Ndërlidhjet

logo-print

Osmani: Do ta marrim hisen tonë


Rufi Osmani gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë - foto arkiv

Rufi Osmani gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë - foto arkiv

Duhet ta marrim hisen tonë nga buxheti i shtetit të Maqedonisë, e cila hise së paku do të jetë 25% - aq sa dhe flasin statistikat zyrtare, thotë për Radion Evropa e Lirë Rufi Osmani, kryetar i partisë "Rilindja Demokratike Kombëtare".


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Osmani, në të gjitha mitingjet para elektoratit në Maqedoni, ju jeni zotuar se “Rilindja Demokratike Kombëtare” do të marrë hisen që i takon në Qeverinë e Maqedonisë. Në fakt, për cilën hise e keni fjalën?
RUFI OSMANI
Disa nga tezat tona kryesore konsistojnë në faktin se ne detyrimisht duhet ta marrim hisen tonë nga buxheti i shtetit, e cila hise së paku do të jetë 25% - aq sa dhe flasin statistikat zyrtare.

Këto 20% do t’i adresojmë si investime kapitale në kulturë, në arsim, në infrastrukturë, në ekonomi, në zhvillimin e biznesit, në uljen e papunësisë, në zvogëlimin e varfërisë së shqiptarëve, veçanërisht në ato territore të vendit që kanë qenë të margjinalizuara.

Kjo hise do të thotë edhe hise politike. Pra, thjesht, të bëhemi partnerë në shtetin tonë të përbashkët, si bashkaksionarë me maqedonasit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju insistoni që edhe formimi i Qeverisë së ardhshme të Maqedonisë të bëhet mbi bazë të parimit të votimit të dyfishtë, gjegjësisht Parimit të Badinterit - kërkesë kjo që nuk është e re, meqë është ritheksuar paraprakisht edhe nga forcat e tjera politike, por është kundërshtuar nga pala maqedonase. Pse mendoni se kësaj radhe ju do t’ia arrini qëllimit?


RUFI OSMANI

Që partitë politike shqiptare t’i bashkojnë grupet e deputetëve shqiptarë, të bëjnë një grup të përbashkët, nuk do të thotë se insistojmë që bërja e qeverisë të aplikohet në kuadër të Parimit të Badinterit, ngase ky parim përjashton formimin e qeverisë në kuadër të Kushtetutës ekzistuese.

Thjesht, është një qëndrim politik, që manifeston një relevancë politike të shqiptarëve. Unë uroj që partitë politike shqiptare ta pranojnë këtë propozim, sepse duke e pranuar atë, ne i vëmë para aktit të kryer partitë politike maqedonase në realizimin e dy objektivave bazë: marrjen e buxhetit që u takon shqiptarëve dhe zhbllokimin e procesit të integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian - si dy çështje strategjike në mandatin e ardhshëm qeveritar.

RADIO EVROPA E LIRË
Elektorati shqiptar në Maqedoni në këto zgjedhje do të duhet të përcaktohet mes katër forcave politike. Pra, ka shpërndarje të votës, ndërkohë që në vazhdimësi theksoni nevojën e një blloku të fuqishëm politik të shqiptarëve pas zgjedhjeve. Ku e bazoni ju besimin tuaj se mund të arrihet kjo?

RUFI OSMANI

Unë them se në garat demokratike është problem të arrihet uniteti paraelektoral, ngase nuk kemi kritere dhe standarde për të mësuar saktësisht se kush sa peshon politikisht.

Pikërisht për këtë, unë jam që të bëjmë një garë, të masim legjitimitetin tonë në kuptimin e partive politike dhe më pas këtë legjitimitet ta bëjmë dhe ta realizojmë bashkë, ngase ne nuk kemi të drejtë që edhe pas 20 vjetësh të të marrit me politikë në demokraci, t’i përsërisim gabimet e vjetra dhe të vazhdojmë të jemi marioneta në qeveritë e ardhshme të Maqedonisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Osmani, menjëherë pas zgjedhjeve fillojnë negociatat për formimin e qeverisë së re. Cilat do të jenë shtyllat bazë, në bazë të të cilave “Rilindja Demokratike Kombëtare” do të vendosë nëse do të jetë ose jo pjesë e qeverisë së ardhshme?
RUFI OSMANI
Pa diskutim, fillimisht duhet pritur rezultatet e zgjedhjeve të 5 qershorit. Në këtë garë zgjedhore ne synojmë të dalim fitues në kampin politik shqiptar.

Nëse plotësohet kriteri i vetëm që zgjedhjet të jenë fer, të lira dhe demokratike, pavarësisht nga rezultati, ne insistojmë që të gjitha partitë politike shqiptare, rreth dy çështjeve që apostrofova - çështjes së ndarjes proporcionale të buxhetit dhe zhbllokimit të procesit integrues - të hapin Kutinë e Pandorës dhe nga faktori politik maqedonas të kërkojnë të japë pëlqimin për ndryshimin e Kushtetutës së vendit, gjegjësisht bërjen e shqiptarëve komb shtet-formues - objektiv që s’e ka realizuar as Marrëveshja e Ohrit, e as Kushtetuta e `91-it.

RADIO EVROPA E LIRË
Procesi integrues i Maqedonisë është i kushtëzuar me zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë. Ju tashmë keni hedhur dhe një ide për aplikimin e modelit slloveno-kroat. Mendoni se janë shterur të gjitha mundësitë dhe arbitrazhi mbetet forma e vetme që çon kah zgjidhja? Do ta inicioni ju arbitrazhin?

RUFI OSMANI

Në këtë rast nuk duhet të jetë politikan, intelektual ose njeri shumë i mençur që të konstatojë se në Ballkan, zgjidhja e kontesteve në situata konfliktuoze dhe kontestuale ka qenë e imponuar nga faktori ndërkombëtar si faktor relevant vendimmarrës.

Andaj, unë kërkoj nga ky faktor të ndërhyjë në mes të klasave politike në kontest - Maqedonisë dhe Greqisë - si forma e vetme për të tejkaluar problemin.

Në të kundërtën, Maqedonia do të vazhdojë të jetë vend humbës, do të vazhdojë të jetë vendi i fundit në procesin e integrimit, pa perspektivë ekonomike zhvillimore, dhe vend që do të vlojë nga tensionet aktuale dhe ato të rejat në aspektin social dhe ndëretnik.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju, si ekonomist, e keni më lehtë t’i detektoni çështjet që e ngufasin zhvillimin ekonomik. Si mund të dilet nga kjo gjendje e rëndë ekonomike?

RUFI OSMANI

Maqedonia, biznesmenët, shteti, populli nuk kanë aq kapacitet, kapital, dije e as teknologji që vetë, me forcat vetanake, të dalin nga ky kolaps ekonomik. Kështu që nevojiten investime të jashtme.

Investimet e jashtme nuk vijnë - edhe pse kjo qeveri ka bërë shpenzime të jashtëzakonshme të marketingut, duke derdhur shumë para në mediat më prestigjioze botërore - pa integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.

Çështjet janë të thjeshta. Pavarësisht se Maqedonia është vend me tatime dhe taksa më të ulëta, mbetet vend jo atraktiv, ngase nuk ka institucione funksionale. Është një treg i vogël dhe në treg të vogël ku ka rrezik të madh, s’kanë përse të vijnë investitorët e jashtëm.

Unë flas dhe angazhohem për investime proporcionale në tërë territorin e Maqedonisë nga buxheti i shtetit, për investime kapitale, sepse ato private do të shkojnë atje ku dhe do të gjejnë profit më të madh.

RADIO EVROPA E LIRË
Partia juaj “Rilindja Demokratike Kombëtare” është partia më e re që futet në këtë garë zgjedhore. Keni besim se zgjedhjet do të jenë të drejta dhe demokratike, sipas standardeve të BE-së, duke mos u kontestuar rezultatet nga pjesëmarrësit në to?

RUFI OSMANI

Objektivisht, gara e deritanishme ka nxjerrë një risi pozitive në kampin politik shqiptar. Përjashtuar disa incidente të vogla, nuk ka pasur turbulenca më të mëdha, për dallim nga një tension në rritje te blloku politik maqedonas.

Sondazhet e fundit, nëse janë objektive, tregojnë se partitë që qeverisin vendin nuk kanë përparësi dhe ky moment mund të jetë një moment delikat në kuptim të keqpërdorimit të procesit zgjedhor.

Uroj që qeveria, në veçanti edhe faktori ndërkombëtar, të ushtrojnë ndikimin e duhur dhe të mos lejojnë që edhe këto zgjedhje të jenë një damkë e zezë e radhës në kuptimin demokratik.

Nëse do të ndodhte ky fenomen, definitivisht mund të konstatojmë se edhe kjo klasë politike, me theks të veçantë ajo që është në qeveri, nuk arin të japë provimin demokratik edhe pas 20 vjetësh pluralizëm.
XS
SM
MD
LG