Ndërlidhjet

Mirëpriten rekomandimet e DASH-it


Departamenti Amerikan i Shtetit (Foto nga arkivi)
Departamenti Amerikan i Shtetit (Foto nga arkivi)
Raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit, ku flet mbi çështjet narkotike dhe problemin e trafikut të drogës në botë, në kapitullin për Kosovën, thuhet se ky vend identifikohet si vend i trafikut të drogës, e po ashtu edhe si vend, i cili prodhon atë. Zyrtarët e institucioneve të Kosovës raportin e kanë vlerësuar si real.


Në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për çështjet narkotike dhe problemin e trafikut të drogës në botë, Kosova është identifikuar si vend transit, por edhe vend ku kultivohen substancat narkotike.

DASH-i ka kritikuar institucionet kosovare se nuk janë duke bërë sa duhet në zbatimin e strategjisë kundër drogës.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme konsiderojnë se ky raport është real dhe në përputhje me realitetin në terren.

Fisnik Rexhepi, këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thotë se kryesisht vendet e rajonit përballen me fenomenin e trafikimit të drogave.

“Kosova, sikurse edhe vendet e tjera të rajonit, është vend transit për trafikimit e narkotikëve. Ndërkohë, sipas raporteve të Policisë së Kosovës, kemi parë se kohëve të fundit kemi edhe kultivim të disa substancave narkotike, por jo në sasi të mëdha”
, pohon Rexhepi.

Raporti vë në dukje një numër sfidash, me të cilat përballet Kosova në luftën kundër drogës, ndër të cilat kontrolli i dobët i vijës kufitare, korrupsioni në radhët e forcave të kontrollit të kufirit dhe doganës.

Në raport, po ashtu, thuhet se ndër pengesat e tjera janë mungesa e resurseve, por edhe fakti që problemi i drogës nuk shihet si një përparësi kryesore në vend.

Mirëpo, zyrtarët e MPB-së theksojnë se parandalimi dhe lufta kundër trafikimit me narkotikë, si një fenomen negativ dhe shqetësues, është vendosur në agjendën e prioriteteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Fisnik Rexhepi nga kjo ministri pranon se para vetes kanë shumë punë për të bërë në drejtim të zbatimit të Strategjisë Nacionale dhe Planit të Veprimit kundër trafikimit me droga.

Nga ana tjetër, ndihmësdrejtori i përgjithshëm për Shtyllën kundër krimit në Policinë e Kosovës, Kadri Arifi, tha për Radion Evropa e Lirë se raporti kryesisht është relevant me gjendjen aktuale në terren.

Por, Arifi nuk pajtohet me deklaratat se Kosova është vendi kryesor në rajon sa i takon trafikimit të narkotikëve.

“Ndoshta Kosova nuk e ka epitetin si vendi kryesor për trafikim drogash, por ka elemente se ka vija të trafikimit. Për këtë arsye edhe për Policinë e Kosovës një nga sfidat kryesore mbetet parandalimi dhe luftimi i narkotikëve”
, thotë Arifi.

Sipas Arifit, Polica e Kosovës vetëm gjatë vitit të kaluar ka arritur të konfiskojë mbi 300 kilogramë drogë të llojit marihuanë dhe mbi 63 kilogramë të llojit heroinë.

Kurse, sa i takon asaj se Kosova është edhe vatër e kultivimit të narkotikëve, Arifi shpjegon:

“Kemi pasur raste në Kosovë. Në vitin 2009 kemi pasur diku 39,500 bimë të kanabisit. Kurse, në vitin 2010 kemi pasur vetëm 9,700 bimë. Kjo për shkakun se policia ka marrë disa aksione të parandalimit të tentimit për kultivimin e tyre. Kanë qenë disa parcela të vogla private, kështu që mund të themi se kemi pasur një rënie të kultivimin”.


Në raportin e DASH-it thuhet, po ashtu, se sistemi i rehabilitimit të përdoruesve të drogës nuk e ka financimin e duhur dhe ka pasur ritme të ulëta suksesi.

Për sa i përket konsumit të drogës, organizatat joqeveritare në Prishtinë thonë se numri i përdoruesve të drogave është në rritje.

Safet Blakaj, drejtues i qendrës rehabilituese “Labirinth”, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i përgjithshëm mund të ketë kaluar shifrën më shumë se 20 mijë.

“Numri i përdoruesve të drogave, nëse llogarisim edhe përdoruesit e marihuanës, atëherë është 20 mijë, sigurisht edhe më i lartë. Mirëpo, rreth 5000 veta në Kosovë konsiderohen që janë të varur nga drogat ose ne që i quajmë problematikë të drogave. Ndryshe, vetëm gjatë vitit të kaluar 15 nga ta kanë vdekur nga problemet e ndryshme të drogës, kryesisht nga mbidoza”
, bën të ditur Blakaj.

Raporti i Departamentit të Shtetit arrin në përfundimin se për Kosovën, lufta kundër drogës, mbetet problem.


* * * * *
DASH: Kosova, transit i drogës afgane

Kosova është vend transit i heroinës së prodhuar në Afganistan e që për destinacion ka Evropën, por në bazë të raporteve të Policisë së Kosovës ka sugjerime se vendi përballet edhe me problemin e prodhimit të narkotikëve.

Me këtë konstatim, fillon raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi narkotikët dhe problemin e trafikut të drogës në botë.

Në kapitullin për Kosovën, raporti thotë se lufta kundër trafikut të narkotikëve përballet me sfida të shumta, midis tjerash edhe për shkak të kufijve të brishtë dhe korrupsionit te Policia Kufitare e Kosovës dhe zyrtarët e Doganave.

Kosova nuk është një prodhues thelbësor i narkotikëve, ndonëse policia e Kosovës ka gjetur disa dëshmi të kultivimit të marihuanës në nivel të ulët në zonat rurale.

Por, thuhet në raport, Kosova është vend transit i heroinës së prodhuar në Afganistan që kalon përmes Turqisë dhe kokainës e marihuanës që vjen nëpërmjet porteve të Shqipërisë dhe Malit të Zi, me destinacion Evropën.

Drogat ripaketohen në pako më të vogla nëpër disa lokacione të panjohura në Kosovë dhe pastaj transportohen me automjete drejt qyteteve të Bashkimit Evropian. Pakot e mëdha kryesisht transportohen nëpërmjet autobusëve, kamionëve apo vendkalimeve të pambrojtura transite të vendeve fqinje.

Sipas të dhënave nga misioni evropian për sundimin e ligjit dhe Policisë së Kosovës, ka lëvizje të shumta por në sasi të vogla të narkotikëve, dy deri në 5 kg për një person ose 10 deri në 20 kg nëpërmjet bagazhit të një autobusi.

Raporti vë në pah edhe mangësitë në përpjekjet e autoriteteve për të ndaluar dhe konfiskuar drogat që kalojnë nga Kosova, duke thënë se nuk ka pasur ndryshime thelbësore në metodologjinë dhe taktikën e shfrytëzuar nga zyrtarët policorë dhe doganorë.

Duke pranuar megjithatë se përpjekjet nuk mungojnë dhe përparimet janë bërë, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit vë në dukje se të dhënat për konfiskimin, arrestimin dhe ndjekjen penale të narkotikëve dhe atyre që merren me trafikun e tyre janë në masë të madhe jo të besueshme dhe jo konsistente.

Të dhënat mungojnë edhe për konsumin e brendshëm të substancave narkotike, me të cilat merret vetëm Programi i Kombeve të Bashkuara, UNICEF dhe organizata joqeveritare Labirint.

Të dyja qendrat raportojnë për një treg në rritje vendor dhe se përdorimi i drogave të paligjshme është gjithashtu në rritje. Sipas të dhënave të tyre, thuhet në raport, shfrytëzuesit primarë të narkotikëve janë adoleshentët dhe studentë universitarë.

Niveli i konsumit të narkotikëve në mesin e këtyre shtresave në Kosovë është i përafërt me atë që kanë shumica e vendeve të Evropës perëndimore.

Ndonëse nuk ka të dhëna zyrtare, raporti citon UNICEF-in, sipas të cilit përdoruesit përllogariten në rreth 20 mijë vetë, ndër të cilët 5000- 6000 janë përdorues që kanë zhvilluar varësi nga droga intravenoze.

Sidoqoftë, kapitulli për Kosovën në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit përmban edhe njoftimet e zyrtarëve të EULEX-it, të cilët në bisedime me stafin e ambasadës së Shteteve të Bashkuara kanë njoftuar se disa zyrtarë qeveritarë kanë ndërhyrë në ndjekjen penale të atyre që akuzohen për tregti me drogë.

Sistemi i Gjyqësorit është i stërngarkuar dhe i pazhvilluar.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin sundimin e ligjit në Kosovë, për të luftuar përdorimin dhe trafikimin e drogës, thuhet mes tjerash në fund të raportit vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit. (a.v.)
XS
SM
MD
LG