Ndërlidhjet

Maqedoni: Zgjedhjet - opsion për dalje nga kriza


Shkup
Shkup
Të gjitha forcat politike të opozitës, duke përfshirë ato maqedonase dhe shqiptare, vlerësojnë se vetëm mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme mund ta shpëtojë vendin nga kriza politike, duke akuzuar Qeverinë për bllokimin e proceseve euro-integruese, si dhe problemet sociale, me të cilat ballafaqohen qytetarët.


Braktisja e ulëseve në Parlament e deputetëve të opozitës, reflekton qartë nivelin e demokracisë në Maqedoni, thotë sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Andrej Petrov. Ai përsërit qëndrimin e partisë së tij se Maqedonia ka nevojë për organizimin e shpejtë të zgjedhjeve për kapërcimin e krizës politike në vend.

“Ne do të veprojmë me popullin, derisa të shpallen zgjedhjet e parakohshme, ngase gjatë veprimit shumëpartiak të Maqedonisë, asnjëherë nuk kemi pasur qeveri më antidemokratike dhe antipopullore, e cila rrezikon lirinë e demokracisë në vend”, thotë Petrov.

Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, gjithashtu përsërit kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Vlerësoj se varianti më i dhimbshëm, më i qetë dhe më demokratik për të dalë nga kjo krizë është shkuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme. Ne jemi të gatshëm, por kërkojmë ndryshime në kodin zgjedhor”,
thekson Thaçi, partia e të cilit tashmë dy vjet bojkoton punën e Kuvendit.

Edhe Demokracia e Re vlerëson se Maqedonia mund të shpëtojë nga izolimi dhe kriza e krijuar gjithëpërfshirëse përmes organizimit të zgjedhjeve të parakohshme.

“Kjo shumicë parlamentare e përbërë nga VMRO DPMNE dhe BDI-ja, jo vetëm që nuk ofroi asgjë të mirë për qytetarët, përkundrazi, ngadalësoi proceset integruese në Maqedoni, acaroi marrëdhëniet ndëretnike dhe përçau shoqërinë. Kështu që, e vetmja zgjidhje është që këto dy parti t’ia kthejnë mandatin popullit dhe të ballafaqohen me popullin”,
vlerëson Arjanit Hoxha, zëdhënës i Demokracisë së Re.

Ndryshe, kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, mbrëmë deklaroi se për momentin partia që drejton ai, VMRO DPMNE, nuk ka ndonjë qëndrim për zgjedhjet e parakohshme.

“Subjekti ynë do të shqyrtojë të gjitha opsionet dhe në rast se do të miratohet një vendim i tillë, atëherë opinioni do të njoftohet me kohë”,
ka deklaruar të hënën Gruevski në një intervistë për Televizionin A1, i cili vazhdon të emetojë program në qiell të hapur në një studio të improvizuar para ndërtesës së Qeverisë.

Mirëpo, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, sipas BDI-së, është në dëm të procesit integrues. Tahir Hani, deputet i kësaj partie, thotë se vendimi do të merret në takimin e së mërkurës të kryesisë qendrore.

Ndryshe, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski, vlerëson se pavarësisht që bojkoti është e drejtë legjitime e partive politike, një hap i tillë nuk u shërben interesave nacionale të shtetit.

“Po qe se opozita kërkon të vendosë në rend dite kërkesën për shpërbërjen e Parlamentit, të njëjtën do ta vendos në rend dite në mbledhjen e radhës”,
deklaron Veljanovski.

Ditëve të fundit shqetësime lidhur me krizën e krijuar politike në Maqedoni, pas bojkotit të Parlamentit nga ana e opozitës, në vazhdimësi ka shprehur edhe faktori ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG