Ndërlidhjet

Kushtet në Klinikën e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare, janë mjaft të vështira, thonë zyrtarë shëndetësorë. Sipas tyre, kërkesat e vazhdueshme adresuar Ministrisë së Shëndetësisë për përmirësim të kushteve në këtë klinikë, nuk kanë rezultuar pozitivisht, duke u arsyetuar me mungesë buxheti.

Mynavere Hoxha, shefe në Repartin e Neonatologjisë, thotë se ka mungesë elementare të kushteve përfshirë edhe stafin profesional.

”Njësia e Neonatologjisë nuk i plotëson ashtu si duhet kushtet për punë. Për të pasur kujdes sa më cilësor, duhet të ketë kushtet themelore, të ketë material shpenzues, ujë të ngrohtë e rrymë”.

“Tash për tash nuk kemi ujë të ngrohtë, e që është një kusht bazë larja e duarve për t’u mbrojtur nga infeksionet. Pastaj duhet të ketë staf adekuat, ndërsa këtu punon numër i vogël i stafit prej 9 specialistësh, derisa ka nevojë për 18 specialistë; janë 5 infermiere derisa ka nevojë për 20 për çdo ndërrim”
, thotë Hoxha.

Në anën tjetër, Faik Hoti, zyrtar për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se stafi i kësaj klinike në vazhdimësi ka bërë kërkesa për përmirësim të kushteve, por Ministria me ato mundësi buxhetore që ka në dispozicion, sipas Hotit, mundohet ta ngre nivelin aq sa mundet.

”Janë duke u bërë disa investime në Neonatologji. Ankesat e stafit i marrim si të arsyeshme dhe me ato mundësi që i kemi, po provojmë të përmirësojmë diçka”.


“Ministria është në hartim të planit strategjik për shkak se shëndeti i nënës dhe fëmijës është një indikator shumë i rëndësishëm dhe e kemi si prioritet. Nuk mjaftojnë vetëm strategjitë nëse nuk shkohet paraprakisht në infrastrukturë dhe ngritje të nivelit profesional”,
shpjegon Hoti.

Ndërkaq, Sami Uka, zyrtar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, thotë se stafi në Klinikën e Neonatologjisë, pavarësisht përkushtimit, nuk është në gjendje të ofrojë atë që di për shkak të mungesës së kushteve të domosdoshme.

”Për fat të keq, zvogëlimi i buxhetit ndikon edhe në atë që me gjithë investimet kapitale, nuk duket të jetë i mjaftueshëm. Organizata Botërore e Shëndetësisë po bën përpjekjeje që, ne të paktën, të bëjmë përgatitjen e stafit profesional me njohuritë më të reja për kujdesin e të porsalindurve. Duhet të investohet më tepër edhe nga Ministria e Shëndetësisë edhe nga gjithat strukturat relevante vendimmarrëse të shëndetësisë dhe të Qeverisë”
, thekson Uka.

Së fundi është mbajtur një trajnim nën përkujdesjen e katër ekspertëve ndërkombëtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për të ngritur aftësitë profesionale lidhur me kujdesin efektiv perinatal.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG