Ndërlidhjet

Daglas Feith mbron politikat e Bushit


Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Bush.
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Bush.

Daglas Feith kishte rol qendror në planifikimin e luftës së Shteteve të Bashkuara në Irak. Si nënsekretar i Politikave të Mbrojtjes, nga korriku 2001 deri në gusht 2005, ai e mbikëqyrte Zyrën e Planeve Speciale të Pentagonit, e cila pastaj u gjykua se i ka dhënë analiza “jokonsistente komunitetit të inteligjencës”. Që atëherë, zyra u shpërbë. Libri i Feithit “Lufta dhe Vendimi: Brenda Pentagonit në Agim të Luftës Kundër Terrorizmit”, u botua në vitin 2008.



RADIO EVROPA E LIRË
Pas publikimit të memoareve “Pikat Vendimtare”, presidenti Bush tha se është ende i trazuar pse në Irak nuk u gjetën armë të shkatërrimit në masë. Por, ai mohoi të kërkojë ndjesë për nisjen e luftës në Irak nën ato premisa. Si shef i Zyrës së Pentagonit për Plane Speciale në atë kohë, ju ishit në qendër të përpjekjeve për shmangien e informatave të CIA-s...

DAGLAS FEITH
Ajo që ju thoni, nuk është e saktë. Mendoj se nuk është kjo ajo që bënte Zyra për Plane Speciale. Ajo nuk ishte përpjekje për të anashkaluar CIA-n. Janë një numër artikujsh të shkruar mbi këtë temë, por janë të gabuar. Më vjen keq që duhet të mos pajtohem me premisën e pyetjes suaj, por premisa nuk është e saktë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sidoqoftë, lufta filloi nën premisën se Iraku kishte armë të shkatërrimit në masë dhe nuk u gjet kurrfarë dëshmie për këtë. Nëse nuk gaboj, zyra juaj ishte qendra e grumbullimit të informatave...

DAGLAS FEITH
Po, gaboni rëndë, sepse zyra ime fare nuk e bënte grumbullimin e inteligjencës. Ne ishim konsumatorë, e jo prodhues të inteligjencës - ishim zyrë e politikës.

Tash, t’i kthehemi thelbit të pyetjes rreth Irakut dhe shkakut përse shkuam në luftë. Kjo kishte të bënte me sjelljen e vazhdueshme agresive të Sadam Hyseinit, me kundërshtimin e tij ndaj Shteteve të Bashkuara, me dosjen e tij në sfidimin e sanksioneve ekonomike të Kombeve të Bashkuara lidhur me armët e shkatërrimit në masë.

Kjo kishte të bënte me faktin se forcat irakiane, pothuaj çdo ditë, i gjuanin aeroplanët amerikanë dhe britanikë që patrullonin në zonat e ndalim-fluturimit.

Para 11 shtatorit 2001, ishte pikëpamje e përgjithshme se Sadam Hyseini përbënte kërcënim serioz për paqen në botë. Kjo është arsyeja përse Këshilli i Sigurimit miratoi 16 rezoluta për ta frenuar Irakun prej Luftës së Gjirit në vitin 1991 deri më 2003.

Pastaj, erdhën sulmet e 11 shtatorit dhe ato bënë që problemet e Irakut të duken shumë më kërcënuese dhe më urgjente - jo pse Iraku ishte përfshirë në sulmet, por meqë Iraku ishte pjesë e një rrjeti më të gjerë terrorist dhe kishte lidhje me grupe të ndryshme.

CIA gaboi rëndë, pasi nuk gjetëm armë të shkatërrimit në masë, por nuk mendoj se kjo e hedh poshtë shpjegimin e arsyeshëm për luftën.

RADIO EVROPA E LIRË
Asokohe thatë se ju interesonte heqja e diktatorit dhe transferimi i pushtetit te populli irakian, sa më shpejt që të ishte e mundur. Nga ana tjetër, ju paralajmëruan se situata atje mund të bëhej shumë e keqe dhe kështu ndodhi. Dhjetëra, në mos qindra mijëra njerëz vdiqën në Irak pas sulmeve të 11 shtatorit, ku e humbën jetën më pak se 3,000 vetë. Si mund të quhet kjo sukses?

DAGLAS FEITH
Unë nuk e përdora fjalën ‘sukses’. Por, atje u arritën suksese të rëndësishme, siç nënvizoi edhe presidenti Obama. Ne e vumë në jetë procesin politik, edhe pse jam tejet kritik për tranzicionin politik të Irakut.

Mendoj se Shtetet e Bashkuara bënë disa gabime serioze, siç ishte krijimi i qeverisë pushtuese. Por, koha tregoi se gjërat ndryshuan. Pas zgjedhjeve të fundit, irakianët kapërcyen krizën dhe formuan qeverinë. Tash ata e qeverisin vendin e tyre.

Presidenti Obama shpalli përfundimin e operacioneve luftarake, ndërsa u eliminua kërcënimi nga Sadami dhe bijtë e tij. Shqetësimi më i madh kur presidenti Bush vendosi ta fillonte luftën në vitin 2003, ishte kërcënimi për Shtetet e Bashkuara nga regjimi i Sadam Hyseinit. Mendoj se bota është më e mirë pas heqjes së Sadam Hyseinit.

RADIO EVROPA E LIRË
Presidenti Obama trashëgoi dy luftëra nga paraardhësi i tij. Vëmendja e tij tash është në Afganistan, për të cilin shumica mendojnë se u neglizhua gjatë tetë vjetëve të administratës Bush.

A mund t’iu përgjigjeni kritikave se duke filluar luftën në Irak, Shtëpia e Bardhë dukshëm e la mënjanë Afganistanin, ku u stërvitën terroristët që i sulmuan Shtetet e Bashkuara më 11 shtator, 2001?

DAGLAS FEITH
Nuk mendoj se është e vërtetë. Lufta në Afganistan ishte e nxitur. Shtetet e Bashkuara janë vend i madh, me interesa në mbarë botën dhe nuk e kemi luksin që t’i bëjmë gjërat një nga një. Ne kemi përgjegjësi jo vetëm në Afganistan dhe në Irak, por gjithashtu edhe në Azinë Lindore dhe Amerikën e Jugut, në Afrikë dhe Evropë, në gjithë botën.

Vlerësimi se për atë që bëmë në Irak, ne nuk e përfillëm dikë tjetër në botë, nuk është i vërtetë. Në Afganistan, situata është përkeqësuar së fundmi, por kishte periudha, pas rënies së talibanëve, kur gjendja nuk ishte e keqe si kohëve të fundit.

Është gabim të pohosh se Afganistani u neglizhua në periudhën 2002, 2003 dhe 2004. Mendoj se vazhdojmë të kemi interesa serioze në Afganistan. Presidenti Obama e kupton këtë dhe e ka shtuar përkushtimin e Amerikës në atë vend. (v.p.)
XS
SM
MD
LG