Ndërlidhjet

Kushtetuta po shpërfillet


Nga ceremonia e nënshkrimit të aktit më të lartë juridik të vendit, Kushtetutës së Republikës së Kosovës, tre vjet më parë.
Nga ceremonia e nënshkrimit të aktit më të lartë juridik të vendit, Kushtetutës së Republikës së Kosovës, tre vjet më parë.
Kushtetuta e Kosovës, gjatë tre vjetëve, që kur ka hyrë në fuqi, nuk është respektuar në masën e duhur, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike-kushtetuese. Riza Smaka, ekspert i kësaj fushe, thotë se Kushtetuta e vendit nuk është përfillur madje sa nga institucionet më të larta. Ndërkaq, Bahri Hyseni, ish-kryetar i Komisionit parlamentar për legjislacion, thotë se gjatë tre vjetëve ka pasur situata kur në nuk është respektuar as parimi i ligjshmërisë e as Kushtetuta, e sidomos në pjesët ku dominon pakica serbe.


Që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës, si akti më i lartë juridik, tash e tri vjet më parë, Kosova ka ndryshuar në aspektin juridik dhe politik, sepse që atëherë, e gjithë baza e infrastrukturës ligjore është e bazuar në këtë Kushtetutë, si dhe janë krijuar institucionet që dalin nga ajo. Kështu vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike-kushtetuese.

Ata thonë se defektet në zbatimin praktik të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe shkeljet e saj janë vërejtur gjatë këtyre tre viteve.

Riza Smaka, ekspert i çështjeve juridike-kushtetuese, thotë se shkelje të tilla kanë bërë vetë drejtuesit e institucioneve më të larta të Kosovës.
Institucionet tona nuk janë të gatshme dhe të devotshme për përfilljen e Kushtetutës, gjë që është detyrë primare, konstitucionale dhe institucionale, më pastaj është edhe morale...


Kushtetuta, thënë shkurt, nuk është përfillur sa dhe si do të duhej të përfillej, madje nga institucionet më të larta. Ju i dini aferat, nisur që nga presidenti e kështu me radhë. Institucionet tona nuk janë të gatshme dhe të devotshme për përfilljen e Kushtetutës, gjë që është detyrë primare, konstitucionale dhe institucionale, më pastaj është edhe morale, tepër morale”, thekson Smaka.

Eksperti tjetër i çështjeve juridike- kushtetuese, Bahri Hyseni, ish-kryetar i Komisionit parlamentar për legjislacion, thotë se gjatë tre vjetëve ka pasur mjaft probleme në zbatimin e Kushtetutës. Sipas tij, këto probleme nuk janë vetëm të natyrës juridike, por edhe politike, sidomos, siç thekson ai, kur merret parasysh se Kushtetuta nuk ka mundur të zbatohet në gjithë territorin e Kosovës.
Kemi pasur situata ku nuk është respektuar as parimi i ligjshmërisë, por as vet Kushtetuta si akti më i lartë juridik i vendit.


Kemi pasur situata ku nuk është respektuar as parimi i ligjshmërisë, por as vet Kushtetuta si akti më i lartë juridik i vendit. Këtë do ta ndërlidhja sidomos me pjesët ku dominon minoriteti serb, dhe sidomos pjesa e veriut, ku pothuaj më së tepërmi është atakuar Kushtetuta e vendit, duke marrë parasysh që nuk kemi arritur ta zbatojmë në themel, duke marrë parasysh edhe që nuk kemi arritur t’i krijojmë institucionet, të cilat do të duhej të dilnin nga vota e qytetarëve, e kështu me radhë”, thotë Hyseni.

Të dy këta ekspertë të çështjeve juridike- kushtetuese, vlerësojnë se Kosovën e presin mjaft sfida në të ardhmen, sa i përket zbatimit të Kushtetutës. Smaka thotë se për zbatimin e Kushtetutës dhe për mos shkeljen e saj duhet të jenë të vëmendshëm vetë drejtuesit e institucioneve të vendit.

Sfida ka shumë. Gjithsesi, këtu janë komponentët si disiplina politike, morali politik e tradita juridike. Pastaj, pastërtia morale e funksionarëve dhe e titullarëve të funksioneve publike supreme, sepse fundja, bujku, blegtori dhe tregtari i imtë, pothuajse nuk mund ta shkelin Kushtetutën. Atë, në rend të parë, mund ta shkelin dhe e shkelin funksionarët më të lartë të shtetit, të cilët e ndjejnë veten shumë të papërkulshëm përballë Kushtetutës dhe veprojnë sipas qëndrimeve politike”, shton Smaka

Bahri Hyseni thotë se sfida kryesore do të jetë funksionalizimi i institucioneve në veriun e vendit, aty ku, siç potencon ai, po vazhdojnë të funksionojnë strukturat paralele. Por, sipas tij, sfidë do të jetë edhe çështja e ndryshimeve dhe plotësimeve në Kushtetutën e Kosovës, të cilat, siç thotë ai, janë paralajmëruar.
Realisht, nëse do të duhej që të fillohet me plotësimet dhe ndryshimet e Kushtetutës, atëherë do të duhej që të bëhet kjo në të gjitha sferat.


Realisht, nëse do të duhej që të fillohet me plotësimet dhe ndryshimet e Kushtetutës, atëherë do të duhej që të bëhet kjo në të gjitha sferat. Do të thotë, në disa situata ka dispozita të paqarta dhe plotësimet e ndryshimet të mos jenë vetëm kozmetike dhe të mos jenë vetëm për institucionin e presidentit, por këto ndryshime të fillojnë në të gjitha ato dispozita ku e konsiderojmë se duhet të bëhet përparim dhe natyrisht, që të kemi pastaj qartësim me ligjet që burojnë nga kjo Kushtetutë”, thotë Hyseni.


Nuk zbatohet në veri

Zijadin Gashi

Kushtetuta e Kosovës nuk po zbatohet në pjesën veriore, thonë deputetët kosovarë. Këto komente ata i kanë bërë në tre vjetorin e hyrjes në fuqi të aktit më të lartë juridik.

Ndërsa pranojnë gjendjen faktike në veri, ku thonë se ka një dominim të strukturave të pushtetit paralel të Serbisë që mbështeten nga serbët lokal, deputetët kosovar thonë se institucionet vendase dhe prania ndërkombëtare në anën tjetër, ende nuk janë treguar të vendosura të shtrijnë pushtetin legal dhe legjitim në këtë pjesë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi fillimisht ka rikujtuar se Kushtetuta nuk zbatohet në shumë fusha. Kurse si territor, në veçanti ai ka apostrofuar veriun e Kosovës, ku tha se ka fare pak përparime në zbatimin e kushtetutshmërisë.

Në veri ka pak përparime. Realisht një funksionim më të mirë apo një funksionim në kuptimin e plotë të fjalës, të rendit dhe ligjit nuk e kemi në atë pjesë”, thotë Krasniqi.

Krasniqi tha se Kosova ende nuk mund të krenohet me zbatimin e Kushtetutës, ndonëse sipas tij, vërehen përparime të dukshme.

Fajet gjithnjë nuk janë jetime. Institucionet kushtetuese janë duke i përmbushur detyrat e tyre, ndonëse ka nevojë për një përgjegjësi dhe zbatim të Kushtetutës më mirë nga të gjitha institucionet e Kosovës”, thekson Krasniqi.

Pakënaqësinë me zbatimin e Kushtetutës, sidomos në pjesën veriore, e shpreh edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Atje veprojnë strukturat ilegale, jo paralele, sepse struktura tona, fatkeqësisht nuk ka

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri thotë se në veri nuk mund të thuhet se ka struktura paralele serbe, pasi që atje, sipas tij, ekzistojnë vetëm strukturat serbe dhe nuk ekzistojnë edhe ato të shtetit të Kosovës.

Në këtë sovranitet territorial dhe jo vetëm territorial, nuk po arrijmë ta shtrijmë, dhe Kushtetuta e Kosovës nuk po zbatohet në asnjë pikë, veçmas në pjesën veriore të Kosovës. Atje veprojnë strukturat ilegale, jo paralele, sepse struktura tona, fatkeqësisht nuk ka”, thotë Beqiri.

Në mungesë të zbatimit të Kushtetutës në veri, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës edhe njëherë rikujton planet për integrimet e veriut, të cilat po ashtu nuk janë zbatuar.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini fajëson drejtpërdrejtë qeverinë për mungesën e shtrirjes së pushtetit në këtë pjesë.

Me siguri që qytetarëve të Kosovës iu kujtohet kur në vitin 2008 para hyrjes në fuqi të Kushtetutës, AAK i bënte thirrje qeverisë për një plan për veriun e Kosovës, ndërsa përgjigja e qeverisë ka qenë që plani i Kosovës për veri është Kushtetuta. Por, tani po del që nuk paska qenë Kushtetuta e Kosovës plani për veri, por ekzakt veriu është sfidë edhe për kushtetutshmërinë në Kosovë”, thotë Gjini.

Në kohën që në pjesën veriore Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës janë të pazbatueshme për shkak të mos njohjes së shtetësisë së Kosovës nga subjektet politike të serbëve të atjeshëm, pikëpamje tjera për Kushtetutën kanë ata të pjesës qendrore.

Petar Miletiq nga Partia e Pavarur Liberale thotë se Kushtetuta e Kosovës ofron zgjidhje të mira për komunitetet dhe si e tillë ajo është e pranueshme. Përveç problemeve në shtrirjen e kushtetutshmërisë në veri, Miletiq thotë se ka dispozita të Kushtetutës që nuk po zbatohen.

Ka disa pjesë të Kushtetutës që flasin për të drejtat dhe interesat e komuniteteve të cilat nuk zbatohen”, thotë Miletiq.

Kushtetuta e Kosovës ka hy në fuqi katër muaj pas shpalljes së pavarësisë, më 15 qershor të vitit 2008. Sfidat e shtrirjes së saj në veri mbeten aktuale edhe tani, tre vjet pas. Ndërkaq si përmbajtje, kjo Kushtetutë tashmë i është nënshtruar një procesi të ndryshimeve që si rezultat kryesor në fund pritet të nxjerrin përcaktimin e sistemit presidencial – parlamentar të Republikës së Kosovës.
XS
SM
MD
LG