Ndërlidhjet

EULEX: Aktakuzë për një rast madhor të krimit të organizuar


Më 23 dhjetor 2010, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), ngriti një padi kundër tre personave, të cilët ngarkohen me vepra të trafikimit të drogës dhe krim të organizuar, ka njoftuar EULEX-i përmes një komunikate për media.

Rasti, thuhet se, rrjedh nga një hetim i madh i ndërmarrë nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar e Policisë së Kosovës, iniciuar në fund të vitit 2008 e nën udhëheqjen e prokurorit special të EULEX-it nga PSRK-ja.

Për shkak të natyrës ndërkufitare të këtij grupi të organizuar kriminal, hetimet janë kryer në bashkëpunim me policitë dhe prokuroritë homologe nga vendet e Ballkanit dhe Evropës Perëndimore, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Dy nga të akuzuarit u arrestuan në Kosovë më 27 maj 2010, ndërsa i treti më 4 dhjetor 2010, në pajtim me urdhër-arrestin e lëshuar nga një gjyqtari i procedurës paraprake i EULEX-it.

Më vonë, faza e procedurës paraprake e gjykimit ju ka deleguar gjyqësisë vendore.

Të gjithë personat janë në paraburgim dhe në pritje të procedurave të mëtejshme.

Më 24 Dhjetor 2010 një panel i përbërë nga tre gjyqtarë të Kosovës urdhëroi vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj për të tre të akuzuarit.

Seanca e konfirmimit të aktakuzës është parashikuar të mbahet në fillim të vitit 2011.

EULEX nuk bëri të ditur identitetin e të pandehurve.
XS
SM
MD
LG