Ndërlidhjet

Maqedoni: Skepticizëm për zgjedhje të drejta


Foto arkiv
Foto arkiv
Duke komentuar arritjen e marrëveshjes së djeshme mes liderëve të BDI-së dhe PDSH-së për zgjedhje të lira dhe demokratike, analistët politikë dyshojnë se kjo marrëveshje do të ketë sukses. Sipas tyre, edhe në të kaluarën janë nënshkruar marrëveshje të tilla, por praktika ka dëshmuar se ato kanë mbetur vetëm në letër.


“Për zgjedhje të lira dhe demokratike nuk duhet të nënshkruhen ‘pakte zgjedhore’ apo kode të ndryshme, por nevojitet kulturë demokratike dhe vetëdijesim i partive e militantëve të tyre, sepse zgjedhjet janë të shenjta dhe si të tilla duhen respektuar. Pra, të garantohet e drejta fundamentale e qytetarëve për t’i zgjedhur lirshëm dhe pa frikë ata që do t’i përfaqësojnë interesat e tyre në institucionin ligjvënës”.

Kështu vlerësojnë analistët Alajdin Demiri dhe Zdravko Savevski, duke komentuar nënshkrimin e parë të ujdisë për zgjedhje demokratike më 5 qershor.

Duke u nisur nga praktika e deritanishme, Savevski nuk pret që marrëveshjet e tilla të sjellin risi sa i përket mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.

“Mendoj se në plan të parë duhet të vihet përgjegjësia morale. Liderët e partive politike duhet të jenë të vetëdijshëm se kultura demokratike politike varet nga sjellja e tyre dhe ata duhet të kontribuojnë në ngritjen e kulturës demokratike te qytetarët”.

“Edhe në këto zgjedhje do të firmosen marrëveshje të tilla, por ato do të mbeten vetëm në letër, pasi në terren nuk do të respektohen nga militantët partiakë. Pra, liderët nuk qëndrojnë pas firmave të tyre”,
thotë Savevski.

Ngjashëm mendon edhe analisti politik shqiptar, Alajdin Demiri. Sipas tij, marrëveshjet e tilla bëhen për një marketing demokratik të civilizuar, ndërsa veprimi në terren do të jetë krejt tjetër.
Marrëveshjet janë fine, por anëtarësia dhe militantët janë ata që këto marrëveshje nuk do t'i respektojnë dhe do të fillojnë me avazin e vjetër.

“Marrëveshjet janë fine, por anëtarësia dhe militantët janë ata që këto marrëveshje nuk do t'i respektojnë dhe do të fillojnë me avazin e vjetër. Në rastin konkret, kjo marrëveshje do të thyhet shumë shpejt, për arsye se dita e zgjedhjeve do të jetë fatale në disa pjesë, ku paraprakisht dihet se si do të votohet”.

“E gjithë kjo do të jetë një alibi që zgjedhjet të mos pranohen, edhe pse për këtë ka pasur marrëveshje”,
deklaron Demiri.

Ai thotë se do të ishte gabim nëse mendohet se marrëveshja mes Ahmetit dhe Thaçit është nënshkruar për faktin se “incidente ndodhin vetëm te shqiptarët”.

Nëse mendohet se vetëm partitë politike shqiptare janë ato që e thyejnë këtë kod të marrëveshjes apo që nuk dinë të votojnë, është gabim, për arsye se problemet e njëjta i kemi edhe te partitë maqedonase”, thotë Demiri, sipas të cilit, një marrëveshje e tillë pritet të nënshkruhet edhe mes dy liderëve politikë maqedonas, Nikolla Gruevski dhe Branko Cërvenkovsi.

Dy javë para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore, janë regjistruar një varg incidentesh, por kësaj radhe në mesin e partive politike maqedonase.

Opozita, në më shumë raste, ka denoncuar demolimin e disa shtabeve zgjedhore, ndërsa për këtë ka fajësuar partinë në pushtet. VMRO-DPMNE është kundërpërgjigjur duke thënë se akuzat e opozitës janë pjesë e një skenari të përgatitur mirë për mosnjohjen e, siç ka thënë, rezultateve zgjedhore nga disfata që do të pësojë më 5 qershor.
XS
SM
MD
LG