Ndërlidhjet

FT: Shfaqja serbe për Bramerzin


Sergei Bramerz gjatë vizitës në Beograd, 15 nëntor 2010

Sergei Bramerz gjatë vizitës në Beograd, 15 nëntor 2010

"Financial Times"

Kur policia serbe hapi hetimet ndaj një zyrtari të lartë të shërbimeve sekrete ushtarake javën e kaluar, dukej se autoritetet ishin më afër kapjes së Ratko Mlladiqit, të kërkuarit kryesor që vazhdon të jetë ende në arrati nga luftërat në Ballkan në vitet ’90-të.

Aco Tomiq, ish-shef i shërbimeve të zbulimit të ushtrisë deri në vitin 2003, po hetohet rreth dyshimeve se ka ndihmuar udhëheqësin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq të strehohet në një bazë të ushtrisë në afërsi të Beogradit.

Vizita e së hënës në Beograd e kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Serzh Bramerz, përkon me kohën kur janë rritur presionet ndaj Serbisë për të dëshmuar bashkëpunim të plotë për kapjen e dy të akuzuarve që janë ende në arrati, Mlladiqit dhe Goran Haxhiqit.

Mlladiqi, që drejtoi trupat serbe të Bosnjës edhe gjatë masakrës së Srebrenicës dhe Goran Haxhiqi, udhëheqës i serbëve të Kroacisë besohet se fshihen në Serbi, njoftoi zyra e Bramerzit. Rënia në gjurmët e vendndodhjes së tyre, ka qenë e vështirë. Në 2006 me këshillat e prokurorëve të Kombeve të Bashkuara, policia serbe iu afrua më së shumti rrethit të mbështetësve të Mlladiqit.

Si pasojë e aksioneve të atëhershme u humb dhe lidhja e vetme që kishin zyrtarët për të çuar deri te Mlladiqi. Hetuesit ndërkombëtarë, ashtu si prokuroria serbe, kanë pohuar se katër vite më parë ishin shumë më afër arrestimit të Mlladiqit sesa që janë tani.

“Duke arrestuar mbështetësit e Mlladiqit autoritetet humbën mundësinë për t’i ndjekur këta njerëz deri tek arritja te Mlladiqi”
, thotë analisti politik serb, Boshka Jakshiq.

Me krijimin e Qeverisë së re në 2008-ën që shihet si pro-evropiane ka pasur një tronditje të shërbimeve të zbulimit. Ndryshimet pjesërisht janë bërë për t’i kënaqur kërkesat e BE-së për kapjen e Mlladiqit.

Megjithatë, margjinalizimi i agjentëve që kanë qenë të afërt me regjimin e vjetër ka zvogëluar aftësitë e shtetit për të gjetur Mlladiqin.

“Vullneti politik është real, por nuk kanë mbetur bashkëpunëtorë të Mlladiqit, me të cilët mund të negociohet”
, thotë Jakshiq.

Përparimi i ngecur pasqyrohet dhe në raportet e kryeprokurorit Bramerz. Një vit më parë raporti i tij ishte pozitiv për autoritetet e Beogradit. Së fundi ai e ka vënë sërish theksin te problemet në bashkëpunimin me Beogradin.

Bramerz do të paraqesë sërish raportin e tij në dhjetor para Këshillit të Sigurimit. Raporti mund të ndikojë fuqishëm në rrugën e Serbisë drejt BE-së.
Bozhidar Gjeliq, zëvendëskryeministri i ngarkuar për integrimet evropiane thotë se Serbia do të jetë gati për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në fund të 2015-ës. Shumëçka varet nga atmosfera në Bruksel, por mbi të gjitha nga arrestimi dhe dërgimi në Hagë i dy të akuzuarve që janë ende në arrati.

Qeveria serbe përpiqet të tregojë se po punon në këtë drejtim. Beogradi ka një histori të tërë të operacioneve të kërkimit para çdo vizite zyrtarësh nga Haga.

Braca Grubaçiq, analist politik, thotë se, “bastisjet dhe hetimet e fundit nuk janë asgjë e re. Gjithçka është një teatër i madh për t’i bërë përshtypje Bramerzit”.(i.b.)
XS
SM
MD
LG