Ndërlidhjet

Aeroplanët luftarakë e sulmojnë Tripolin


Mbetja në pushtet e sunduesit të Libisë, Muamer Gadafi, duket se është dobësuar, pasi lojalistët ia kthyen shpinën, ndërsa dy pilotë luftarakë u larguan në Maltë, duke pretenduar se Forca ajrore e Libisë ishte urdhëruar t’i bombardonte demonstruesit kundër qeverisë.

Korrespondentët thonë se aeroplanët luftarakë të Libisë sot kanë bombarduar pjesë të kryeqytetit Tripoli, dhe së paku dy qytete të tjera, ku demonstruesit janë mbledhur duke kërkuar përmbysjen e regjimit të Gadafit.

Raportohet, poashtu, se ka pasur të shtëna nga helikopterët kundër masës së protestuesve, që ka shkaktuar një rrebesh të kritikave ndërkombëtare.

Sulmet ajrore janë pjesë e goditjes kundër protestuesve, që raportohet se janë urdhëruar nga vetë Gadafi, i cili u paraqit në televizionin shtetëtor gjatë natës, për t’i hedhur poshtë raportet se ai ishte larguar në Venezuelë.

Pamjet televizive e tregonin Gadafin në derën e hapur të një makine ushtarake dhe duke e mbajtur një ombrellë mbi kokë. Me këtë rast ai i lavdëroi mbështetësit e tij të rinjë, që gjatë natës kishin organizuar protesta në favor të qeverisë në qendër të Tripolit.

“Dëshiroj të tregoj se unë jam në Tripoli dhe jo në Venezuelë. Mos u besoni kanaleve që u takojnë qenve endacakë. Kisha dëshiruar të them diçka për të rinjtë në Sheshin e Gjelbër dhe të qëndroj me ta deri vonë, por ka filluar të bjerë shi. I falënderohem Zotit, është gjë e mirë”, tha Gadafi në televizionin shtetëror.

Njëherësh, ky televizion, i kishte përgënjeshtruar raportet se forcat e sigurisë dhe aeroplanët qeveritarë kishin masakruar protestuesit në Libi.

Grupet për të drejtat e njeriut thonë se trupat qeveritare, gjatë një jave, kanë vrarë afro 400 njerëz, në përpjekje për të heshtur trazirat, që paraqesin kërcënimin më të madh për sundimin 41 vjeçar të Muamer Gadafit.

Reagimet ndërkombëtare kundër regjimit të Gadafit janë në rritje e sipër.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, ka reaguar gjithashtu.

“Autoritetet e Libisë kanë shtënë kundër demonstruesve nga aeroplanat luftarakë dhe helikopterët. Kjo është e papranueshme. Kjo duhet të ndalet menjëherë”, tha Ban Ki-mun.

Komisionarja e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Navi Pillay, ka bërë thirrje për hetime ndërkombëtare lidhur me vrasjet e qindra demonstruesve në Libi.

Disa diplomatë i kanë bërë thirrje OKB-së për imponim të zonës së ndaluar të fluturimeve mbi Libi, për t’i parandaluar vrasjet e demonstruesve nga forcat ajrore të Libisë.

Njëherësh, aleatët kryesorë të Muamer Gadafit, duket se po e humbin besimin në regjimin e tij dhe po ndërmarrin hapa për ta distancuar vetveten nga dhuna.

Ambasadorët e Libisë në Ligën Arabe, në Indi dhe në vendet e tjera, kanë dhënë dorëheqje, në shenjë proteste kundër brutalitetit të ndërhyrjes së qeverisë. Misioni i Libisë në OKB ka deklaruar se është në anën e popullit të Libisë, e jo me regjimin e Gadafit.

Zëvendës ambasadori i Libisë në OKB, Ibrahim al-Dabashi, ka tërhequr vërejtjen se nëse Gadafi nuk largohet nga pushteti, “populli i Libisë do të lirohet nga ai”.

Ai poashtu, e ka dënuar atë që ai e cilësoi “vrasje masive kriminale” të protestuesve.

“Pas asaj që kemi parë se çka po ndodhë në Libi, dhe pas një lloji të shpalljes së luftës kundër popullit të Libisë, që u deklarua nga djali i Gadafit, ne e pamë se është e pamundshme të mbesim të heshtur dhe ne duhet ta transmetojmë zërin e popullit të Libisë në botë”, tha Ibrahim al-Dabashi.

Goditjen e dhunshme në Libi kundër protestuesve e kanë dënuar edhe Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Irani, India, Kina dhe Indonezia.

Me gjuhë të ashpër ka reaguar edhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Ketrin Eshton.

“Ne e dënojmë represionin që po vazhdon kundër demonstruesve në Libi dhe jemi të shokuar nga dhuna dhe vdekja e civilëve. Bëjmë thirrje për ndaljen e menjëhershme të përdorimit të forcës kundër protestuesve dhe që të gjitha palët të tregojnë përmbajtje”, tha Ketrin Eshton. (f.b.)

Protestat antiqeveritare në Libi
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:20 0:00




XS
SM
MD
LG