Ndërlidhjet

Mos krijimi i kushteve të favorshme për zhvillimin e bizneseve, reflekton edhe në mospërmirësimin e gjendjes sociale dh ekonomike në Kosovë, vlerësojnë përfaqësuesit e komunitetit të bizneseve dhe ekspertët e çështjeve ekonomike.


Qeverisë së Kosovës në vazhdimësi i është sugjeruar dhe rekomanduar që të investojë në krijimin e rrethanave të volitshme për zhvillimin e bizneseve, vlerësojnë përfaqësuesit e komunitetit të bizneseve dhe ekspertët e çështjeve ekonomike.

Sipas tyre, kjo do të reflektonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale në përgjithësi.

Agim Shahini, drejtues i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se në mandatet e deritashme, Qeveria e Kosovës nuk ka investuar në sektorin privat, e madje nuk ka krijuar, siç i quan ai, as politika miqësore për investime.

“Kjo ka reflektuar që në sektorin privat të mos ketë zhvillim dhe të mos ketë mundësi që të krijohen vende të reja të punës, pavarësisht dëshirave, përpjekjeve dhe angazhimeve të bizneseve private, për t’iu dalë përballë qytetarëve dhe kërkesave të tyre për punësim, për çmime më të ulëta, për jetë më të mirë. Shteti, deri më tash ka bërë fare pak që biznesi të jetë konkurrent me aktivitetet dhe shërbimet e veta, karshi konkurrencës që vjen nga jashtë”
, thotë Shahini.

Ndërsa, eksperti për çështje të ekonomisë, Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se zhvillimi i bizneseve në Kosovë do t’i jepte kahe pozitive zhvillimit ekonomik dhe social të vendit.

Por, sipas tij, ende ka një mori pengesash, të cilat e vështirësojnë një gjë të tillë.

“Problemi i parë është moszbatimi i legjislacionit që është në fuqi, kryesisht për investimet e huaja që vijnë në Kosovë, e që nuk kanë ndonjë siguri, siç kanë shtetet tjera të Evropës apo Azisë. Problemi i dytë ka të bëjë me normat shumë të larta të interesit që ofrojnë bankat komerciale. Nuk mund të funksionojnë bizneset ku normat e interesit kalojnë 10 apo 12 për qind, shpeshherë edhe më shumë. Faktikisht, ajo ngufat funksionimin normal të bizneseve në Kosovë”,
thekson Bektashi.

Profesor Bektashi shton se një nga pengesat për zhvillimin e bizneseve, e cila është evidentuar, është burokracia në sistem, kryesisht në nivelet komunale. Sipas, tij, ekzistojnë mjaft ankesa nga bizneset, për tatime të larta, tatime në prone, por edhe për pengimin e funksionimit normal të këtyre bizneseve.

Ndërkaq, zoti Shahini thotë se pasojat që kanë bizneset nga mjedisi i pafavorshëm afarist, reflekton edhe në situatën sociale të njerëzve në Kosovë.

“Mesatarisht në vit, janë mbyllur rreth 1 mijë e 400 kompani të ndryshme. Varësisht nga kompanitë që janë mbyllur, kemi kompani që janë mbyllur me 50 deri 100 punëtorë dhe kemi kompani që janë mbyllur me 1 ose 2 punëtorë”.

“Por, mesatarisht, rreth 5 mijë punëtorë, neve na mbesin pa punë, brenda vitit, për shkak të mbylljes së kompanive. Shkaqet e mbylljes së kompanive tashmë janë të ditura dhe publike. Por, ende në Kosovë nuk po bëhen hapa konkretë për përmirësimin e gjendjes së tyre”,
shpjegon Shahini.

Ndryshe, profesor Bektashi vlerëson se Qeveria e Kosovës, me buxhetin që posedon, nuk mund t’i stimulojë bizneset. Sipas tij, për ta mbajtur kohezionin social, Qeveria e Kosovës po shpenzon qindra miliona euro nga buxheti, për pensione dhe ndihma të ndryshme sociale.

Bektashi shpreh mendimin se kjo lloj praktike duhet të përfundojë.

“Është koha e fundit që kjo mënyrë të ndryshojë dhe që mjetet e Kosovës, të Trustit, të Fondit Pensional, të Fondit të Privatizimit, të kthehen në Kosovë dhe që kjo ta rrisë kërkesën dhe ofertën agregate në tregun e kapitalit në Kosovë, me qëllim që bizneset të kenë mundësi të kenë kredi me norma rreth 5 deri në 6 për qind. Kjo do të ishte krejtësisht normale për zhvillimin normal të bizneseve”,
vlerëson Bektashi.

Sipas Bektashit, Qeveria e Kosovës duhet ta ndryshojë qasjen e deritashme dhe nga dhënia e ndihmave sociale, të kalojë në dhënien e infuzioneve në sektorë të ekonomisë, në radhë të parë në atë të bujqësisë, me qëllim që të punësohen njerëz të rinj dhe ngadalë të fillojë zgjidhja e problemeve të shumta sociale.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG