Ndërlidhjet

Opozita: Raporti objektiv


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë
Autoritetet e Shkupit e kanë vlerësuar si pozitiv raportin e Komisionit Evropian, ngase, siç janë shprehur, në të konfirmohet pjekuria politike, me të cilën vendi u qaset problemeve të hapura dhe përmbushjes së kritereve të Bashkimit Evropian.

“Shprehim kënaqësinë tonë me vetë faktin se edhe në këtë raport, ashtu si një vit më parë, Komisioni Evropian i rekomandon Maqedonisë statusin e vendit kandidat për fillimin e negociatave”.

“Gjithashtu e vlerësojmë pozitivisht raportin, ngase në të qartë valorizohet puna dhe realizimi i reformave në lëmi të caktuara. Por, mbesin ende punë, të cilat ne do t`i realizojmë përmes një plani aksional”,
deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

Por, partitë politike në opozitë thonë se vërejtjet, të cilat apostrofohen në raportin e Komisionit Evropian, janë objektive dhe paraqesin gjendjen reale të zhvillimeve në Maqedoni.

Deputetja e “Demokracisë së Re”, Flora Kadriu, thotë se Qeveria aktuale nuk i ka përfillur rekomandimet e komunitetit ndërkombëtar. Andaj, sipas saj, këtë vit kritikat janë edhe më të theksuara sa i përket realizimit të reformave në gjyqësor, politizimit të administratës dhe mungesës së dialogut politik.

“Mosimplementimi i Marrëveshjes së Ohrit paraqet një nga detektimet e Komisionit Evropian, që në fakt kjo marrëveshje nuk respektohet dhe nuk implementohet në tërësi. Andaj, rekomandimet janë që sa më shpejt duhet të bëhet realizimi i të gjitha shtyllave të dokumentit kornizë të Ohrit”, thotë Kadriu.

Në anën tjetër, Radmilla Shekerinska, ish-kryeministre për çështje të integrimeve, thotë se problemet që e ngufasin zhvillimin demokratik të vendit, “kjo përbërje qeveritare i ka anashkaluar, duke mos përfillur as agjendën evropiane”.

“Gjatë 12 muajve të fundit, Qeveria Gruevski ka bërë shumë pak në drejtim të përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Prandaj, raporti i KE-së vazhdon të apostrofohet me nota negative në disa lëmi, si gjyqësori, administrata dhe së fundmi liria e mediave”, shprehet Shekerinska.

Pengesë kryesore në përparimin e vendit në integrimet euroatlantike mbetet kontesti i hapur i emrit me Greqinë. Partia shqiptare - pjesë e koalicionit qeveritar - Bashkimi Demokratik për Integrim, thotë se kontesti i emrit duhet parë si çështje, pa zgjidhjen e së cilës Maqedonia nuk ka të ardhme.

Deputeti i kësaj partie, Safet Neziri, në këtë drejtim thekson:

“Në çdo takim që kemi pasur ne si parti, por edhe funksionarë shtetërorë, na është bërë e qartë nga qendrat vendimmarrëse se kushti kryesor për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe në NATO, mbetet zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë”.

Kritikat e raportit, pos aspektit politik, janë fokusuar edhe në situatën e përgjithshme ekonomike të vendit, duke theksuar nivelin e papunësisë, i cili vazhdon të mbetet i lartë, derisa investimet e huaja direkte vazhdimisht bien.
XS
SM
MD
LG