Ndërlidhjet

Shën Valentini: Diku festë, e diku përçmim


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Lindja ndihet e turpshme kur bëhet fjalë për të festuar Shën Valentinin. Disa vende, madje, e ndalojnë festën, duke e cilësuar si imponim nga Perëndimi, derisa aktivistë të vendeve tjera e shfrytëzojnë këtë ditë tradicionale të dashurisë për të bërë politikë.

Në Irak, tri grupe të rinjsh kanë zgjedhur ditën e Shën Valentinit për të protestuar në Bagdad. Njëri nga protestuesit, Navëf al-Falahi, shpjegon motivet:

"Kemi zgjedhur 14 Shkurtin, ditën e Shën Valentinit, për t’ia dëshmuar botës se e kemi emëruar këtë ditë si Shën Valentin për Irakun. Jemi këtu për të shfaqur dashurinë që ndjejmë ndaj Irakut. Kërkesa jonë nuk është e vështirë, ne duam që situata të reformohet. Nuk ka pasur asnjë ndryshim që nga 2003-ta dhe deri tani, nuk ka asnjë zhvillim”.


Shën Valentini përgjithësisht njihet si festë e krishterë, por në fakt, ka origjinë pagane. Përpjekjet e hershme nga liderët e krishterë për ta krishtëruar këtë festë pagane, kanë nxitur bindjen se me të nderohet prifti romak i shekullit të III, me emrin Valentin.

Me kalimin e kohës, festa e ditës së Shën Valentinit është shndërruar në një festë të përqafuar nga të gjithë, me të cilën shënohet dashuria, posaçërisht mes çifteve.

Por, kjo përbën shqetësim për shumë vende islamike, të cilat ruajnë vlerat morale tradicionale që nuk ndërlidhen me festimet moderne të Shën Valentinit.

Në Uzbekistan është thënë se “forcat me synime djallëzore” janë prapa popullaritetit të Ditës së të Dashuruarve, derisa në Kazakistan ka pasur edhe protesta nga të rinjtë për ta kundërshtuar këtë festë.

Shën Valentini është festë e re për Azinë Qendrore, meqë nuk ishte shënuar fare në kohën e Bashkimit Sovjetik.

Këto vende synojnë të përqafojnë një qasje më pragmatike, me dyqane lulesh dhe çokollatash që ngrenë çmimet për ata që duan të gëzojnë të dashurit e tyre.

"Disa njerëz thonë se nuk është festë e jona, por ne kemi nevojë për festa të këtilla, festa dashurie. Nëse njerëzit nuk e duan njëri-tjetrin, si do të martohen. Nuk ka jetë pa dashuri”, thotë një kalimtar rasti në Bishkek të Krigizisë.

Duket se pavarësisht cilat vende shënojnë festën kundërthënëse të Shën Valentinit, është dashuria ajo që e bën botën të rrotullohet.(a.v.)
XS
SM
MD
LG