Ndërlidhjet

logo-print

Akuza të ndërsjella qeveri-opozitë

  • RFE /RL

Tiranë: Opozita, ditën e sotme e ka shpallur ditë zie në nderim të viktimave në protestën e 21 janarit.

Tiranë: Opozita, ditën e sotme e ka shpallur ditë zie në nderim të viktimave në protestën e 21 janarit.

Tirana sot ka gdhirë e qetë, pas përleshjeve të djeshme ndërmjet protestuesve dhe policisë, që lanë tre të vrarë dhe afër 60 të plagosur.

Me gjithë qetësinë në rrugët e Tiranës, tensionet politike janë shumë të larta, sepse qeveria dhe opozita këmbejnë akuza të pandërprera.

Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar lidershipin e opozitës se do të përballet me pasojat për demonstratën e dhunshme të ditës së djeshme, që u mbyll me tri viktima.

Në një konferencë për shtyp, Berisha ka deklaruar se deklaratat për “të larë duart” nuk do ta shpëtojnë kryetarin e Partisë Socialiste.

“Dje, Edvin Kristaq Rama, pasi dështoi të merrte pushtetin me dhunë, u paraqit në orën 1 të natës disa herë në mediat e vendit, duke u përpjekur të lajë duart me krimin e tij të shëmtuar. Unë jam sot këtu për t’i thënë Ramës, Ruçit, Gjinushit, autorë të vërtetë të krimit të shëmtuar të djeshëm, se akti juaj antikushtetues ka vetëm emrin tuaj dhe për këtë ju do të përballeni me të gjitha pasojat”, ka pohuar Berisha.

Ai ka theksuar se aktet e dhunës kanë qenë një skenar i organizuar nga kryesocialisti Rama dhe njerëzit e afërt me të.

“Zoti Rama, skenari i puçit të djeshëm, sulmi për të pushtuar kryeministrinë u projektua dhe u pagua vetëm nga ti dhe lejtnantët e tu, Ruçi dhe Gjinushi. Je ti zoti Rama që je vërsulur i tërbuar pas karrikes së pushtetit për të pushtuar kryeministrinë dhe ke drejtuar të gjithë sulmin nga lokalet e Fidelit”, ka theksuar Berisha.

Kreu i qeverisë e ka akuzuar më tej Ramën se ka manipuluar mediat, duke i përdorur ato për të manipuluar videon Meta-Prifti dhe për të mos treguar pamjet reale të demonstratës.

“Je ti zoti Rama shkelja e parimeve kushtetuese, që montove videon për të akuzuar kryeministrin. Je ti Edvin Kristaq Rama që drejtove sulmin para kryeministrisë dhe që më pas mediat e kthyera në hanxharin tënd, dhanë pjesë të tjera”, ka theksuar Berisha, i cili ka paralajmëruar të gjithë, siç ka thënë ai, “mercenarët” e akteve të dhunës se do të përballen me drejtësinë.

Tiranë, 21 janar 2011
“Për çdo shkelje ligji, të gjithë mercenarët do të marrin përgjigjen dhe dënimin e merituar. Nuk ka forcë në botë që të pushtojë demokracinë e Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s”, ka shtuar Berisha.

Kryeministri shqiptar ka mohuar kategorikisht të jetë qëlluar me armë zjarri nga zyrat e kryeministrisë, si dhe ka paralajmëruar edhe mbajtjen e një mitingu paqësor ditën e mërkurë, "për të dhënë mesazhin që pret bota e qytetëruar nga Shqipëria dhe që aktet e shëmtuara të ditës së djeshme të fshihen sa më shpejt nga memorja".

Ndërkohë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një konferencë për shtyp, ka akuzuar përsëri qeverinë për aktet e dhunës, të regjistruara gjatë demonstratës së opozitës.

Rama ka ritheksuar se "protestuesit kanë qenë të paarmatosur dhe se ata janë sulmuar për shkak të keqpërdorimit të policisë nga ana e pushtetit".

“Demonstruesit nuk ishin të armatosur, nuk ishin as të rrezikshëm, ishin vetëm opozitarë”, ka pohuar Rama.

Sipas tij, "fakti që asnjë polic nuk është plagosur me armë zjarri, tregon se demonstruesit nuk kanë qenë të armatosur dhe se ka qenë pikërisht policia e keqpërdorur që ka hapur zjarr mbi ta".

Lideri i opozitës ka kërkuar një hetim të pastër nga prokuroria dhe ka premtuar se "drejtësia për personat e sulmuar herët a vonë do të vijë".

Por, akuza drejt Ramës ka adresuar edhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Në një deklaratë për shtyp, ai ka dënuar protestën e 21 janarit, duke bërë përgjegjës kreun e opozitës.

“Ajo që ka ndodhur dje, nuk është surprizë. Edi Rama donte të rrëzonte një qeveri legjitime, pasi u përpoq të blinte deputetë të mazhorancës me deputetë të blerë, duke qenë në fundin e tij si politikan. Duke humbur çdo lloj logjike dhe përgjegjësie politike, iu drejtua krimit të organizuar”, ka thënë Meta.

Ai ka kërkuar nga organet kompetente të zbardhin hetimet. Meta njëkohësisht i ka bërë thirrje kreut të PS-së të heqë dorë, pasi, siç ka thënë, "pushteti nuk merret me dhunë, me falangat e krimit të organizuar e krimit ordiner”.

Ndryshe, opozita, ditën e sotme e ka shpallur ditë zie në nderim të viktimave të përleshjeve të djeshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG