Ndërlidhjet

Bin Ladeni udhëhoqi Al Kaidën nga Pakistani


Zyrtarët amerikanë kanë thënë se ata besojnë që Osama bin Laden ka kontrolluar strategjitë dhe operacionet e Al Kaidës nga shtëpia e ti në Pakistan.

Dëshmitë që janë marrë nga kompleksi i tij më 2 maj, si pjesë e bastisjeve amerikane që e vranë kryeterroristin, tregojnë se shtëpia e tij në Abotabad ka shërbyer si qendër kontrolli për rrjetin terrorist.

Deklarimet bëhen pas publikimit të një video që e tregojnë bin Ladenin duke e parë vetën në televizion dhe duke ushtruar fjalimet për videot e propagandës terroriste në brendi të kompleksit ku edhe u vra.

Megjithatë, banorë lokal të Abotabadit, ende nuk arrijnë të besojnë që bin Ladeni ka qenë duke jetuar në mesin e tyre.

Një nga ta, ushtari i pensionuar, Mohamad Junus, ka dhënë këtë deklaratë për agencinë e lajmeve, Rojters.

"Duhet të ketë një hetim të detajuar të incidentit. Amerika duhet të bëjë publike detajet e vrasjes së bin Ladenit në Abotabad. Duhet të lëshojë edhe video të tjera nëse i ka ato si dhe duhet patjetër të publikojë videon e vrasjes dhe të trupit që njerëzit të kuptojnë se Osama vërtetë është vrarë në Abotabad”…thotë Junus.

Zyrtarët amerikan thonë se videot që kanë publikuar deri më tash janë vetëm një pjesë e asaj që është përshkruar si koleksioni më i madhë i materialeve të terroristit që ndonjëherë është konfiskuar.
XS
SM
MD
LG