Ndërlidhjet

logo-print
Analistët kosovarë janë skeptikë për pritjet e Prishtinës dhe Beogradit nga bisedimet që po zhvillohen në Bruksel. Palët në dialog kanë deklaruar se janë afër marrëveshjes për lirinë e lëvizjes. Por, një gjë e tillë nuk ka gjasa të ndodhë derisa Serbia nuk shmang politikën destabilizuese ndaj shtetit kosovar, thonë analistët.


Raundin e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zyrtarët e Bashkimit Evropian e kanë quajtur konstruktiv.

Sipas tyre, palët janë afruar me qëndrime në disa pika, ndërsa kanë shprehur bindjen se në takimet e radhës mund të arrihet edhe ndonjë marrëveshje konkrete.

Vetë palët në dialog kanë deklaruar se janë afër marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, por skeptikë shprehen analistët.

Drejtori i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, Krenar Gashi, e sheh si palë bllokuese Serbinë në arritjen e ndonjë marrëveshjeje eventuale.

Krenar Gashi

“Unë do të thosha se ka gjasa që të ketë një rezultat sa i përket lirisë së lëvizjes, regjistrit civil dhe regjistrit të kadastrës, e jo gjasa që të arrihet ndonjë marrëveshje”.

“Kjo, për shkak se Kosova nuk ka se çka të merret vesh me Serbinë për këto tri çështje, sepse të tria këto janë bllokuar në formë të njëanshme nga Serbia
”, thotë Gashi.

Ai nuk beson në deklaratën e delegacionit të Prishtinës se palët janë afër ndonjë marrëveshjeje.

“Si pasojë e një mbylljeje dhe jotransparencës së procesit nga ana kosovare, këtë mund ta vlerësoj vetëm nga ajo që po dëgjoj nga ana serbe dhe nga Brukseli zyrtar, i cili nuk është se po thotë diçka të madhe”.

“Kësisoj, duket se Serbia dëshiron të lëshojë pe në këto tri pika, që varen kryesisht nga Serbia dhe të cilat çështje është dashur të kërkohen që në start të këtij dialogu në mënyrë që të fitojë pikë pozitive në sytë e opinionit publik dhe në sytë e Bashkimit Evropina dhe më pas ta zhvendosë dialogun te pikat më të ndjeshme dhe te politikat e tyre sa i takon qasjes territoriale të Kosovës
”, vlerëson Gashi.

Analisti politik, Halil Matoshi, thotë se dialogu Kosovë-Serbi po zhvillohet pa ndonjë strategji apo plan konkret, andaj nuk mund të priten as rezultate.

“Unë nuk shoh ndonjë rezultat nga bisedimet, të cilat që në start janë pa strategji”, deklaron Matoshi.
Halil Matoshi

Derisa Beogradi ka një politikë destabilizuese ndaj shtetit kosovar, Prishtina nuk mund të lejojë kurrfarë kompromisi në bisedime, shton Matoshi.

“E kuptoj që çdo negociatë bëhet me kompromis të dyanshëm, mirëpo në këtë rast pala kosovare nuk ka se çka të lëshojë pe derisa Serbia nuk heq dorë nga synimet e saj armiqësore destabilizuese në Kosovë, derisa ajo nuk i shpërbën strukturat paramilitare ose paralele, si dhe derisa Serbia nuk i inkurajon serbët kosovarë që të marrin pjesë në institucionet e sistemit”, thekson Matoshi.

Që nga nisja e bisedimeve në fillim të muajit mars, palët kanë trajtuar probleme që ndërlidhen me regjistrin civil, kthimin e dokumenteve kadastrale, CEFTA-n e vulat doganore, energjinë dhe Postë-Telekomunikacionin, por pa ndonjë rezultat konkret.

Sipas analistëve, mbetet të shihet se çfarë do të arrihet në periudhën e ardhshme, përkatësisht në raundin e ri që pritet të zhvillohet pas rreth një muaji.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG