Ndërlidhjet

Hetimet nga BE, hap drejt drejtësisë


Shtëpia e verdhë
Shtëpia e verdhë
Misioni i EULEX-it ka formuar një Task Forcë për hetimin e pretendimeve të bëra në raportin e Dik Martit, në lidhje me "trafikim të organeve" në Kosovë. Qeveria dhe institucionet kosovare nuk kanë reaguar në lidhje me këtë vendim, ndërkohë që Organizata Human Rights Watch e ka cilësuar si hap të rëndësishëm për drejtësinë dhe sundimin e ligjit në Ballkan.


Misioni i EULEX-it ka formuar një Task Forcë për hetimin e pretendimeve të bëra në raportin e Dik Martit, në lidhje me "trafikim të organeve nga pjesëtarë të UÇK-së në Kosovë", gjatë periudhës së vitit 1999.

Kjo Task Forcë, e përbërë nga prokurorë dhe hetues, do të punojë në hetimin preliminar që filloi nga EULEX-i më 27 janar të këtij viti.

Një zëdhënës i misionit evropian në Prishtinë, Nikolas Hotën, ka thënë se hetimi përfshin një dimension ndërkombëtar, andaj Task Forca do të jetë pjesërisht me seli në Bruksel. Kjo dëshmon rëndësinë që BE-ja i kushton trajtimit të duhur të kësaj çështjeje, ka thënë ai.

“EULEX-i, me mbështetjen e plotë të të gjitha 27 vendeve anëtare të BE-së, ka vendosur të themelojë një Task Forcë që do të shtyjë përpara hetimin mbi pohimet e bëra nga Raportuesi i Këshillit të Evropës, senatori Dik Marti, në raportin e tij, në dhjetor të vitit 2010. Kjo Task Forcë, e përbërë nga prokurorë dhe hetues, do të punojë në hetimin preliminar që filloi nga EULEX-i më 27 janar të këtij viti”, ka thënë Hotën.

Qeveria dhe institucionet e Kosovës nuk kanë reaguar në lidhje me vendimin e Bashkimit Evropian për formimin e kësaj Task Force, ndërkohë që Organizata Human Rights Watch e ka cilësuar si hap të rëndësishëm për drejtësinë dhe sundimin e ligjit në Ballkan.

Sipas së njëjtës, suksesi i hetimeve varet nga emërimi i një prokurori me përvojë, nga një program efikas për zhvendosjen e dëshmitarëve jashtë rajonit, si dhe nga mbështetja e plotë e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Ky hetim i posaçëm i BE-së na sjell më afër drejtësisë për krimet e rënda, të kryera pas luftës në Kosovë”, ka thënë Benxhamin Uard, zëvendësdrejtor i organizatës HRW për Evropën dhe Azinë Qendrore.

Por, një prokuror me ndikim është i nevojshëm për të ndërtuar një ekip efektiv, për të garantuar sigurinë e dëshmitarëve dhe për të fituar mbështetjen e qeverive kyçe, përfshirë dhe atë të Shteteve të Bashkuara”, ka thënë ai.

Hetimi ka të bëjë me akuzat për rrëmbime, zhdukje, ekzekutime, trafikim organesh dhe krime të tjera serioze. Ai do të ekzaminojë bashkëpunimin e pretenduar të ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të liderëve aktualë të Kosovës, përfshirë këtu edhe kryeministrin Hashim Thaçi.

Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për hetimet është jetike, marrë parasysh marrëdhëniet e ngushta që ato kanë me qeveritë në Kosovë dhe Shqipëri, ka vlerësuar HRW.

Si përkrahësja kryesore e ndërhyrjes së NATO-s më 1999 dhe pastaj e pavarësisë së Kosovës, SHBA ka përgjegjësi për të promovuar dhe mbrojtur sundimin e ligjit në Kosovë”, ka thënë Uard.

Kjo, sipas tij, do të thotë “mbështetje e plotë e hetimeve të rrepta për të gjitha pretendimet e besueshme për krime të rënda”.

Programi për mbrojtjen e dëshmitarëve, përfshirë dhe aftësinë për zhvendosjen e tyre jashtë Kosovës, është gjëja kryesore për suksesin e hetimeve të veçanta, ka thënë HRW.

Hetimet e mëparshme për dhunën politike dhe krimin e organizuar në Kosovë janë penguar nga ngurrimi i dëshmitarëve për t’u paraqitur, për shkak të frikës së hakmarrjes kundër tyre ose familjeve të tyre.

Zhvendosja jashtë rajonit është shpesh e vetmja mënyrë për mbrojtjen e dëshmitarëve, por qeveritë perëndimore në përgjithësi nuk kanë qenë të gatshme ta bëjnë këtë, kryesisht për arsye të brendshme politike, ka vlerësuar HRW.

Ky hetim do të ketë sukses vetëm nëse qeveritë evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara angazhohen për të pranuar dëshmitarët dhe anëtarët e familjeve të tyre, siguria e të cilëve kërkon zhvendosje”, ka thënë Uard.

“Ky hetim i posaçëm mund të na ndihmojë për të mbyllur tmerret e luftës në Kosovë, por është e rëndësishme që ai të marrë mbështetjen e nevojshme për një punë të drejtë”, ka thënë Uard. (v.t.)
XS
SM
MD
LG