Ndërlidhjet

(Mos)Pjesëmarrja e serbëve


Graçanicë
Graçanicë
Nën organizimin e Projektit për marrëdhënie ndër-etnike, përfaqësues të serbëve të Kosovës, ata të institucioneve kosovare dhe ndërkombëtare diskutuan për pjesëmarrjen e serbëve në regjistrimin e popullsisë. Një pjesë e serbëve e cilësuan të domosdoshme pjesëmarrjen e serbëve në këtë proces, ndërsa disa të tjerë thanë se duhet pritur vendimi konkret i Beogradit zyrtar mbi këtë çështje.


Serbët e Kosovës kanë qëndrime kundërthënëse për pjesëmarrjen e tyre në regjistrimin e popullsisë. Derisa përfaqësuesit e serbëve që janë pjesë e institucioneve shtetërore të Kosovës thanë se pjesëmarrja e serbëve kosovarë në këtë proces është e domosdoshme, ata që përfaqësojnë serbët jashtë institucioneve, vlerësuan se nuk janë krijuar kushtet që serbët të jenë pjesë e regjistrimit.

Në një debat të organizuar nga Projekti për marrëdhënie ndëretnike, njëri nga përfaqësuesit e serbëve të pjesës qendrore të Kosovës, Rangjell Nojkiq, tha se pjesëmarrja e serbëve të vendit në regjistrimin e popullsisë vështirësohet nga një varg çështjesh teknike që kanë të bëjnë me dokumentacionin e tyre.

Pjesa më e madhe e serbëve që jetojnë në zona të ndryshme të vendit, sipas tij, nuk posedojnë dokumentacion të shtetit të Kosovës. Një problem tjetër, sipas tij, ka të bëjë me banorët rezidentë dhe serbët që janë shpërngulur gjatë luftës nga Kosova.

“Dokumentet personale janë shumë të rëndësishme, sepse kërkohet certifikata e lindjes, e cila është vështirë për t’u nxjerrë nga Serbia. Si dëshironi ta bëni regjistrimin nëse nuk mund t’i identifikoni njerëzit?”


“Çka mund të humbasin serbët nëse nuk marrin pjesë në regjistrim, e çka nëse ky regjistrim i bashkon serbët me një qëndrim, sipas të cilit u kërkohet të gjithë serbëve të mos marrin pjesë. Në këtë kuptim, shtrohet pyetja sa do të jetë i vlefshëm ky regjistrim për institucionet vendore e ndërkombëtare?”,
u shpreh Nojkiq duke theksuar rëndësinë që Beogradi t’u dërgojë serbëve kosovarë sinjale të qarta për pjesëmarrjen e tyre në këtë proces.

Mirëpo, këshilltari i kreut të komunës së Graçanicës, Nebojsha Periq, tha se regjistrimi i popullsisë mund të jetë një shans i mirë për marrjen e shifrave të sakta për numrin e serbëve që jetojnë në Kosovë.
Me mospjesëmarrje të serbëve, nuk mund ta ndalojmë këtë proces, ashtu siç nuk kemi mundur t’i ndalojmë proceset tjera politike.

“Me mospjesëmarrje të serbëve, nuk mund ta ndalojmë këtë proces, ashtu siç nuk kemi mundur t’i ndalojmë proceset tjera politike. Cili është interesi ynë? Ekzistojnë shumë të dhëna të ndryshme, të cilat i posedon Beogradi dhe i plason në publik lidhur me numrin e serbëve të zhvendosur dhe numrin e serbëve që jetojnë në Kosovë, në krahasim me të dhënat e Prishtinës. Edhe ndërkombëtarët kanë të dhëna të ndryshme. Pra, le të shohim pas këtij regjistrimi se sa jemi në fakt në Kosovë”,
theksoi Periq.

Përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për regjistrimin e popullsisë në Kosovë theksuan se rezultatet e nxjerra nga regjistrimi i popullsisë në Kosovë, do të kenë vetëm qëllim statistikor.

Kreu i Komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë, Rifat Blaku, sqaroi:

“Kemi të bëjmë me një projekt jopolitik, me një projekt, i cili është dizajnuar jo në Prishtinë, e as në Beograd, por është hartuar në qendrat evropiane për të gjitha shtetet që në xhiron e vitit 2011 duhet të nxjerrin nga vendet e tyre realitetin ekonomik, material, social e kulturor, arsimor e shëndetësor për popullatën”.


Regjistrimi i popullsisë në vend ishte zhvilluar për herët të fundit para 20 vjetësh, ndërsa sikurse në shumicën e vendeve të rajonit, regjistrimi pritet të zhvillohet sërish në muajin prill.

Analisti politik Shkëlzen Maliqi tha se në të kaluarën regjistrimi i popullsisë është zhvilluar në periudha kritike politike për vendet e ish-Jugosllavisë.

Kësaj radhë, theksoi Maliqi, ky proces duhet të zhvishet nga politika dhe ta përfshijë edhe veriun Kosovës.

“Kjo atëherë do të na mundësojë që në aspektin e statistikave të popullsisë të kalojmë nga faza e projeksioneve në diçka që është e bazuar në vetë deklaratën e popullsisë, të pronave që do ta zvogëlojnë sasinë e projeksioneve. Nëse veriu i Kosovës do ta bojkotojë këtë me shumicë, atëherë është më e lehtë të bëhet një projeksion për veriun sesa për krejt Kosovën siç e kemi bërë deri më tani”,
u shpreh Maliqi.
XS
SM
MD
LG