Ndërlidhjet

Presin miratimin e buxhetit


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës shprehen të shqetësuar dhe të zhgënjyer me njoftimin e qeverisë se nuk do të ketë rritje pagash për sektorët e caktuar. Një gjë e tillë ishte premtuar nga kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, gjatë fushatës parazgjedhore.

Kjo sindikatë, e cila vazhdimisht ka thënë se do të jetë kujdestare e realizimit të premtimeve, sot ka deklaruar se do të presë deri në miratimin e buxhetit të këtij viti.

Haxhi Arfi, udhëheqës i BSPK-së, tha se nëse rritja e pagave nuk ndodh pas miratimit të buxhetit, atëherë sindikalistët do të bëjnë trysini përmes grevave dhe protestave.

“Me aprovimin e buxhetit, duhet të realizohet... Jam i bindur se kjo do të realizohet përmes dialogut, ose përmes hapit tjetër - që unë kurrë nuk e dëshiroj”,
tha Arifi.

Punonjësve të arsimit, qeveria në dorëheqje u ka premtuar rritje pagash për 50 për qind. Ata madje kanë nënshkruar edhe listat e pagave me rritje.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Ali Shabani, thotë se për hapa të mëtutjeshëm do të presin deri në miratimin e buxhetit.

“Në këtë rast, ende nuk ka vakuum institucional... Ata e kanë përgjegjësinë. Ne bashkërisht ishim në qeveri, për të biseduar dhe për të gjetur zgjidhje për problemet që aktualisht po ndodhin”.

“Në momentin kur kalon afati kohor, për të cilin jemi pajtuar të gjithë, atëherë do të veprohet sindikalisht”,
u shpreh Shabani.

Për shkak të mosrealizimit të premtimeve të qeverisë në dorëheqje për rritje pagash për mësimdhënësit, një shkollë në Prishtinë sot ka ndërprerë procesin mësimor.

Remzi Salihu, drejtor i departamentit komunal të arsimit në Prishtinë, thotë se bëhet fjalë për Shkollën “Sami Frashëri”.

“Në Shkollën ‘Sami Frashëri’, ndërrimi i paradites në një formë e ka ndërprerë mësimin, në reagim për mosrritje të pagave... do të thotë, është një sensibilizim më tepër. Besoj se pasdite do të fillojë të mbajë mësim”, tha Salihu.

Në vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritje pagash është thënë se duke filluar nga 1 janari, sektori i arsimit parauniversitar, familjet e dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës do të marrin paga me ngritje për 50 për qind; Policia e Kosovës do të ketë rritje pagash për 40 për qind, kurse shërbyesit civilë, zyrtarët doganorë, shëndetësia dhe zjarrfikësit do të kenë ngritje për 30 për qind.

Ky vendim vazhdimisht është vlerësuar i parealizueshëm nga njohësit e çështjeve ekonomike dhe përfaqësuesit e opozitës.


S'ka rritje pagash

Përfaqësuesit e qeverisë në dorëheqje kanë njoftuar se nuk do të ketë rritje të pagave për muajin janar.

Ata kanë thënë se vendimi i qeverisë për rritjen e pagave në sektorë të caktuar, që paguhen nga buxheti i Kosovës, mbetet në fuqi dhe se i njëjti do të zbatohet në mënyrë retroaktive pas aprovimit të buxhetit të vitit 2011 nga Kuvendi i Kosovës.

Në një konferencë për media, zëvendësministri në largim i Ekonomisë, Bedri Hamza, tha se stërzgjatja e procesit zgjedhor dhe mosmiratimi i buxhetit, janë arsyet kryesore që punëtorët e disa sektorëve publikë nuk do t’i marrin pagat e janarit me rritje.

“Sikur zgjedhjet të kishin përfunduar në muajin dhjetor, ashtu siç ka qenë e planifikuar, ne në fund të janarit do ta kishim buxhetin e aprovuar konform ligjit të ri. Besoj se do ta kemi mirëkuptimin e të gjithë atyre që realizojnë pagat përmes buxhetit”.

“Ne gjithashtu qëndrojmë në atë se do ta realizojmë vendimin tonë dhe jemi të sigurt që të gjitha këto do të jenë të harmonizuara me institucionet relevante, të cilat kanë rol të caktuar në Kosovë”,
tha Hamza.

Ai hodhi poshtë mundësinë e presioneve nga jashtë për rritje të pagave.

“Qeveria nuk merr vendime nën presion. Qeveria e Kosovës merr vendime konform planit dhe agjendave të veta. Këto kanë qenë premtime të qeverisë dhe të kryeministrit të Kosovës dhe këto vendime do të ekzekutohen”, tha Hamza.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, së bashku me përfaqësuesit e sindikatave të tjera të punëtorëve, të cilët kanë pritur rritjen e pagave, janë shprehur të zhgënjyer me deklaratat e qeveritarëve.

Nënkryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli, i cili ka qenë i pranishëm në takimet me kryeministrin në dorëheqje, dha detaje nga bisedat e zhvilluara:

“Nuk kemi mundësi t’i lëshojmë të hollat tash për tash... me aprovimin e buxhetit të Kosovës do të lëshohen ato... Ne kemi pritur që pagat t’i marim me rritje, por nuk ndodhi, të shohim tash...”.

Vendimi për rritje pagash ishte shoqëruar me kritika nga opozita dhe ekspertë të ekonomisë, të cilët e konsideronin të paligjshëm dhe në kundërshtim me marrëveshjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se shtyrja e rritjes së pagave është pritur të ndodhë.

“Ka qenë fare e qartë se një dukuri e tillë do të jetë shumë e vështirë. Do të jetë e vështirë për dy arsye: në radhë të parë në aspektin intern, ku fare mirë dihet se nuk kemi buxhet të konsoliduar dhe një buxhet i tillë duhet të miratohet në parlament”.

“E dyta, nuk ia vlen për shkak të premtimeve të acarohen raportet me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Me siguri se ky është një hap që qeveria e ka analizuar fare mirë”,
tha Gërxhaliu.

Sociologu Fadil Maloku, drejtues i Institutit për Demokraci dhe Relacione Etnike, shprehu drojën se mosrritja e pagave do t’i rrisë edhe më shumë pakënaqësitë sociale në vend.

“Frustrimi rreth problemeve sociale që i përkasin shoqërisë sonë do të rritet edhe më shumë. Nëse edhe më tutje vazhdon kjo mospërmbushje, unë kujtoj se gjithnjë e më tepër do të shkohet drejt një tensionimi të mëtejmë social”, u shpreh Maloku.


Ambasada amerikane mirëpret shtyrjen e rritjes së pagave

Ambasada amerikane në Prishtinë ka mirëpritur vendimin e kryeministrit Thaçi për të shtyrë pagesën e rritjes së pagave, derisa Kuvendi të miratojë buxhetin e vitit 2011.

“Vendimi i kryeministrit tregon respekt për sundimin e ligjit dhe rendin kushtetues në Kosovë”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-ve.

“Udhëheqësia kërkon marrjen e vendimeve të vështira. Sot, kryeministri tregoi se qeverisja e mirë është prioritet i Kosovës. Ky ishte vendim i drejtë”.

“Ne besojmë në garancitë e kryeministrit se qeveria do të vazhdojë angazhimin e saj për shërbyesit publikë të Kosovës dhe presim që Kuvendi të miratojë buxhetin e vitit 2011 në ditët e para të afatit të ri”, vijon komunikata.

Sipas ambasadës amerikane, “rritja e vazhdueshme ekonomike dhe zhvillimi i Kosovës varen nga partneriteti i fortë me aleatët e saj dhe instictucionet financiare ndërkombëtare”.

“Sot, Kosova ka treguar se është një partner i fortë dhe i besueshëm”, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane në Prishtinë.
XS
SM
MD
LG