Ndërlidhjet

Tadiq: Kosova nuk është parakusht për hyrje në BE


Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, tha sot se Kosova nuk është parakusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian, por ka theksuar se nuk ka dilema se disa shtete do të insistojnë që Serbia ta zgjidhë këtë çështje para se të hyjë në BE.

“Kosova nuk është parakusht për integrime evropiane të Serbisë, por nuk duhet përhapur iluzionin se kjo nuk është problem në integrimet evropiane”, tha sot Tadiq para gazetarëve në Beograd.

Duke u shprehur për dialogun me Prishtinën, Boris Tadiq, tha se Beogradi është shumë konstruktiv në këto bisedime.

“Ne para se gjithash dëshirojmë ta zgjidhim konfliktin dhe të gjejmë zgjidhje teknike për problemet e qytetarëve në Kosovë, pa marrë parasysh kombësinë, përfshirë transportin e mallrave dhe shërbimeve, bile edhe pjesëmarrjen e shqiptarëve në forumet rajonale”, tha Tadiq.

Ai mëtutje theksoi se kurrfarë presioni ndaj Serbisë, para fitimit eventual të statusit të kandidatit për anëtarësim në BE, nuk do të ketë “efektivitet”.
XS
SM
MD
LG