Ndërlidhjet

Nisin ankesat


Fotografi nga zgjedhjet e fundit në Kosovë

Fotografi nga zgjedhjet e fundit në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 12 dhjetorit, si dhe ka bërë publike shpërndarjen e ulëseve në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës. Ndërkohë, disa orë pas publikimit, në PZAP kanë filluar të arrijnë ankesat e para. Certifikimi i zgjedhjeve ndërkaq, pritet të bëhet pas kalimit të afateve ligjore për parashtrimin e ankesave.


Kanë nisur ankesat e para ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja.

Në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kanë arritur disa ankesa nga subjekte politike dhe kandidatë të ndryshëm, të cilët pretendojnë se gjatë numërimit, votat e tyre janë manipuluar.

Ankesat janë bërë disa orë pasi KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare për zgjedhjet e 12 dhjetorit.

Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 32.11 % apo 34 ulëse në Kuvendin e Kosovës; Lidhja Demokratike e Kosovës 24.9 për qind me 27 mandate; Vetëvendosje 12.69 për qind apo 14 deputetë; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 11.04 për qind me 12 mandate; Aleanca Kosova e Re 7.29 për qind me 8 mandate.

Fryma e Re dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë nuk kanë arritur të kalojnë pragun zgjedhor. Ndërkaq, minoritetet kanë fituar 25 vende në përbërjen e ardhshme të Kuvendit. Pjesëmarrja në zgjedhjet e 12 dhjetorit ishte 45.29 për qind.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, shpjegoi se miratimi i rezultateve është bërë me konsensus të plotë të anëtarëve të KQZ-së. Ndërkaq, certifikimi bëhet pas kalimit të afateve ligjore për dorëzimin e ankesave eventuale.

“Certifikimin e rezultateve do ta bëjmë pasi që t’i kemi konfirmimet nga PZAP-i dhe Gjykata Supreme në rast se ka ndonjë ankesë në lidhje me rezultatet nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve. Gjithashtu i informoj të gjithë ata, që kanë ndonjë ankesë, apo konsiderojnë se ka ndonjë çështje, për të cilën do të ankohen, këtë mund ta bëjnë 24 orë duke filluar nga ora 21 e 15 deri në ditën e nesërme në po të njëjtën kohë”, bëri të ditur Daka në konferencën për gazetarë të mbajtur të dielën në mbrëmje.

Nëse eventualisht ka ankesa, atëherë duhet pritur edhe 72 orë për përgjigje nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

“Në qoftë se ka ankesa prapë për vendimet e PZAP-it, do të ketë përsëri mundësi që të ankohen në Gjykatën Supreme në afat prej 24 orësh nga marrja e vendimit të PZAP-it dhe Gjykata Supreme do t’i ketë përsëri 72 orë që të përgjigjet në këto ankesa”,
shtoi Daka.

Kanë qenë ankesat e subjekteve politike për parregullsi në zgjedhje, ato që kanë zvarritur përmbylljen e procesit zgjedhor. Më 9 janar për shkak të këtyre parregullsive, u rivotua në 5 komuna të Kosovës. Ndërkaq, rinumërimi i 40 për qind të votave të rregullta ka shtyrë, po ashtu, shpalljen e rezultateve përfundimtare.

Partia Demokratike e Kosovës premtoi se do të arrijë shpejt marrëveshjen me subjektet politike për formimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës, edhe pse ende nuk ka saktësuar se me kë do të hyjë në koalicion.

Ndryshe, pesë më të votuarit në zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit janë kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, me 160 850 vota. Pas tij renditet kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, me 130 213 vota.

Fatmir Limaj është deputeti i tretë më i votuar, me 75 689 vota. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, është i katërti me 58 467 vota, dhe i pesti ndër më të votuarit është Ramush Haradinaj, me 54 713 vota.

Ndërkaq, deputetët e ardhshëm janë si në vijim:
Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 34 mandate. Deputetë të legjislativit të ri nga kjo parti janë: Hashim Thaçi, Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi, Azem Syla, Enver Hoxhaj, Hajredin Kuçi, Elmi Reçica, Shaip Muja, Bajram Rexhepi, Latif Gashi, Bedri Hamza, Vlora Çitaku, Bekim Haxhiu, Zenun Pajaziti, Behar Selimi, Xhavit Haliti, Memli Krasniqi, Fadil Demaku, Vehap Idrizi, Adem Grabovci, Fatmir Xhelili, Halit Krasniqi, Ramë Vataj, Ramiz Lladrovci, Flora Brovina, Sala Berisha-Shala, Blerta Deliu-Kodra, Hasime Krasniqi, Justina Pula, Lumnije Morina, Salihe Mustafa, Xhevahire Izmaku, Ganimete Musliu, Safete Hadërgjonaj.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës janë zgjedhur 27 deputetë: Isa Mustafa, Sabri Hamiti, Ismet Beqiri, Arben Gashi, Nekibe Kelmendi, Lutfi Haziri, Naser Osmani, Anton Çuni, Hashim Deshishku, Eqrem Kryeziu, Bahri Thaçi, Ali Sadriu, Skënder Hyseni, Vjosa Osmani, Armend Zemaj, Imri Ahmeti, Haki Demolli, Salih Morina, Nazane Breca, Sadri Ferati, Rita Hajzeraj-Beqaj, Teuta Sahatçija, Lirije Kajtazi, Lutfi Zharku, Hykmete Bajrami, Afërdita Berisha –Shaqiri, Vjollca Krasniqi.

Lëvizja Vetëvendosje përfaqësohet me 14 deputetë: Albin Kurti, Florin Krasniqi, Glauk Konjufca, Rexhep Selimi, Afrim Hoti, Liburn Aliu, Albana Fetoshi, Agim Kuleta, Visar Ymeri, Afrim Kasolli, Alma Lama, Aurora Bakalli, Albana Gashi, Albulena Haxhiu.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë 12 deputetë: Ramush Haradinaj, Ukë Rugova, Daut Haradinaj, Donika Kadaj-Bujupi, Blerim Shala, Ramiz Kelmendi, Ahmet Isufi, Ardian Gjini, Burim Ramadani, Kymete Bajraktari, Time Kadrijaj dhe Teuta Haxhiu.

Tetë deputetët e zgjedhur të Aleancës Kosova e Re, janë: Behgjet Pacolli, Ferid Agani, Mimoza Kusari-Lila, Agim Çeku, Muhamet Mustafa, Ibrahim Makolli, Myzejene Selmani, Sevdije Lama.

Minoritetet në zgjedhjet e 12 dhjetorit fituan 25 mandate.

SLS: Slobodan Petroviq, Nenad Rashiq, Sasha Rashiq, Petar Miletqi, Goran Marinkoviq, Jelana Bontiq, Jasmina Zhivkoviq, Biserka Kostiq

SDSKIM: Sasha Gjokiq.

JSL: Vesna Mikiq, Vesimir Saviq, Sreten Ivanoviq, Rada Trajkoviq.

KDTP: Mahir Jagxhilar, Enis Kervan, Mufera Srbica-Shinik

GIG: Mursel Halili

BSDAK: Hamza Balje

VAKAT: Rasim Demiri, Duda Balje

PAI: Etem Arifi

PREBK: Albert Kinolli

PDAK: Danush Ademi

IRDK: Xhevdet Neziraj

NDS: Emilija Rexhepi
XS
SM
MD
LG