Ndërlidhjet

Kolegji Zgjedhor hedh poshtë njërën padi të PS-së


Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar padinë e paraqitur nga Partia Socialiste për mosmiratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit të KZAZ-së 49 nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe tejkalimin e afatit për nxjerrjen e rezultatit të Tiranes.

Bëhej fjalë pikërisht për momentin kur nga numërimi i kutisë së fundit në këtë KZAZ, kandidati i opozitës për Bashkinë Tiranë, Edi Rama, rezultonte 10 vota para kandidatit të mazhorancës, Lulzim Basha.

Në këtë mënyrë, Kolegji ka pushuar çështjen, duke lënë në fuqi vendimmarrjen e KQZ-së lidhur me këtë KZAZ, që i përket njësisë bashkiake nr. 5 në Tiranë.

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, deputeti Damian Gjiknuri, tha pas vendimit se Kolegji Zgjedhor humbi rastin të japë një vendim të drejtë mbi këtë çështje, nisur nga “argumentet e qarta”, që, sipas tij, i ofroi PS-ja.

Nesër, Kolegji pritet të shqyrtojë një tjetër padi të PS-së, që ka për objekt shpalljen e pavlefshme të vendimit të KQZ-së, të datës 18 maj, për të numëruar votat e hedhura në kutitë e gabuara.
XS
SM
MD
LG