Ndërlidhjet

MekHejll: Me hapa të vegjël shkojmë përpara


Xhudit MekHejll
Xhudit MekHejll

Xhudit MekHejll, nënsekretare e shtetit për diplomaci dhe çështje publike, është ngarkuar me angazhimin kryesor të Amerikës me njerëzit në botë. Puna e saj është e vështirë dhe me shumë sfida, por MekHejll thotë se ajo po bën përparim.



RADIO EVROPA E LIRË
Kur Barak Obama u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara dy vjet më parë, ai tha se ka një mundësi të veçantë për ta “ribërë imazhin e Amerikës” në botë. Sipas jush, si po shkojnë punët?
XHUDIT MEKHEJLL
Mendoj se që nga dita e parë si president, në fjalimin e tij inaugurues, ai dhe sekretarja Klinton ishin shumë të përkushtuar për t’u përfshirë me njerëzit në mbarë botën, në një lidhje të respektit të ndërsjellë, të besimit dhe mirëkuptimit të dyanshëm.

Mendoj se po shkon mirë. Kuptohet që ka sfida, do të ketë, por unë po has në njerëz shumë të hapur, të gatshëm për të hyrë në këtë frymë të re të angazhimit me vendin.

RADIO EVROPA E LIRË
Si nënsekretare e shtetit për diplomaci dhe çështje publike, si do ta përkufizonit punën tuaj dhe çfarë do të ishin prioritetet tuaja?

XHUDIT MEKHEJLL
Ta themi thjesht - jam përgjegjëse në fushën ku Departamenti i Shtetit është i ngarkuar me zgjerimin dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet popujve të Shteteve të Bashkuara dhe popujve në vendet tjera në mbarë botën.

Është detyrë që kërkon t’ua drejtohesh dorën miliarda njerëzve, por unë mendoj se po bëjmë progres në përpjekjet për t’u dëgjuar nga sa më shumë njerëz.

Sa u përket prioriteteve kryesore, njëri ndër to është zhvillimi i mjeteve të reja, për të kuptuar se çfarë është e rëndësishme për njerëzit në botë, për të gjetur mënyra që qytetarët e Amerikës të mësojnë, të takohen dhe të diskutojnë me kolegët e tyre nga bota. Mendoj se ka një numër gjërash që përpiqemi t’i bëjmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju e vizituat shërbimin afgan të Radios Evropa e Lirë. A ka diçka që doni të theksoni për atë që bëni në Afganistan, ndonjë nismë kreative që mund të ishte me interes për zyrën tuaj?

XHUDIT MEKHEJLL
Një fushë e veçantë ku jemi përqendruar është komunikimi, prandaj po i shqyrtojmë mundësitë e numërta për të ndërtuar kapacitetin e afganëve që të mund t’ua shpërndajnë informatat qytetarëve të Afganistanit.

Ky është funksion i rëndësishëm për ta, që të mund të kenë qasje tek informatat e mira dhe të sakta. Në këtë kuadër, shërbimi i radios suaj luan rol të rëndësishëm në këto përpjekje.

RADIO EVROPA E LIRË
Një sondazh tregoi se në Egjipt ka rënë mbështetja për Amerikën, ku presidenti Obama, 17 muaj më parë, iu drejtua botës myslimane. Ngjashëm përshkruhet gjendja në Pakistan dhe Turqi. Çfarë mund të bëjë diplomacia publike në përmirësimin e imazhit të Shteteve të Bashkuara, apo ai ndërlidhet me faktorë të ndryshëm politikë?

XHUDIT MEKHEJLL
Mendoj se është një numër faktorësh që gjithmonë i kemi parasysh. Në Kajro, presidenti Obama mbajti një fjalim të jashtëzakonshëm. Pritjet ishin të larta dhe ne punojmë për t’i adresuar premtimet e presidentit, por kjo do të marrë kohë.

Ne bëjmë progres, ndonjëherë edhe me hapa të vegjël, që ndoshta nuk pasqyrohet në sondazhet. Kemi punuar dhe jemi të fokusuar në zonat për të cilat folët, në Egjipt, Jordani dhe Pakistan. Unë besoj se ne po bëjmë progres, i cili mendoj se jo domosdoshmërisht reflektohet në këto anketa të opinionit.

Mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm kur i shohim rezultatet e sondazheve, sepse ato merren në një moment të caktuar, ndërsa ne synojmë të ndërtojmë marrëdhënie për një periudhë më të gjatë kohore. (v.p.)
XS
SM
MD
LG