Ndërlidhjet

Sigurimi i mjeteve për rritje pagash


Oficer doganor i Kosovës gjatë inspektimit të automjeteve...

Oficer doganor i Kosovës gjatë inspektimit të automjeteve...

Zyrtarë të qeverisë në dorëheqje kanë kërkuar nga Administrata Tatimore dhe Doganat e Kosovës, që në këtë vit të shtojnë përpjekjet për më shumë të hyra buxhetore. Sipas ekspertëve të ekonomisë, kjo kërkesë është bërë me qëllim të realizimit të premtimeve të kryeministrit në largim, Hashim Thaçi, për rritje të pagave.


Administrata Tatimore dhe Doganat e Kosovës, mbesin dy organizatat kryesore, nga të cilat ku qeveria synon mbushjen e buxhetit për këtë vit, rrjedhimisht edhe të mundësohet rritja e pagave të premtuara nga kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, thonë njohës të çështjeve ekonomike.

Mejdi Bektashi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se qeveria e ardhshme duhet medoemos ta luftojë ekonominë e paligjshme, në mënyrë që Administrata Tatimore (ATK) dhe Doganat e Kosovës të realizojnë më shumë të hyra buxhetore.
Të luftohet ekonomia e paligjshme me qëllim që ATK-ja dhe Doganat ta mbushin buxhetin e Kosovës...


“Të luftohet ekonomia e paligjshme me qëllim që ATK-ja dhe Doganat ta mbushin buxhetin e Kosovës, ndoshta për qindra miliona euro. Një pjesë do të mund të shfrytëzohet për ngritjen e pagave të shërbyesve civilë dhe punëtorëve shtetërorë, që është një rritje që i barazon pagat e punëtorëve kosovarë me pagat e punëtorëve të shteteve të rajonit”,
thotë Bektashi.

Vendimi i qeverisë për rritje pagash për disa kategori në sektorin publik, buxhetit të këtij viti, i cili ende nuk është miratuar, do t’i kushtojë 100 milionë euro.

Doganat dhe ATK-ja qysh këtë vit duhet shtuar përpjekjet për më shumë të hyra në buxhet, kishte kërkuar edhe Ahmet Shala, ministër në dorëheqje i Ekonomisë dhe Financave. Shala nuk e kishte precizuar në mënyrë të saktë arsyen e kërkesës, por kishte thënë se këtë vit Kosova ka nevojë më të madhe për financime.

Drejtori i Doganave, Naim Huruglica, pohon angazhimet e këtij institucioni për të realizuar kërkesat e qeverisë.

Huruglica shpreh besimin e tij se me një angazhim të përbashkët të Policisë, Doganave dhe Administratës Tatimore, do të arrijë që t’i grumbullojë mjetet e planifikuara nga qeveria në dorëheqje e Kosovës për vitin 2011.

“Rritja e pagave në rastin konkret, në një mënyrë u është caktuar edhe doganierëve, do të thotë edhe zyrtarë doganorë kanë fituar një rritje prej 30 për qind, prej një janarit. Vetë fakti i rritjes së shpenzimeve, vetvetiu sjell nevojën për rritjen e performansës së të hyrave. Dhe, normalisht, pasi Dogana vazhdon të jetë organizata që mbledh më së shumti të hyra nga institucionet që janë taksambledhëse, neve na bie barra më e madhe për t’i mbledhur këto të hyra”,
thekson Huruglica.

Doganat vazhdojnë të jenë grumbulluesi kryesor i të hyrave, kjo për faktin se tatimi mbi vlerën e shtuar vazhdon të paguhet në kufi. Vitin e kaluar, sipas Huruglicës, kjo agjenci ka mbledhur 700 milionë euro.

Ndërkaq, për këtë vit qeveria ende nuk ka marrë vendimin përfundimtar rreth planit të të hyrave, por sipas parashikimeve, Huruglica thotë se këtë vit Doganat e Kosovës duhet të grumbullojnë mbi 800 milionë euro

Edhe Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thekson nevojën që këto dy institucionet të angazhohen më tepër në grumbullimin e të hyrave. Por, Zeka shpreh shqetësimin se nga vendimi i qeverisë për rritje të pagave, do të pësojnë bizneset.
Këto agjenci që janë të ngarkuara për mbushje të buxhetit, do të përpiqen medoemos të rrisin normën e mbledhjes
së tatimeve.


“Këto agjenci që janë të ngarkuara për mbushje të buxhetit, do të përpiqen medoemos të rrisin normën e mbledhjes së tatimeve. Por, ne kemi drojën se disa nga bizneset mund të penalizohen”
, shprehet Zeka.

Por, zyrtarë të qeverisë në largim tashmë kanë pohuar se rritja e të hyrave buxhetore, duhet të bëhet pa ngarkesa të reja fiskale, pa i ndëshkuar bizneset dhe tatim-paguesit tjerë, por vetëm duke i identifikuar të gjithë ata që kanë mundësi të paguajnë tatime, në këtë mënyrë duke ngushtuar hapësirën për ekonomi joligjore dhe invazion fiskal.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG