Ndërlidhjet

Në shërbim të politikës


Spiro Ristovski, VMRO-DPMNE
Spiro Ristovski, VMRO-DPMNE
Administrata, në vend se të jetë në shërbim të ë qytetarëve, ajo është vënë me të gjitha kapacitetet e saj në shërbim të politikës, theksojnë ekspertët politikë, pas informacioneve të publikuara në një televizion kombëtar, ku partia politike në pushtet, VMRO DPMNE, ka urdhëruar drejtuesit e institucioneve shtetërore që të krijojnë lista me numrin e saktë të votuesve për këtë parti.

Borçe Davitkovski, analist politik, thotë se administrata publike tanimë disa procese zgjedhore është shndërruar në armë, e cila është në funksion të interesave të çdo përbërjeje qeveritare.

”Si mund të sqarohen punësimet me libreza partiake, si do të mund të rregulloheshin tenderët me rregulla jolegjitime ose edhe më e keqja, kontrollet e selektuara të policisë financiare?! Pos që të pranohet fakti i hidhur se administrata është në shërbim të politikanëve dhe jo qytetarëve”
, thotë Davitkovski.

Kërcënimi i votës së lirë pas informacioneve se administratorët janë obliguar të sigurojnë lista me votues për partinë maqedonase në pushtet, ka ngjalluar debat të ashpër edhe në Komisionin Shtetëror Zgjedhor.

”Nëse këto informacione verifikohen se janë të sakta, Maqedonia dhe demokracia e vendit jo vetëm që përballet me një skandal të rëndë politik, por vihet në pikëpyetje i tërë legjitimiteti i procesit zgjedhor”
, vlerëson kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko nga LSDM, i cili është kundërshtuar nga anëtarët e VMRO DPMNE-së duke thënë se bëhet farsë të organizuar para opinionit për të fshehur humbjen në zgjedhje.

”Ekipi i avokatëve të VMRO DPMNE-së të mërkurën ngriti padi ndaj të gjithëve, që kanë marrë pjesë në këtë proces të montuar dhe kanë shpifur të pavërteta për abuzimin e votës së lirë”
, thekson Spiro Ristovski.

Ndërkohë, materialet e grumbulluara për ushtrimin e presionit ndaj punonjësve në administratë për të votuar partinë në pushtet në zgjedhjet e 5 qershorit, Televizioni A-1, i cili publikoi informacionet, ia dorëzoi institucioneve relevante shtetërore dhe atyre ndërkombëtare: Prokurorit publik, ombudspersonit dhe ambasadave të vendeve të BE-së, si dhe asaj të SHBA-ve.

Ndryshe, Ligji për nëpunës shtetërorë në mënyrë të qartë potencon se nëpunësit gjatë orarit të punës nuk guxojnë të agjitojnë për parti politike.

Nëse vërtetohet cenimi i kësaj dispozite ligjore, duhet të ketë përgjegjësi disiplinore. Nëse cenimi është bërë nga punëdhënësi apo funksionari, atëherë ata duhet të mbajnë përgjegjësi politike, ndërsa nëse është cenuar nga nëpunësi, atëherë ai dënohet me 30% nga paga mujore apo suspendim nga vendi i punës.

Kjo është hera e parë e një deklarimi publik të nëpunësve shtetërorë, ndërsa KE-ja disa vite me radhë në raportet e saj potencon politizimin e administratës.
XS
SM
MD
LG