Ndërlidhjet

logo-print

Përmirësimi i gjendjes në sistemin e arsimit duhet të jetë në fokus të programeve të partive politike, që garojnë për zgjedhjet e 12 dhjetorit, thonë ekspertë të arsimit. Sipas tyre, nëse gjatë qeverisjes së ardhshme, çështja e arsimit merret më me seriozitet, mund të ndodhin ndryshime pozitive.



Përmirësimi i bazës ligjore, kualifikimi i mësimdhënësve dhe vlerësimi i punës së tyre duhet të jenë çështje me prioritet në programet e partive politike, në mënyrë që të shënohen përmirësime në cilësinë e arsimit kosovar, thonë ekspertë të kësaj fushe.

Ali Shabani, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, thotë se qeveria e ardhshme do të ketë mundësi për të ndryshuar situatën aktuale në sistemin e arsimit, po qe se do të ndryshonte Ligjin e arsimit parauniversitar. Ky i fundit, sipas tij, ka mangësi të shumta, të cilat ndikojnë në kualitetin e arsimit.

“Janë disa shtylla që duhet ndryshuar - është shtylla e kualifikimit të arsimtarëve, që tashmë po fillon, me qëllim që të krijohet një cilësi tjetër akademike e atyre që punojnë në sistemin e arsimit”.

“Pastaj, është performanca e mësimdhënësve dhe vlerësimi si bazë për të siguruar një performancë të mirë. Është gradimi i mësimdhënësve, i cili duhet të jetë si motiv pune”
, thotë Shabani.

Edhe Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës, thekson nevojën e përmirësimeve në fushën e arsimit. Por, sipas tij, kjo çështje nuk është e përfshirë sa duhet në programet zgjedhore të partive politike, të cilat garojnë për zgjedhjet e 12 dhjetorit.

“Partitë politike nuk kanë asnjë vizion se në cilin drejtim duhet të shkojë sistemi i arsimit. Ai vizion është dashur të definohet nga partitë politike dhe të përhapet, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të bëhen pronarë të ndryshimeve të sistemit të arsimit“, thekson Hyseni.

Më optimist është Ali Shabani, i cili pret ndryshime pozitive, nëse qeverisja e ardhshme, sipas tij, merret më me seriozitet me çështjen e arsimit. Në këtë rrafsh, shton Shabani, duhet përmirësuar standardi i mësimdhënësve dhe kushtet e tyre të punës.

Këto dy janë çështje fundamentale, shumë motivuese, të cilat do t’i detyronin dhe obligonin mësimdhënësit që të jenë shumë më korrektë në punë, edhe pse korrektësi të tillë ka. Megjithatë, kjo performancë, ky gradim, si dhe mbështetja financiare janë të domosdoshme, sepse pa një mbështetje të tillë nuk ka ndryshim dhe nuk ka reformë të arsimit”, shprehet Shabani.

Gjatë shpalosjes së programeve të tyre, krerët politikë po premtojnë rritje të pagave për punonjësit arsimorë, nivelizimin e arsimit me standardet e vendeve evropiane, modernizmin e këtij sistemi, si dhe hapjen e universiteteve të reja në disa qytete të Kosovës.

Por, sipas ekspertëve të arsimit, përvoja e deritanishme e premtimeve nuk garanton një përmirësim të gjendjes në sistemin e arsimit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG