Ndërlidhjet

CIA tërheq shefin e saj nga Pakistani


Fshat i shkatërruar në Pakistan nga bombat e teledirigjuara
Fshat i shkatërruar në Pakistan nga bombat e teledirigjuara
CIA ktheu nga Pakistani zyrtarin e saj kryesor, pasi që iu zbulua identiteti dhe u kërcënua me vdekje.

Emri i shefit të supozuar të stacionit të CIA-s në Islamabad u zbulua nga pakistanezi Karim Kan, i cili kërcënoi se do ta padisë agjencinë për vdekjen e djalit dhe vëllait të tij në sulmet me raketa të SHBA-ve.

Kan dhe avokatët e tij në një konferencë për gazetarë në nëntor thanë se do të kërkojnë një pagesë prej 500 milionë dollarësh, për shkak të vdekjeve dhe kërcënuan se do ta ndjekin drejtorin e CIA-s, Leon Panetën, sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Robert Gejts, dhe njeriun që ata e identifikuan si oficer të CIA-s.

Javën e kaluar, Kan zyrtarisht kërkoi nga policia e Pakistanit që të hetojë shefin e stacionit të CIA-s për vdekjet. Kan i tha Radios Evropa e Lirë se ai nuk përjashton mundësinë e padisë edhe ndaj zyrtarëve pakistanezë.

“E kam identifikuar kreun e stacionit të CIA-s në Islamabad në rast se ai ishte përgjegjës për vrasjen e vëllait dhe birit tim. Nëse gjej prova të përfshirjes së qeverisë së Pakistanit dhe zyrtarëve në sulmet me avionë, atëherë përfundimisht do t’i padis edhe ata”,
tha Kan.

Mbështetësit e Kanit kanë mbajtur protesta në Islamabad duke i kërkuar zyrtarit të CIA-s që ta lëshojë vendin. Kan, që pretendon të jetë gazetar, ka refuzuar të qartësojë se si e ka siguruar emrin e zyrtarit.

Agjencia qendrore e spiunazhit e Pakistanit mohoi spekulimet se nga ajo kanë rrjedhur informacionet si hakmarrje ndaj një padie amerikane që akuzon kreun e Shërbimit të Brendshëm Informativ pakistanez se është i lidhur me sulmet që goditën qytetin indian të Mombait në vitin 2008.

Vetëm këtë vit në Pakistan janë kryer më shumë se 110 sulme të avionëve pa pilotë. Vetëm të premten, 24 militantë të dyshuar janë vrarë nga sulmet me raketa afër kufirit afgan.

Shtetet e Bashkuara, megjithatë nuk marrin përsipër sulmet me raketa. Kjo zemëron shumë pakistanezë, të cilët thonë se sulmet po vrasin shpesh civilë të pafajshëm.
Avokati i Kanit, Mirza Shahzad Akbar, tha se padia e Kanit kundër zyrtarëve të lartë ka inkurajuar shumë familje që janë viktima të sulmeve, që të çojnë edhe ata rastin e tyre përpara.

“Rasti është ngritur më 29 nëntor dhe njoftimi është marrë nga ambasada e SHBA-ve. Që atëherë disa viktima të këtyre sulmeve nga rajonet fisnore më kanë kontaktuar. Nuk ka justifikime për sulmet me aeroplanët pa pilotë as nën ligjet e Pakistanit, e as ato ndërkombëtare. Ata që kryejnë këto sulme, duhet të ofrojnë kompensim për familjet e njerëzve të vrarë gjatë sulmeve. Deri më tash 13 familje më kanë kontaktuar në lidhje me këtë çështje dhe më kanë ofruar prova”,
tha Akbar.

Ai theksoi se emrin e zyrtarit të CIA-s e ka marrë nga gazetarët lokalë.
Shefi i stacionit të CIA-s në Islambad është përgjegjës për udhëheqjen e programit të aeroplanëve pa pilotë. Ai, ose ajo, vepron si komandant de fakto ushtarak i luftës amerikane kundër Al Kaidës dhe grupeve tjera militante që fshihen përgjatë kufirit mes Pakistanit dhe Afganistanit. (a.i.)
XS
SM
MD
LG