Ndërlidhjet

Konjufca: Ndarja e drejtësisë mbi të gjitha


Glauk Konjufca
Glauk Konjufca

Duhet të ketë një qeveri të ndershme, e cila do të bënte që EULEX-i të mos ketë më punë në Kosovë, thotë në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Konjufca, Lëvizja Vetëvendosje nisi fushatën elektorale me mjaft kritika drejtuar partive, të cilat kanë udhëhequr Kosovën deri më tani. Cilat janë garancitë e Lëvizjes Vetëvendosje për qytetarin e Kosovës, që ju në të ardhmen nuk do të shndërroheni në diçka të ngjashme sikurse partitë e vjetra?

GLAUK KONJUFCA
Ka disa arsye, në të cilat qytetarët e Kosovës mund ta mbështesin besimin e tyre përse “Vetëvendosja” nuk do të bëhet si të tjerët. Së pari, mendoj se këto parti politike, të cilat janë aktualisht, sidomos njerëzit që i udhëheqin ato, nuk është se janë korruptuar pikërisht kur e kanë marrë pushtetin. Mendoj se janë korruptuar edhe më herët dhe mënyra se si kanë ardhur deri te pushteti ka qenë korrupsioni.

Lëvizja Vetëvendosje mendon se e tëra që duhet të premtojë, është angazhimi, e jo premtime të tjera. Ne mendojmë se të gjitha problemet rregullohen kur funksionon sistemi politik – mbi të gjitha ndarja e drejtësisë, si shtyllë e cila është e pavarur nga politika.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, sistemin e drejtësisë, të cilin e përmendët ju, e mbikëqyr misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit. Deri më tani, jeni shprehur kundër këtij misioni... Si të do të bashkëpunoni me të, nëse përfaqësoheni në Kuvendin e Kosovës?

GLAUK KONJUFCA
Ne mendojmë se ka EULEX në Kosovë, për shkak se Bashkimi Evropian ka qenë dyshues ndaj Qeverisë së Kosovës. Bashkimi Evropian ka dyshuar se, po t’i lihej gjithçka në kompetencë kësaj nomenklature aktuale politike, qoftë edhe drejtësia dhe sundimi i ligjit, këta njerëz do ta keqpërdornin.

Ne mendojmë se duhet të ketë një qeveri të ndershme, të moralshme, me ekspertizë, e cila do të bënte që EULEX-i të mos ketë më punë. EULEX-i aktualisht ka shumë punë, po bastis ministri, po bastis shtëpi të të dyshuarve, të cilët janë politikanë.

Kur të kemi ministra të ndershëm, nuk do të ketë punë për EULEX-in, për të bastisur ministri.

RADIO EVROPA E LIRË
A jeni të bindur se do ta kaloni 5-përqindëshin e pragut zgjedhor? Nëse po, a do të jeni të gatshëm të hyni në koalicion me partitë e tjera?

GLAUK KONJUFCA
Për neve, pragu zgjedhor kurrë nuk ka qenë problem e as temë diskutimi. Disponimi që ne marrim nga populli, si dhe hulumtimet e vazhdueshme të opinionit publik nga organizata të ndryshme, tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje qëndron mirë me besimin e popullit.

Do ta kombinojmë zërin e mobilizimit shoqëror me zërin e përfaqësimit të interesave të popullit edhe në institucione. Kjo është shumë mirë, për arsye se fuqizojmë zërin e popullit përbrenda institucioneve, sepse ai zë është mbytur. Do të përgatitemi për sfidat që na presin.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund ta saktësoni, a do të bënit koalicion me partitë, të cilat deri më tani kanë qenë në skenën politike kosovare?

GLAUK KONJUFCA
Ne nuk do të bëjmë koalicion me asnjërën nga ato që kanë pasur rastin të kenë pushtetin deri më tash, sepse ato kanë pasur 11 vjet kohë për të përmirësuar diçka nga jeta e qytetarëve të Kosovës. Ai politikan, i cili nuk mund të përmirësojë jetën e qytetarit të vet dhe mirëqenien ekonomike për 11 vjet, nuk do të mund ta përmirësojë as për 100 vjet.

RADIO EVROPA E LIRË
Lidhur me këtë, zyrtarët e lartë ndërkombëtarë kanë thënë, ditë më parë, se nga 12 dhjetori duhet të dalë një qeveri e pastër, e cila duhet të jetë e gatshme për t’u ballafaquar me sfidat e ardhshme që e presin Kosovën. Kosova pritet të nisë dialogun me Beogradin zyrtar pas zgjedhjeve. Ku e shihni rolin e Vetëvendosjes në këto bisedime, në rast se do të jeni të përfaqësuar në institucionet e Kosovës?

GLAUK KONJUFCA
Ne mendojmë se nuk duhet të ketë bisedime me Serbinë. Ndaj Serbisë duhet të ketë kushte, të cilat Serbia duhet t’i plotësojë.

Kushtet, të cilat Serbia duhet t’i plotësojë, janë reparacionet e luftës, dëmtimet e mëdha –15 miliardë dollarë janë vlerësuar dëmtimet që ia ka bërë Serbia Kosovës vetëm në luftën e fundit, s’po flas për më herët, sepse e ka dëmtuar në vazhdimësi.

Pastaj, rreth 2 mijë trupa të të pagjeturve janë në Serbi dhe Serbia e ka kthyer këtë në një çështje të pështirë politike, duke luajtur me fatin e mijëra familjeve që i kanë humbur më të dashurit e tyre. Mendojmë se për këtë nuk duhet të ketë negociata - për këtë do të ketë kushtëzim për Serbinë.

Jemi lodhur nga negociatat, nga të cilat Kosova humb. Edhe negociatat e ardhshme do të jenë për dy arsye: për Kosovën dhe për Serbinë në Unionin Evropian, jo për ndonjë përfitim tonin.

Pra, Serbia do të kërkojë më shumë komuna të reja serbe dhe Serbia do të kërkojë vendosjen e marrëdhënieve të mira kufitare, meqenëse të gjitha këto kushte kërkohen që Serbia t’i bashkëngjitet sa më shpejt BE-së.

Ne jemi kundër asaj që Kosova, me vetëdije të plotë politike dhe me vullnetin e vet institucional, të bëhet faktori kryesor që Serbia të hyjë në BE pa e njohur pavarësinë e Kosovës. Kosova duhet të ketë një politikë të jashtme ndaj Serbisë, që e pengon Serbinë të hyjë në BE pa e njohur pavarësinë e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, ju proklamoni bashkimin kombëtar, do të thotë bashkimin me Shqipërinë. Diplomacia ndërkombëtare apo shtetet e Kuintit janë shprehur kundër kësaj ideje. Mendoni se do ta fitoni mbështetjen e nevojshme për të realizuar një ide të tillë? Apo duhet të ndodhë, siç thuhet, një bashkim i natyrshëm brenda Bashkimit Evropian?

GLAUK KONJUFCA

Ne mendojmë se shqiptarët nuk mund të bashkohen brenda Bashkimit Evropian. Ne mendojmë se së paku Kosova me Shqipërinë, si republika, duhet të hyjnë bashkë në BE. Ky është edhe vullneti i popullit të Kosovës dhe të Shqipërisë, sipas hulumtimeve të fundit, sondazheve të ndryshme...

Mendoj se populli i Kosovës, sa herë që është nisur nga vullneti i tjetërkujt, nga një vullnet i huaj, nuk ka bërë ndonjë arritje të madhe historike.

Për shembull, kur kemi filluar luftën e armatosur kundër Serbisë, faktorin ndërkombëtar fillimisht e kemi pasur kundër. Mirëpo, pikërisht për faktin se populli i Kosovës nuk është dorëzuar dhe e ka ditur se ka të drejtë kundër Millosheviqit, qoftë edhe në mënyrë të armatosur, ndërsa bashkësia ndërkombëtare ka qenë për mënyrë paqësore - ky vullnet më në fund është respektuar prej bashkësisë ndërkombëtare. Përse? Sepse, ne kemi qenë shumë të vendosur.

E drejta e shqiptarëve në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Shqipërisë për të jetuar së bashku, është një e drejtë dhe vullnet i joni i natyrshëm, i cili buron prej shpirtit tonë.

Unë mendoj se edhe bashkësia ndërkombëtare do të ketë respekt për këtë lloj vullneti dhe do të dalë në anën tonë, ashtu siç ka dalë shumë shpesh gjatë historisë kur ne kemi qenë bashkë.
XS
SM
MD
LG