Ndërlidhjet

UNDP: Mbesin ndasitë etnike


Hulumtim i opinionit publik në Mitrovicë
Hulumtim i opinionit publik në Mitrovicë
Situata e zymtë ekonomike, papunësia dhe varfëria janë të vazhdueshme dhe kanë ndikim në proceset politike dhe ndërtimin e paqes në Mitrovicë, thuhet në hulumtimin e fundit të publikuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Raporti flet për mungesën e komunikimit dhe ndarjet etnike që vazhdojnë të mbizotërojnë marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve e serbëve në të dy anët e lumit Ibër.


Një hulumtim i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë vë në pah se mbesin ende dallime etnike në Mitrovicë dhe se vazhdon të ketë mungesë të ndërveprimit në mes të shqiptarëve e serbëve.

“Hulumtimi i opinionit publik në Mitrovicë”, i zhvilluar me njëmijë të anketuar në të dy anët e lumit Ibër, në këtë qytet, tregon se të dy sondazhet e opinionit publik të bëra në korrik dhe nëntor të vitit 2010 në Mitrovicë, flasin për një linjë ndarëse etnike në disa çështje.

Menaxhuesi lokal i projektit të UNDP-së, Boban Simiq, tha se komunikimi ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve vazhdon të mbetet i ulët.

Pamje nga Mitrovica...

Sipas informatave, të cilat i kemi marrë bazuar në pyetjen se ‘A keni kontaktuar me grupin tjetër etnik’ brenda tre muajve të fundit, lidhur me komunikimin dhe distancën etnike në mes të serbëve dhe shqiptarëve është një numër më i madh i atyre që janë përgjigjur me ‘JO’ duke thënë se nuk kanë pasur fare kontakt me grupin tjetër etnik”, u shpreh Simiq.

I pyetur se a janë shqetësuese këto të dhëna, përfaqësuesi i UNDP-së, Sanaka Samarasinha, tha se është ende herët të jepet ndonjë vlerësim, meqë hulumtimet e bëra bazohen vetëm mbi perceptimet e qytetarëve.

“Nuk kemi ndonjë pikënisje për ta krahasuar këtë. Andaj, sugjeroj që, meqë tani kemi një linjë bazike prej vitit të kaluar, do të ishte interesante ta monitorojmë këtë në mënyrë periodike. Nëse jemi në gjendje ta zhvillojmë një hulumtim tjetër me indikatorët e ngjashëm - që propozoj ta bëjmë brenda këtij viti, do t’ia shtonim pastaj të dhënat faktike që nxjerrim. Në këtë mënyrë mund të dimë gjendjen reale”, tha Samarasinha.

Elemente të tjera, që përmenden në hulumtimin e UNDP-së për Mitrovicën, janë problemet, me të cilat ballafaqohen qytetarët, opinioni mbi decentralizimin, shprehitë e mediave, siguria dhe perceptimet mbi kushtet ekonomike.

Dokumenti tregon se përparimi drejt ngritjes politike e ekonomike të Mitrovicës është i ngadaltë dhe se “situata e zymtë ekonomike, papunësia dhe varfëria e vazhdueshme, kanë ndikim në proceset politike dhe ndërtimin e paqes”.

Sfidat ekonomike, papunësia dhe inflacioni mbeten ndër sfidat kryesore në qytet.

Udhëheqësi i komunikimeve në UNDP, Armend Muja, shpjegoi:

“Sfidat ekonomike, papunësia dhe inflacioni mbeten ndër sfidat kryesore në qytet. Shumica e njerëzve fitojnë më pak se 211 euro dhe shumicën e këtyre parave e shfrytëzojnë në ushqim dhe veshmbathje”.

Hulumtimi i UNDP-së, megjithatë, nuk jep ndonjë informatë mbi arsyet dhe shkaqet e gjendjes aktuale në Mitrovicë. Në konferencën për media të mbajtur me rastin e publikimit të këtij dokumenti, përfaqësues të UNDP-së hezituan të japin vlerësime lidhur me arsyet eventuale politike që mund të qëndrojnë prapa perceptimeve të qytetarëve, shqiptarë e serbë, në pjesën veriore e jugore të qytetit.
XS
SM
MD
LG