Ndërlidhjet

Të zhvendosurit, çështje e anashkaluar


Foto nga arkivi (Gazetarja e Radios Evropa e Lirë duke intervistuar familje serbe të kthyera në Kosovë, në korrik të 2009-s)
Foto nga arkivi (Gazetarja e Radios Evropa e Lirë duke intervistuar familje serbe të kthyera në Kosovë, në korrik të 2009-s)
Mbi 18 mijë persona mbesin të zhvendosur brenda Kosovës, ndërsa mbi 200 mijë në vendet e rajonit edhe 12 vjet pas luftës në Kosovës, bën të ditur misioni i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë. Në Ditën Botërore të Refugjatëve, ky mision theksoi rëndësinë që të zhvendosurve t’u krijohen kushte që të kthehen në shtëpitë e tyre në Kosovë.


Në Ditën Botërore të Refugjatëve, misioni i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë në Kosovë kërkoi përfundimin e situatës së zgjatur në kohë të zhvendosjeve në vend dhe brenda rajonit.

Me moton “Një refugjat i pashpresë është shumë”, kjo organizatë mbajti një konferencë për media, në të cilën u fol për rëndësinë e ndihmës ofruar refugjatëve brenda shtetit dhe në vendet e rajonit.


Shefi i misionit të UNHCR-it në Kosovë, Jo Hegenauer, tha se edhe 12 vjet pas përfundimit të luftës, një numër i madh i njerëzve vazhdon të jetë i zhvendosur nga Kosova.

“Qindra-mijëra njerëz kanë braktisur Kosovën më 1998-1999, mijëra njerëz kanë ikur nga Jugosllavia më 1992-1993. Kosova ka qenë gjithmonë zemërgjerë në pranimin e njerëzve dhe në vitet e fundit autoritetet kosovare janë përpjekur ta bëjnë Kosovën një vend të qëndrueshëm, në të cilin mund të kthehen njerëzit”,
u shpreh Hegenauer.

Statistikat e UNHCR-it vënë në pah se që nga paslufta në Kosovë janë kthyer mbi 22,500 refugjatë në baza vullnetare; prej të cilëve 9,461 serbë, 931 shqiptarë në komunat ku ata konsiderohet të jenë pakicë, mbi 9,000 romë, ashkalinj dhe egjiptas dhe mbi 3,000 persona të komunitetit boshnjak, goranë e malazez.

Megjithatë, nuk jepen të dhëna të sakta lidhur me numrin ekzistues të refugjatëve kosovarë nëpër vendet evropiane dhe shtete të tjera në botë.

Sipas të dhënave, brenda Kosovës janë të zhvendosur rreth 18,000 persona, ndërsa rreth 200,000 persona, të cilët u përkasin të gjitha komuniteteve minoritare nga Kosova, ende mbesin të zhvendosur në regjion - kryesisht në Serbi, Malin e Zi dhe në Maqedoni.

Ministri i Kthimit dhe i Komuniteteve, Radojca Tomiq, tha se mungesa e mjeteve të nevojshme financiare pamundëson ofrimin e ndihmës për të zhvendosurit. Sipas tij, fondet për ndihmë për zhvendosurit - qoftë vendore apo ndërkombëtare, janë duke u pakësuar nga viti në vit, ndërsa sfidat për ministrinë që ai drejton, po vijnë duke u shtuar.
Tema e të zhvendosurve është anashkaluar. Kjo çështje kërkon mbështetje të gjerë të shoqërisë, e jo vetëm të një ministrie.


“Ne duhet të sigurojmë mbrojtjen e pronës, në mënyrë që secili të ketë të drejtë që të zotërojë me pronën e tij, që prona private të jetë e shenjtë, ashtu siç është gjithkund tjetër. Tema e të zhvendosurve është anashkaluar. Kjo çështje kërkon mbështetje të gjerë të shoqërisë, e jo vetëm të një ministrie”.

“Nuk do të thotë se kthimi nënkupton vetëm ndërtimin e shtëpisë dhe mobilieve. Kthimi nënkupton integrimin e njeriut në mjedisin ku jeton, fëmija i të cilit vijon shkollimin me të gjithë moshatarët e tij, shoqërimin me fqinjët dhe të mos ketë frikë për sigurinë personale dhe të pronës”, theksoi Tomiq.


Kthimi në Kosovë i refugjatëve që vazhdojnë të jetojnë nëpër shtetet evropiane figuron në listën e parakushteve që autoritetet kosovare duhet t’i përmbushin, po qe se synojnë liberalizimin e vizave me BE-në.

Prishtina zyrtare deri më tani ka nënshkruar marrëveshje për riatdhesim me disa shtete evropiane, si: Norvegjia, Gjermania, Austria, Holanda, Hungaria dhe të tjera.
XS
SM
MD
LG