periudhe, më tepër ka qenë e sforcuar në investimet publike, më tepër ka qenë e mbështetur në konsumin qeveritar dhe kemi një mbështetje jo të duhur të rritjes ekonomike nga sektori privat. Kjo do të thotë se sektori privat ka mbetur ende i pazhvilluar, si rezultat i mungesës së mbështetjes institucionale”
, vlerëson Sadiku.

Ylli Hoxha, nga Klubi për Politikë të Jashtme, thotë se gjatë këtyre viteve të Qeverisë Thaçi, Kosova, në aspektin ekonomik, ka shënuar regres dhe jo progres. Ai përmend se gjatë kësaj periudhe dukshëm kanë rënë investimet e huaja.
Qeverisja Thaçi ka pasur mungesë konceptuale mbi idenë për ekonominë.


“Qeverisja Thaçi ka pasur mungesë konceptuale mbi idenë për ekonominë. Në tri vitet e fundit të qeverisjes Thaçi, ka pasur rënie konstante të investimeve të huaja, si një prej çelësave të zhvillimit ekonomik të Kosovës”, thotë Hoxha

Ndryshe, edhe sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, thuhet se në tri vitet e fundit, investimet e huaja kanë pësuar rënie të vazhdueshme. Vetëm vitin e kaluar investimet ndërkombëtare kanë rënë për 30 për qind.

Por, profesori Muhamet Sadiku thekson se me gjithë premtimet e atëhershme të Qeverisë në dorëheqje se do të përmirësohet situata sociale, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Para tri vitesh Qeveria e ka marrë Kosovën me normë të papunësisë rreth 45 për qind dhe normë të varfërisë mbi 45 për qind. Por, kjo qeveri tashmë po e lë Kosovën me normë të njëjtë të papunësisë dhe varfërisë, që do të thotë këto dy probleme afatgjate dhe serioze nuk kanë gjetur adresim në politikat ekonomike, të cilat i ka zbatuar Qeveria”
, shprehet Sadiku.

Në anën tjetër, kjo Qeveri, thotë Muhamet Sadiku, ka filluar disa projekte të mëdha kapitale, por të cilat kanë mbetur të papërfunduara.
...në të gjitha këto projekte kemi nivel të ulët të përfundimit të tyre...


“Qeveria ka bërë përpjeke që të fillojë një front të investimeve publike në disa projekte kapitale, sidomos në komunikacion. Por, për fat të keq në të gjitha këto projekte kemi nivel të ulët të përfundimit të tyre, kemi zvarritje dhe ajo që është vërejtur edhe nga raporti i Komisionit Evropian dhe raportet tjera ndërkombëtare, ky aktivitet është i ngulfatur me nivel të papranueshëm të korrupsionit”,
thekson Sadiku.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve të Qeverise në dorëheqje, edhe gjatë kësaj periudhe ka pasur përmirësime në fushën ekonomike. Ata disa herë e kanë përmendur si të arritur anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore.

Gjatë kësaj periudhe është dhënë me koncesion Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, ndërsa kanë filluar punët për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdar, edhe pse asnjëherë nuk janë dhënë detajet e kontratës dhe sa do të jetë çmimi përfundimtar i saj.

Por, ajo që mbeti gjysmë dhe ende e paqartë është Privatizimi i Postë-Telekomit të Kosovës, zhvillim ky i cili thuhet, të paktën publikisht, se shtyri Lidhjen Demokratike të Kosovës të tërhiqet nga koalicioni qeverisës.
XS
SM
MD
LG