Ndërlidhjet

Sa do të monitorohen zgjedhjet?


Fotografi nga zgjedhjet e kaluara...
Fotografi nga zgjedhjet e kaluara...
Rreth 4800 vëzhgues të koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, do t’i monitorojë zgjedhjet e 12 dhjetorit.

Drejtuesi i këtij rrjeti të OJQ-ve, Ismet Kryeziu, derisa prezantoi strategjinë e monitorimit, tha se procesi i vëzhgimit të zgjedhjeve do të bëhet në gjithë vendin.

“Ne, deri më sot, kemi rekrutuar 4800 vëzhgues, të cilët do të jenë pjesë e monitorimit të zgjedhjeve në dy etapa. 2400 vëzhgues do t’i mbulojnë të gjitha vendvotimet në Kosovë, në procesin e votimit. Ndërsa, 2400 vëzhgues të tjerë do të mbulojnë procesin e numërimit në ditën e zgjedhjeve”
, tha Kryeziu.

Kryeziu kërkoi nga partitë politike që të zhvillojnë fushatë të qetë dhe të kenë konkurrencë politike, duke përjashtuar atë individuale. Ndryshe, punën e koalicionit të OJQ-ve, “Demokracia në Veprim”, thanë se do ta mbështesin edhe përfaqësuesit e ambasadave të vendeve të ndryshme në Kosovë.

Në procesin e monitorimit të zgjedhjeve, do të përfshihen Ambasada Amerikane, ajo e Britanisë së Madhe, Zvicrës, Gjermanisë etj.

Me këtë rast, ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Hans Diter Shtajnbah, theksoi se “Demokracia në Veprim” është një partner i besueshëm për monitorimin e zgjedhjeve. Ai përjashtoi mundësinë që procesi zgjedhor të manipulohet nga ndonjë subjekt politik.
Do të jetë shumë e rëndësishme që t’i tregohet botës se Kosova është shumë mirë e përgatitur për të menaxhuar një sistem zgjedhor.


“Më lejoni të them se unë kam besim në sistemin zgjedhor dhe arsyeja pse e përkrahim ‘Demokracinë në Veprim’ në këtë proces të monitorimit është që t’u tregojmë qytetarëve që i tërë procesi është duke shkuar në bazë të standardeve ndërkombëtare. Prandaj, do të jetë shumë e rëndësishme që t’i tregohet botës se Kosova është shumë mirë e përgatitur për të menaxhuar një sistem zgjedhor”,
theksoi Shtainbah.

Në një konferencë të përbashkët me drejtuesit e “Demokracisë në Veprim”, Shtajnbah ftoi qytetarët kosovarë që të votojnë më 12 dhjetor dhe pohoi se i gjithë procesi i monitorimit do të zhvillohet në bazë të ligjit. Ai përjashtoi mundësinë e keqpërdorimit të votave.

Edhe ambasadori zviceran, Lukas Belinger, tha se vendi i tij është interesuar për një proces zgjedhor të pavarur. Siç u shpreh Belinger, është shumë e rëndësishme që në këtë proces janë përfshirë edhe organizata joqeveritare serbe, të cilat do të monitorojnë procesin në vendbanimet me shumicë serbe.

“Ne vlerësojmë gatishmërinë e OJQ-ve serbe që të jenë pjesë e ‘Demokracisë në Veprim’, dhe në këtë formë, pjesëmarrja e vëzhguesve do të jetë edhe në vendbanimet e komuniteti serb”,
u shpreh Belinger.

Përfaqësuesit e disa partive politike, të cilat tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e 12 dhjetorit, ngritën si çështje monitorimin e zgjedhjeve. Ngjashëm mendon edhe politikologu Leon Malazogu.

Ai konsideron se në zgjedhjet e 12 dhjetorit do të mungojnë shumë organizata ndërkombëtare. Sipas Malazogut, monitorimi i këtyre zgjedhjeve do të jetë i mangët.

Këto zgjedhje që i kemi përpara, nuk do të jenë të monitoruara as përafërsisht aq sa ka nevojë. Shumë organizata monitoruese e kanë shumë vështirë që të organizohen, duhet të keni parasysh që çdo organizatë duhet të sigurojë fondet dhe buxhetin”.

“Shumica e misioneve që do të vijnë, do të jenë misione të vogla dhe jo misione që do të mundohen të shikojnë çdo aspekt dhe të qëndrojnë në pjesën më të madhe të ditës. Janë më tepër misione diplomatike”
, vlerësoi Malazogu.

Malazogu nënvizoi se për shkak të mosnjohjes së shtetësisë së Kosovës nga një varg shtetesh që janë anëtare të mekanizmave potencialë për monitorimin e zgjedhjeve, këta mekanizma nuk do të jenë në gjendje t’u bashkohen monitoruesve të tjerë të zgjedhjeve në Kosovë.

Një shembull, sipas tij, është misioni për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian. Lidhur me monitorimin e zgjedhjeve nga organizatat joqeveritare kosovare Malazogu tha:

“Përvoja e deritashme ka treguar se nëse një vëzhgues është nga ai fshat ku vëzhgon, ai nuk do të vëshgojë si duhet, nuk do të ngrejë alarmin për shkelje, qoftë për shkak të frikës qoftë për shkak të solidaritetit me bashkëfshatarët e tij. Kështu që do të jetë problematike kjo çështje. Deri tani nuk kemi arritur që të kemi një vëzhgim si duhet”.

Mirëpo, kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Xhemajl Peqani, tha për Radion Evropa e Lirë se interesimi i vëzhguesve, si vendorë, ashtu edhe ndërkombëtarë është shumë i madh.
Çdo vëzhgues, i cili certifikohet në KQZ, duhet të nënshkruajë Kodin e Mirësjelljes dhe duhet t’i nënshtrohet pikërisht atij kodi...

Siç u shpreh Peqani, KQZ-ja tashmë ka filluar me akreditimin e tyre. Peqani hodhi poshtë mundësinë që vëzhguesit nuk do të njoftojnë për keqpërdorimet e mundshme.

“Çdo vëzhgues, i cili certifikohet në KQZ, duhet të nënshkruajë Kodin e Mirësjelljes dhe duhet t’i nënshtrohet pikërisht atij kodi, pavarësisht a është vëzhgues vendor apo ndërkombëtar, i partive politike apo i OJQ-ve”,
deklaroi Peqani.

Vitin e kaluar zgjedhjet lokale u vëzhguan nga rrjeti i organizatave vendore dhe rrjeti evropian ENEMO, si dhe u ndihmuan nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Elektorale.
XS
SM
MD
LG