Ndërlidhjet

Pagat e ulëta largojnë punonjësit publikë


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Sektori publik rrezikohet nga ikja e profesionistëve, si rezultat i pagave të ulëta.

Paga e ulët bën që shumë punëtorë të institucioneve publike të braktisin vullnetarisht punën, duke kërkuar kushte më të mira në sektorin privat apo edhe në organizata ndërkombëtare.

Violeta Elezi ka qenë zëdhënëse në Policinë e Kosovës. Ajo ka lëshuar punën duke iu bashkëngjitur një organizate ndërkombëtare.

“Arsyeja e braksrtisjes ka qenë paga e ulët në shërbimin policor, mirëpo nuk do të thotë që nuk do t’i bashkëngjitem prapë policisë. Tani punoj në ICO – organizatën civile ndërkombëtare, ku kushtet i kam më të mira”, thotë ajo.

Sindikalistët e policisë konsiderojnë se largimi vullnetar i autoriteteve të rendit është shumë i dëmshëm, duke marrë parasysh që të gjithë këta pjesëtarë janë të kualifikuar për lëmi të caktuara.

Valbona Kamberi, zyrtare në këtë sindikatë, thotë se që nga formimi i policisë në vitin 1999 e deri më tani, 1300 punonjës e kanë lëshuar punën.

“Kjo ka ndikuar shumë keq dhe ka qenë një brengë për policinë e Kosovës, sepse gjatë gjithë këtyre viteve këta zyrtarë janë trajnuar për lëmi të caktuara. Tani, me atë profesionalizëm, ata punojnë në vende të ndryshme, si: postë, banka etj. Pozicionet që kanë mbetur më keq në polici, janë në sektorët e krimit ekonomik”.

“Personat që janë shkolluar për këtë lëmi janë larguar vullnetarisht nga policia dhe punojnë në bankat e Kosovës, sepse paguhen shumë më mirë”,
thotë Kamberi.

Pagat e vogla kanë detyruar edhe shumë punëtorë të shëndetësisë të lëshojnë punën në Qendrën Klinike Universitare.

Vetëm gjatë vitit 2010 kanë ikur 16 mjekë specialistë dhe 110 infermierë. Shpend Fazliu, zëdhënës i kësaj qendre, thotë se trendi i lëshimit vullnetar të punës ka goditur më së shumti sektorin e anestezisë.

“Arsyet janë kushtet e vështira ekonomiko-financiare. Shumica e tyre janë angazhuar në institucionet private, sepse paguhen shumë më mirë”,
thotë ai.

Blerim Syla, nga sindikata e shëndetësisë, shpreh shqetësimin e tij lidhur me humbjen e specialistëve mjekësorë nga sektori publik.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të marrë masa urgjente, në mënyrë që t’i ruajë profesionistët shëndetësorë, duke e trajtuar si primar sistemin e shëndetësisë.

Arsyet dihen... kushtet joadekuate, trajtimi jo i mirë i shtetit, andaj kanë shkuar në sektorin privat. Është dëmtuar sektori publik shumë dhe është një refleksion negativ edhe për gjeneratat e ardhshme”, thekson Syla.

Më 6 janar të këtij viti, kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, pati marrë vendim në emër të qeverisë, që një pjese të sektorit publik t’i rriten pagat, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
XS
SM
MD
LG