Ndërlidhjet

Dinamikat fisnore e ndajnë Libinë nga fqinjët


Protestuesit antiqeveritarë në Bengazi
Protestuesit antiqeveritarë në Bengazi
Nëse reformat erdhën në Tunizi dhe Egjipt, përse nuk mund të vijnë në vendin që shtrihet mes tyre - Libinë?

Disa javë më parë, kur vala e protestave i përmbysi regjimet në shtetet fqinje, pak vetë mund të parashikonin se revolta gjithëpopullore do ta përfshinte edhe Libinë.

Udhëheqësi i këtij shteti të Afrikës veriore, Muamer Gadafi, ia ka dalë mbanë me revoltat edhe më parë dhe ka dëshmuar se është në gjendje ta përdorë pasurinë e naftës për t’i zbutur problemet sociale dhe ta mbajë të fortë pushtetin.

Për dallim nga Zine el Abidin Ben Ali në Tunizi dhe Hosni Mubarak në Egjipt, Gadafi ka vënë në maje të piramidës aleancat fisnore, të cilat e kanë mbështetur sundimin 42-vjeçar të tij.

Kryengritjet kundër qeverisë që shpërthyen më 16 shkurt në lindje të Libisë, tash janë shtrirë në hyrje të Tripolit. Protestat u përcollën me dhunë, e cila çoi në përleshje të ashpra ndërmjet opozitës dhe forcave të qeverisë.

Tash, kur situata kërcënohet të përshkallëzohet në luftë të përgjithshme civile, dalin në shesh dinamikat fisnore të vendit 6.5 milionësh.

Më shumë se 100 klane dhe etni e përbëjnë shoqërinë komplekse të Libisë, duke e bërë bashkëpunimin apo konfliktin ndërmjet fiseve përcaktues kyç të kursit të vendit.

Ziad Akel, kërkues nga Qendra Për Studime Strategjike dhe Politike “Al Ahram” në Kajro, i tha Radios Evropa e Lirë se në shoqërinë libiane, lojaliteti ndaj fisit është mbi lojalitetin ndaj shtetit.

Kjo nënkupton se në turbullirat e tashme, zakonet dhe afërsitë me fisin janë më të rëndësishme se organizatat civile apo ligjet e shtetit.

Ai tha se dinamikat fisnore që Gadafi i ka shtypur një kohë të gjatë përmes modernizimit, nacionalizmit dhe marrëdhënieve të vartësisë me liderët fisnorë, duket se po i kthehen kundër tij.

Pjesëtare të fisit Tuareg që mbështet regjimin e Gadafit.
“Përbërja fisnore duket se tash është kundër Muamer Gadafit. Ata aktualisht e favorizojnë dialogun ndërmjet fiseve. Ndasitë e thella ende nuk kanë dalë në sipërfaqe dhe ky është sinjali i vetëm qetësues që tash po vjen nga Libia”,
tha Akel.

Gadafi duket se ka pasur telashe me kontrollin e aleancave fisnore, mbi të cilat e mbështet pushtetin. Disa nga fiset e mëdha, si Uarfalla, janë kthyer kundër tij.

Fisi 1.5 milionësh ka histori konflikti me Gadafin. Në vitin 1993, disa pjesëtarë të këtij fisi u përpoqën të bëjnë grusht-shtet kundër Gadafit, por u shtypën brutalisht.

Fisi është i njohur në Libinë perëndimore dhe shpallja se u mban anën demonstruesve ishte goditje e rëndë për regjimin.

Gadafi ende i komandon besnikët e fisit të tij Kadahva në Libinë qendrore. Megjithëse i vogël, fisi ka rëndësi të madhe, sepse anëtarët e tij janë në krye të njësiteve elite dhe forcave ajrore, nga të cilat varet aftësia e Gadafit për të shtypur revoltën.

Një fis tjetër që favorizohet nga regjimi është Megarha nga Libia jugore apo kufijtë e Saharasë. Anëtarët e tij zënë poste të rëndësishme në Sigurimin e Shtetit dhe Komitetet Revolucionare.

Në Libi gjithashtu ka edhe 500 mijë berberë Tuaregë, të cilët e ruajnë hierarkinë e vet fisnore. Mbështetja e Tuaregëve është jetike për Gadafin në bartjen e mercenarëve nga Çadi apo Nigeri në Libi.

Nxitja e fiseve kundër njëri-tjetrit u jep vëzhguesve pak hapësirë për të qenë optimistë. Akel paralajmëron se ndarjet fisnore mund të thellohen nëse Gadafi mbetet në pushtet dhe vazhdon me strategjinë e shtypjes së kryengritjes me ushtri.

Xhamal Abdul Xhavad, drejtor i qendrës për Studime Strategjike dhe Politike “Al Ahram” në Kajro, ka një parashikim më të guximshëm.

Libia me gjasë do të zhytet në konflikt të gjatë civil, një lloj lufte qytetare. Kjo do të jetë e ngjashme me taktikat e konflikteve që kanë pasur vendet si Çadi, Nigeri apo Sudani në pesë vjetët e kaluar, për shkak të konfiguracionit të forcave atje”, tha Xhavad. (v.p.)

XS
SM
MD
LG