Ndërlidhjet

A po zhvlerësohet NATO-ja?


Portugali, Lisbonë
Portugali, Lisbonë
Koncepti i ri strategjik i NATO-s synon forcimin e Aleancës përmes zgjerimit të veprimit, si dhe përmes shndërrimit të mbrojtjes në internet dhe mbrojtjes raketore në mesin e përparësive kryesore. Ndryshimet në strategji do të publikohen pas takimit të kësaj jave në Lisbonë.

Me gjithë dokumentin e ri, një nga problemet bazë të NATO-s duket se nuk është adresuar. Bëhet fjalë për raportet e Aleancës me Moskën. Së fundi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Andres Fog Rasmusen ka biseduar me presidentin rus për zgjerimin e komunikimit dhe bashkëpunimit.

“Mendoj se takimi në Lisbonë do të jetë një fillim i ri për marrëdhëniet mes Rusisë dhe NATO-s”
, tha Rasmusen.

E njëjta frymë bashkëpunimi u vu re dhe në deklaratat e kancelares Angela Merkel pas takimit trepalësh gjermano-franko-rus.

“Mendimi im është se kërcënime të mëdha si terrorizmi, rrënimi i shteteve, armët bërthamore janë rreziqe për të gjithë ne. Në këtë kuptim duhet t’i adresojmë këto probleme së bashku, qëndrim me të cilin Rusia është dakord
”, tha Merkel.

Kishte nga ata që e panë takimin trepalësh si shenjë për rënien e aftësisë së NATO-s për të biseduar me Rusinë, si dhe dëshmi për zvogëlimin e rëndësisë së Aleancës në Evropën e re, ku vende të ndryshme nuk ndajnë përparësi të njëjta.

Vendet e reja anëtare të NATO-s gjithmonë u bien zileve të alarmit se Rusia përmes forcimit të raporteve dypalëshe me vendet e Aleancës, synojnë të minojnë nga brenda unitetin e perëndimit.

Nga ana tjetër, Rusia propozoi një strukturë të re sigurie në Evropë. Viktor Kremnjuk nga Instituti për Studime amerikano-kanadeze në Moskë e mbron propozimin e Medvedevit. Ai theksoi se rruga e vetme e bashkëpunimit është marrja e detyrave të përbashkëta në Afganistan, Iran apo gjetkë.
“Në këtë realitet Rusia e NATO-ja duhet të sillen si aleatë, por në të njëjtën kohë jo domosdoshmërisht të jenë pjesë e një aleance zyrtare”, tha Kremnjuk.

Por, jo të gjithë ndajnë të njëjtin mendim. Andrei Piontkovski, ekspert i politikës së jashtme, tha se propozimi rus është jo realist dhe, si i tillë, synon krijimin e një sfere të caktuar ruse të interesit në territoret ish-sovjetike.

“Propozimi është institucionalizim i doktrinës Medvedev, që u çua përpara në terren gjatë luftës me Gjeorgjinë”,
sqaroi Piontkovski.

Shtëpia e Bardhë nuk i është përgjigjur kërkesës për ta komentuar propozimin rus. Sipas Piontkovskit, vendimi i Uashingtonit për të injoruar sjelljen e Rusisë ndaj Gjeorgjisë në favor të bashkëpunimit me Moskën, zhvlerëson gjasat e NATO-s për të vepruar si një e tërë në mbrojtje të interesave të shteteve anëtare.

Në mesin e shumë propozimeve për një strategji të re evropiane në fushën e mbrojtjes veçohet ai i Këshillit Evropian për Politikë të Jashtme. Dokumenti në fjalë propozon ngritjen e një forumi jo zyrtar të quajtur siguria trepalëshe, ku marrin pjesë Bashkimi Evropian, Rusia e Turqia.

Por, ky propozim kundërshtohet nga mbështetësit e ofertës ruse. Sipas Kremnjukut, ky propozim synon të ngrejë rëndësinë e Turqisë në nivel të Rusisë ose të zhvlerësojë rolin rus duke e vënë në një nivel me Turqinë.

Për Piontkovskin propozimi i Këshillit Evropian për Politikë të Jashtme është refuzim i planit rus pa e formuluar direkt hedhjen poshtë të dokumentit të Medvedevit. (i.b)
XS
SM
MD
LG