Ndërlidhjet

Eurozona planifikon ta shpëtojë Irlandën


Intensifikohen angazhimet për nxjerrjen nga kriza të sistemit bankar irlandez. Dublin, 15 nëntor 2010
Intensifikohen angazhimet për nxjerrjen nga kriza të sistemit bankar irlandez. Dublin, 15 nëntor 2010
Ministrat e Financave të Bashkimit Evropian po hartojnë një plan për shpëtimin e sektorit bankar në Irlandë, pasi më herët u dakorduan që të dërgojnë atje një mision të BE-së dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Irlanda deri tash ka pohuar se nuk do të kërkojë ndihmë nga jashtë.


Shefi për çështje të financave i BE-së, Oli Ren, tha se Irlanda është e përkushtuar që të punojë me Bankën Qendrore Evropiane dhe FMN-në, të cilat po i intensifikojnë angazhimet për nxjerrjen nga kriza të sistemit bankar irlandez.

“Këto përgatitje, nga pikëpamja e Komisionit, mund të konsiderohen si intensifikim i një programi të mundshëm për ristrukturimin e sektorit bankar në rast se do të kërkohej diçka e këtillë”,
tha Ren pas takimit të ministrave të Financave në Bruksel.

Qeveria në Dublin këmbëngul se nuk ka nevojë për plan të shpëtimit, por dyshimet e shtuara rreth aftësisë së Irlandës për t’i paguar vetë borxhet e saj i kanë ulur shkallët e interesit.

Irlanda tashmë ka shpëtuar tri banka dhe pritet të ndërhyjë edhe në tjerat, me shumën e përgjithshme prej 45 miliardë eurosh, të cilat mund ta rrisin deficitin buxhetor në 32 për qind të Bruto Prodhimit Shoqëror.

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, ata të Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, do të udhëtojnë gjatë javës në Irlandë.

Këtë e bëri të qartë Zhan Klod Junker, kryesues i EUROGRUP-it, ku bëjnë pjesë 16 vendet që përdorin euron.

“Është përgjegjësi e Qeverisë së Irlandës që ta ndajë mendjen dhe të kërkojë mbështetjen evropiane. Nëse irlandezët janë të gatshëm, ato mund ta bëjnë këtë, edhe EUROGRUP-i si tërësi, edhe të gjitha 16 shtetet anëtare do të jenë të gatshme të ndihmojnë”,
tha Junkers.

Sekretari britanik i Thesarit, Dejvid Osborn, premtoi se Britania do ta ndihmojë Irlandën po e deshi nevoja, duke thënë se është në “interesin kombëtar të Britanisë” që Dublini t’i kapërcejë telashet me buxhetin.

Problemet e Irlandës janë kërcënimi i dytë më i madh ndaj eurozonës pas krizës së Greqisë, për të cilën partnerët evropianë ndanë 110 miliardë euro gjashtë muaj më parë.

Ministri austriak i Financave, Jozef Proell, tha dje se vendet e eurozonës duhet t’ia shtyjnë nga dhjetori në janar pagesat për huan emergjente Greqisë, për shkak se Athina nuk i ka përmbushur premtimet nga marrëveshja.

Kriza irlandeze i ka rritur shqetësimet për kërkimin e huave edhe nga vendet tjera të eurozonës, siç janë Spanja dhe Portugalia.(v.p.)
XS
SM
MD
LG