Ndërlidhjet

Dogana dhe ATK i tejkaluan parashikimet


Dogana kosovare në kufirin Kosovë - Serbi
Dogana kosovare në kufirin Kosovë - Serbi
Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës, gjatë periudhës janar – qershor të këtij viti, kanë arritur t’i tejkalojnë parashikimet e mbledhjes së të hyrave. Përfaqësues të këtyre dy institucioneve thonë se kanë arritur të realizojnë rreth 40 për qind nga plani vjetor. Megjithatë, ekspertët e ekonomisë shprehen skeptikë sa i përket realizmit të të hyrave të planifikuara.

Përfaqësues të Doganave dhe Administratës Tatimore të Kosovës thonë se që nga fillimi i këtij viti kanë arritur rezultate të mira në mbledhjen e të hyrave. Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavilevci thotë për radion Evropa e Lirë se që nga fillimi i këtij viti, deri më tani kanë grumbulluar rreth 310 milion euro.

Që nga fillimi i këtij viti, nëse krahasohet kjo periudhë me periudhën e njëjtë të vitin të kaluar, dogana deri më tani e ka tejkaluar për 45. 6 milion euro, dhe kjo rritje është për 17 .3 për qind”.

Vetëm javën e fundit, java 24, është 19 milion euro më shumë, ndërsa e njëjta javë e vitit të kaluar ka qenë 16.3 milion euro. Pra, do të thotë se në secilën javë kemi rritje të të hyrave”, thotë Stavileci.

Satvilevci thotë se do të bëjnë përpjekje që të arrijnë parashikimet e Qeverisë së Kosovës.

Gjithashtu, në krahasim me targetin apo me cakun që e kemi për ketë vit, që është prej 830 milion euro, Dogana e Kosovës është duke punuar që të arrijë atë cak. Dogana në krahasim e vitin e kaluar duhet të mbledh 130 milion euro më shumë dhe kjo në përqindje i bie 18 për qind”, thekson Stavilevci.

Institucion i rëndësishëm për mbledhjen e të hyrave në Kosovë përveç Doganave, është edhe Administrata Tatimore e Kosovës.

Këto dy institucione mbledhin mbi 90 për qind të të hyrave të planifikuara për shtetin e Kosovës.

Zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës, përmes një përgjigjeje me shkrim, kanë theksuar se që nga muaji janar e deri me datën 15 qershor të këtij viti, kanë realizuar të hyrat rreth 42 për qind nga plani vjetor 2011, apo gjithsej 20 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Ekspertë të ekonomisë shprehen skeptikë në realizmin e të hyrave nga këto dy institucione.

Fisnik Reqica nga Instituti Riinvest thotë se duke pasur parasysh kapacitet e këtyre dy mekanizmave, objektivat e parashtruara që të tejkalohen mbi 18 për qind në raport me vitin e kaluar, janë mjaft optimiste dhe mjaft të vështira të realizohen.

Ajo çka ka ndodhur në 6 mujorin e parë të këtij viti, mendoj që në trema nominal, ndoshta edhe rritja që është e proklamuar nga Dogana dhe ATK është e bazuar, mirëpo nuk i parasheh edhe taksat që janë aplikuar diku nga korriku 2010”.

Domethënë, që të shihet realisht se sa kemi rritje, duhet të krahasohen muajt prej korrikut e tutje të vitit 2011 në raport me muajt e vitit 2010. Mirëpo, edhe ashtu mendoj që kjo rritje nuk është e arritshme”, shprehet Reqica.

Reqica thekson se për t’u realizuar ato të hyra, duhet edhe importi të rritet për një përqindje relativisht të njëjtë.

Gjithashtu ai thekson se për të pasur të hyra më të mëdha, duhet të ketë kontroll më të madh në pikat kufitare në veri.

Mendoj që këto dy pika kishin me qenë pikat kryesore që duhet të targetohen nga institucionet e Kosovës. Ky evazion fiskal dhe ekonomia joformale duhet të luftohet në atë pjesë edhe këto mjete që nuk janë të interanalizuara për momentin në buxhetin e Kosovës, do të duhej të futeshin në mënyrë legale. Kjo ndoshta do të rrisë të hyrat dhe do të realizonte objektivat e qeverisë”, thekson ai.

Qeveria e Kosovës në buxhetin e këtij viti, nga Doganat e Kosovës, ka planifikuar të hyra 830 milion euro, ndërsa nga Administrata Tatimore e Kosovës 270 milion euro.
XS
SM
MD
LG